Mbahet diskutimi publik për draft rregulloren komunale në Ferizaj

Paraditen e së enjtes, në ambientet e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, është mbajtur diskutimi publik me qytetarë dhe grupet e interesit lidhur me draft rregulloren komunale për mënyrën dhe kushtet e menaxhimit dhe shfrytëzimit të objekteve sportive publike. Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi Bytyçi, bashkë me drejtoreshën e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani, udhëheqësin e sektorit të sportit në Ferizaj, Bashkim Haxhimusa si dhe kryetarin e komisionit komunal për hartimin e akteve juridike, Liridon Jetishi kanë paraqitur në detaje para qytetarëve këtë dokument të rëndësishëm për menaxhimin dhe shfrytëzimin e hapësirave publike, dokument që po hartohet për herë të parë në Komunën e Ferizajt. Kristina Gashi Bytyqi, Kryesuese e Kuvendit të Komunës, përveç prezantimin të punës së komisionit komunal për hartimin e akteve juridike përkitazi me këtë dokument, njoftoi se kjo draft rregullore është nismë e ekzekutivit, gjegjësisht Kryetarit të Komunës, Agim Aliu për të fuqizuar edhe më tutje sportin ferizajas që për herë të parë të vendoset rregull për menaxhimin dhe shfrytëzimin e objekteve dhe hapësirave publike sportive të Komunës së Ferizajt. Edhe drejtoresha e kulturës, rinisë dhe sportit, Xhemile Murati Shabani shpjegoi në hollësi të gjithë përmbajtjen e rregullores, përparësitë e saj në planin e strukturimit dhe menaxhimit me financat që burojnë nga shfrytëzimi i objekteve publike sportive. Drejtoresha Murati Shabani theksoi se tarifat e parapara për shfrytëzimin e objekteve sportive do të inkorporohen në Rregulloren Komunale të të Hyrave Vetanake, pas përfundimit të diskutimit publik dhe shqyrtimit të propozimeve të qytetarëve dhe grupeve të interesit. Pjesëmarrësit në këtë diskutim publik shprehën pakënaqësinë e tyre lidhur me disa nga grupet e tarifave për shfrytëzimin e objekteve publike sportive, shqetësime këto që u evidentuan si propozime nga ky diskutim publik. Një përgjigje para qytetarëve për ligjshmërinë e dokumentit dhe hartimit të tij, si dhe punën në tërësi të Komisionit Komunal për Hartimin e Akteve Juridike dha edhe kryetari i këtij komisioni, Liridon Jetishi, ndërsa Bashkim Haxhimusa – udhëheqës i sektorit të sportit, elaboroi në tërësi përparësitë e miratimit të një dokumenti tillë nga Kuvendi i Komunës, si lehtësi dhe rregull për klubet sportive dhe objektet publike sportive në territorin e Ferizajt.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …