Më tej, kryeministri Haradinaj, foli edhe për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, duke theksuar se Kosova ka shënuar progres dhe tani pret rastin e madh për të udhëtuar pa viza. “Edhe pse i kemi plotësuar të gjitha kriteret, jemi vendi i vetëm që nuk mund të lëvizim lirshëm”, tha kryeministri Haradinaj, i bindur se qytetarët e Kosovës shumë shpejt do të marrin lajmin e shumëpritur për liberalizim të vizave. Në këtë takim është biseduar edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Nga ana tjetër, delegacioni 14 anëtarësh, ish-ushtarakë dhe civilë, falënderuan kryeministrin Haradinaj për pritjen, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ndihmë të mëtejshme për Kosovën.
Kryeministri Haradinaj: Kosova ka shënuar progres dhe tani pret rastin e madh për të udhëtuar pa viza
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion 14 anëtarësh, ish-ushtarakë dhe civilë, nga vende të ndryshme të botës që kishin shërbyer në Kosovë nga paslufta, përgjatë fazës së tranzicionit të TMK-së në FSK, si përfaqësues të ekipit Këshillues të NATO-s. Me këtë rast, kryeministri Haradinaj falënderoi delegacionin për mbështetjen dhënë Kosovës në periudhat e tranzicionit, me theks të veçantë falënderoi ekspertët e NATO-s që kanë punuar në transformimin e Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Forcë të Sigurisë së Kosovës. “Është bërë një punë e madhe nga ekipet e forcave të NATO-s dhe për këtë i jemi mirënjohës gjithë jetën Aleancës Veri-Atlantike. Forca e Sigurisë së Kosovës, sot është forcë multietnike, me profesionalizëm dhe e përgatitur sipas standardeve të NATO-s, e gatshme që të kontribuojë për paqe në Kosovë, në rajon dhe në botë”, tha kryeministri Haradinaj.