Doganierët nuk po pranojnë të barazohen me të gjithë shërbyesit civil të administratës publike në Kosovës. Ata duan të mbesin zyrtarë. Të martën, Sindikata e Pavarur e Doganës ka reaguar ndaj iniciativës për kategorizimin e oficerëve doganor në staf civil. Ky kategorizim sipas sindikatës do të ketë efekt të drejtpërdrejtë në rolin dhe misionin e doganës në fushën e sigurisë kufitare por edhe në mbledhjen e të hyrave. Sindikalistët kërkuan nga ministri i administratës publike, Mahrir Yagcilar që t’i ketë parasysh propozimet e tyre, pasi nëse nuk ndryshon situata ata do të ndërmarrin të gjitha veprimet sindikale.
Kërkesat e tyre janë: klasifikimi/rangimi i koeficienteve të ketë pasur parasysh statusin e veçantë të zyrtarëve doganor, kompleksitetin e punës së tyre, natyrën e punës në Doganë, kërkesat e punës për t’iu përgjigjur nevojave të shërbimit për punë në çdo kohë dhe në çdo kënd të territorit të vendit. Të ruhen dhe avancohet pagat e zyrtarve doganor duke u bazuar në statusin, specifikat doganore profesionalizmin, nivelet e organizimit doganor dhe dallimet në paga në mes secilit nivel. Të mos finalizohet pa i pasur parasysh vërejtjet, komentet dhe propozimet tona dhe pa i integruar ato në të.