Një gazetë tjetër islame në gjuhën shqipe filloi të botohet në Gjirokastër, me emrin “Reforma”, në vitin 1921-1923. Kur u mbyll gazeta “Reforma”, filloi të dilte në Shkodër, më 1923, “Udha e s’ vërtetës”, themeluar nga Hoxha Kadri Prishtina.1)
Revista ”Zani i Naltë”, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptarë, u themelua në tetor të vitit 1923, menjëherë pas Kongresit të parë të Komuniteti Mysliman Shqiptarë. Botimi i kësaj reviste zgjati deri në 1939.2 Pas ndërprerjes se revistës ”Zani i Naltë” në Shqipëri, fillo të botohet revista ”Kultura Islame”, organ i Komuniteti Mysliman Shqiptar. Kjo revistë filloi të botohet nga 1 shtatori i vitit 1939 e deri në janar – shkurt të vitit 1946.
Në Shqipëri karshi këtyre dy revistave që botoheshin që ishin organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar, ishte botuar edhe revista ”Njeriu”, organ i organizatës ”Drita Hyjnore”. Kjo revistë filloi të botohet nga muaji korrik i vitit 1942 deri në shtator të vitit 1944.
Por, fatkeqësisht, me të përfunduar të Luftës së Dytë Botërore, në Shqipëri, nga regjimi komunist, u ndaluan gjithë veprimtaritë fetare, andaj dhe publicistika islame në gjuhën shqipe u shua.
Shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, në regjimin e Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, nuk gëzonin kurrfarë të drejte. E vetmja mundësi për të lexuar diç në gjuhën amtare ishte depërtimi i botimeve nga përtej kufirit. Prandaj, depërtimi i ndonjë numri të revistave nga publicistika islame ishte e vetmja mundësi për të lexuar diç nga publicistika islame.
Me ndalimin e botimit edhe të atyre pak revistave nga publicistika islame, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, mbretëronte një terr i plotë i publicistikës islame në gjuhën shqipe qoftë brenda kufijve të Shqipërisë apo jashtë sajë.
Për shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, tani e vetmja shpresë ishte organizimi i ulemasë në Kosovë, atëherë Krahinë në kuadër të Ish Jugosllavisë.
Ndër botimet më serioze të publicistikës islame mund të llogaritet fillimi i botimit të Takvimit. Numri i parë është botuar më 1970. Një vit më vonë, pra në vitin 1971, me iniciativën e ulemasë shqiptare në Kosovë, filloi të botohet revista ”Edukata Islame”, e cila fatmirësisht vazhdon të botohet edhe në ditët tona.
Në fillim të viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar, Kosova edhe pse kishte kaluar npër një periudhë tejet diskriminuese në aspektin e zhvillimit ekonomik, kulturor dhe social në kuadër të ish Jugosllavisë, me angazhimin e ulemasë së asaj kohe dhe me krijimin e kuadrove nga fusha islamistikës, ia kishte dalë të konsolidohej dhe të fillojë një etapë e re e publicistikës islame.
Takvimit dhe Edukatës islame, në mesin e decenies së tetë të shekullit të XX, i shtohet edhe revista ”Dituria Islame”, e që ne tani po e kremtojnë ditëlindjen e tridhjetë të sajë.
Vitet e tetëdhjeta ishin vite të thyerjeve të mëdha. Demonstratat e vitit 1981, të cilat ishin vazhdimësi e atyre të vitit 1968, i dhanë edhe një grusht sistemit komunist, i cili e kishte ndrydh fjalën e lirë. Fundit të këtij regjimi po i afrohej edhe fundi.
Revista „Dituria Islame”, edhe pse revistë e sapo lindur, i bie hise që të jetë regjistruese e ngjarjeve që bënë kthesa të mëdha për historinë më të re të popullit shqiptarë, sidomos atij jashtë kufijve të Shqipërisë. Vitet kur filluan të lëkunden themelet e një regjimi, i cili ishte ndërtuar mbi bazat e ideologjisë materialiste, që fenë e konsideronte opium të njerëzimit, e që u dëshmua se pikërisht ajo ideologji ishte opium për gjenerata të tëra. Revista „Dituria Islame”, me artikujt e sajë, dha kontribut të çmueshëm në demaskimin e asaj ideologjie.
S’do mend se barra kryesore për mbarëvajtjen e Revistës „Dituria Islame” islame tani i takonte kuadrove të Medresesë ”Alauddin”, që tanimë kishin mbaruar studimet jashtë vendit dhe brenda vendit. Ata do të jenë artikullshkruesit të rregullt qoftë me artikuj origjinal apo me përkthime. Në mesin kësaj plejade medresantësh është edhe Profesor Mehdi Plisi.
Profesor Polisi i takonte brezit të parë të studentëve në Departamentin e Orientalistikës, pra i regjistruar në vitin akademik 1973/74, dhe me të përfunduar studimet ishte punësuar në arkivin shtetëror të Maqedonisë në Ohër, në cilësinë e ekspertit të Osmanishtes.
Në fillim të viteve të tetëdhjeta Profesor Polisi filloi punën në Degën e Orientalistikë, në cilësinë e asistentit. Por, për kundër asaj që ai kishte titullin e asistentit, atij, në mungesë të kuadrove të mësimdhënësve, iu desh t’i mbajë edhe ligjëratat e gjuhës turke.
Përkushtimi i Profesor Polisit për të ndriçuar jetën dhe veprën e Sami Frashërit filloi që në vitet e para të jetës së tij akademike. Ai gjatë qëndrimit të tij në Stamboll në specializim, bashkë me kolegun e tij Ruzhdi Latën, përkthyen veprën, gjegjësisht romanin e parë të letërsisë turke “Taaşşuk-i Talat ve Fitnat” të Sami Frashrit.3 Ndriçimi i veprimtarisë së Sami Frashërit do të jetë objekt studimi gjatë gjithë jetës së Profesor Polisit. Profesor Polisi, karshi përkthimit të veprave të pa përkthyera deri atëkohë, shkroi me dhjetëra punime rreth veprimtarisë së Sami Frashërit. Ai punimet e tija i botonte në revistat shkencore dhe konferenca që mbaheshin Në Tiranë, Prishtinë Shkup e gjetiu.
Sami Frashëri, për veç që njihet si enciklopedist i shquar me enciklopedinë e tij të famshme Kamusi Alam, ai njihet edhe si leksikografi më i njohur, jo vetëm i kohës në të cilën jetoi por në përgjithësi. Samiu, njihet hartues i këtyre fjalorëve, qofshin ata njëgjuhësh apo dygjuhësh: 1. Kâmus-i Fransevi: Fransızcadan Türkçeye Lugât (Fjalor i frëngjishtes: Frëngjisht-turqisht), Stamboll, 1299/1882 (bot. I), me 1630 faqe; 1315/1898 (bot.II), i plotësuar me korrigjime e shtesa, shtrihet në 1920 faqe; 1318/1901 (bot. III) po ashtu i ripunuar (nga vetë Samiu) dhe shtrihet në 2240 faqe, me përmasa 13/19 cm.; 1322/1905 (bot. IV, pas vdekjes së Samiut), pa ndonjë ndryshim nga botimi i tretë; 2. Kâmus-i Fransevi: Türkçeden Fransızcaya kadar (Fjalor i frëngjishtes: Turqisht-frëngjisht) Stamboll, 1302/1885, 1208 faqe; 12/17 cm. 3. Küçük Kâmus-i Fransevi (Fjalor i vogël i frëngjishtes): Frëngjisht-turqisht, Stamboll, 1304/1886, me 650 faqe; 4. Kâmus-i Arabi: Arapçadan Türkçeye Lugât (Fjalor i arabishtes: Arabisht-turqisht), Stamboll, 1898, me 504 faqe, i papërfunduar; 5. Kâmus-i Türki (Fjalori i turqishtes), Stamboll, 1317/1900, vëll. i parë 796 faqe (deri te shkronja s (sad) dhe vëll. i dytë 797 faqe, gjithsej 1593 faqe. Çdo faqe e këtij fjalori është e radhitur në tri shtylla me përmasa 19/25 cm. Të gjıthë së bashku shtrihen pra në mbi 6000 (gjashtë mijë) faqe.4)
- Frashëri ka shkruar mbi 65 vepra, disa me më shumë vëllime, ose shprehur ndryshe, mbi 20 mijë faqe, pa llogaritur veprat e tij në dorëshkrim dhe artikujt e shumtë nëpër gazeta e revista të kohës, me tema shkencore nga më të ndryshmet.
Kryevepra e Samiut, padyshim, që është enciklopedia Kâmûs al-a’lâmi.5 Për këtë enciklopedi më vonë do të prezantojmë dy shkrimet e Profesor Polisit të publikuara në revistën ”Dituria Islame” (nr. 22-23 shkurt mars 1991dhe nr. 43 (nëntor 1992).
Sami Frashëri këtë enciklopedi e filloi mu atë herë kur në qarqet e shkencore të qendrave evropiane hartoheshin fjalorë dhe enciklopedi nga studiuesit më në zë të asaj kohe. Pikërisht në kohën kur Samiu ishte në vrullin e krijimtarisë së tij shkencore, studimet orientale në Evropë kishin arritur kulmin e zhvillimit të tyre. Njohja e gjuhët evropiane si frëngjishten, greqishten të vjetrën dhe të renë, latinishten dhe italishten, Samiut i mundësoi që të përcjell edhe veprimtarinë shkencore të orientalistëve evropian. Ai me shumë vëmendje përcillte botimet e orientalistëve evropian në fushën leksikografisë.
Për të dëshmuar këtë mjafton të përmendim të dhënat që na përcjell Profesor Polisi në artikullin përmbyllës të prezantimit të personaliteteve shqiptare në Kâmûs al-a’lâmin në numrin e 43 të (nëntor 1992).
Për krijimtarinë e Sami Frashërit kishin shkruar shumë studiues të huaj dhe shqiptarë, por Profesor Mehdi Polisi, me kompetencë shkencore, ia doli që pjesën më të madhe të krijimtarisë shkencore dhe letrare të Sami Frashërit t’ia prezantojë opinionit shqiptarë në gjuhën shqipe.