Pas mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi në qytetin e Shkodrës, dy kryeministrat zhvilluan dhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë Edi Rama tha se nënshkruan disa marrëveshje mes dy vendeve ku mes tyre ishte dhe hapja e pikës kufitare në Zogaj.
“Lehtësim të shkëmbimeve tregtare me reduktim të tarifave dhe sot kemi nënshkruar marrëveshjen për pikën e përbashkët kufitare në Zogaj. Kjo pikë e shumëkërkuar prej vitesh do të jetë një burim më shumë i ndërveprimit dhe zhvillimit të mëtejshëm të turizmit. Do analizojmë dhe hapjen e një pike tjetër kufitare. Unë jam shumë besimplotë që me Malin e Zi ne do të bëjmë progres të shpejtë dhe të qëndrueshëm”, tha kreu i qeverisë shqiptare Rama.