Haradinaj viziton vendin ku do të krijohet Zona Ekonomie, Palestrën  e Sportit dhe zonat e dëmtuara nga reshjet e shiut dhe breshërit, në komunën e Rahovecit

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, ka vizituar Komunën e Rahovecit. I shoqëruar nga Kryetari Smajl Latifi dhe drejtorët e Drejtorive Komunale, fillimisht  kanë vizituar vendin ku do të krijohet Zona Ekonomike mbi fshatin Opterushë, pastaj përcollën punimet në Palestrën e Sportit në Rahovec, dhe zonat e dëmtuara nga reshjet e shiut dhe breshërit. Kryetari i Rahovecit Smajl Latifi me këtë rast i ka dorëzuar Kryeministrit Haradinaj, raportet për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në sektorin e bujqësisë, infrastrukturës dhe të amvisërisë. “Sot është një ditë pune, ka disa lajme të mira dhe disa janë shumë të dhimbshme. Lajmi i mirë, më në fund Rahoveci ka toka të mundshme në dispozicion për biznese të Rahovecit, si zona ekonomike dhe mendoj që është një lajm i mirë për biznese për zhvillimin  e tyre ekonomik dhe të komunës. Për biznese lajm i mirë është edhe fakti që më në fund po përmbyllet projekti i Qendrës Sportive dhe ajo është shtëpia e Rahovecit, e të gjithëve, e prindërve, e fëmijëve, e sportistëve dhe i përgëzoj të gjithë që kanë kontribuar që ky projekt më në fund të përmbyllet”, është shprehur Kryeministri Haradinaj. Kryeministri Haradinaj, ka thënë se lajmi i dhimbshëm ka të bëjë me dëmet e shkaktuara nga breshri dhe vërshimet. Ne ishim dëshmitarë që janë qindra hektarë të vreshtave të dëmtuara, pastaj shumë hektarë të perimeve, specave, shalqiri, të cilat janë në një gjendje shumë të vështirë dhe e dhimbshme dhe trishtuese edhe t`i shohim. Jemi para disa sfidave  se si ta  trajtojmë këtë gjendje.  Unë nuk e di ende se çfarë përgjigje do të japim direkt, por ajo çfarë më shkon në mendje menjëherë, është që të paktën mos të vonohen subvencionet e bujqve, atyre që i ka dëmtuar breshri dhe ato subvencione janë dakorduar por ende nuk i kanë marrë.  Kështu që, ato  mundësojnë që të paktën me mbijetu disi në periudha kohore në mundësinë e ripërtëritjes së kulturave që kishte dhe  mundet ta lehtësojë sadopak gjendjen”, ka thënë Kryeministri Haradinaj. “Ne e kemi marrë një raport për dëmet dhe raporti është i madh me miliona dhe do ta shoh se si do ta hetojmë si Kosovë dhe kam pyetur edhe përpara në krijimin e rrethanave që edhe ne qeveria të paguajmë kosto të sigurimit, pastaj është edhe mbrojtja nga breshëri, sistemi mbrojtës ndaj breshërit është opsion që mund ta rikthejmë. Po ashtu, kemi mundësi tjera të mbrojtjes që t’i trajtojmë se është vështirë dhe nëse prej viti në vit situata të ngjashme na përsëriten është vështirë të ju  dalim përballë me ndihma financiare”, ka shtuar kryeministri Haradinaj. “Lumi shihet që bën sherre të mëdha dhe duhet ta shohim se si ta trajtojmë dhe kemi raste kur i kemi trajtuar.  Ne jemi të informuar për këtë përrua  problematik nga komuna dhe e Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Është në interes të shihet që ka bërë dëme në amvisëri dhe është e papërballueshme ta lëmë kështu siç është”, tha Haradinaj. Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se ishte kënaqësi e jashtëzakonshme që patëm kryeministrin Haradinaj në vizitë. Filluam me Zonën Ekonomike dhe e falënderojmë për përkrahje të jashtëzakonshme që ka dhënë qeveria për krijimin e Zonës Ekonomike për herë të parë në Rahovec pas 17 vitesh kërkesa të vazhdueshme. Vazhduam me Palestrën e Sportit, e cila sivjet po merr fund dhe e falënderojmë po ashtu qeverinë që po kujdeset për financimin për t`i dhënë zgjidhje këtij projekti që ka zgjatë pa kuptim mbi 10 vite. Vazhduam me vizita për dëmet që i ka shkaktuar breshëri bujqësisë, amvisërisë dhe infrastrukturës, ku janë dëmtuar vreshtat, janë dëmtuar perimtaria e pemëtaria dhe i kemi përgatitur disa raporte, të cilat sot  ia dorëzuam zyrtarisht Kryeministrit.  “Përroin jo rastësisht e kemi cilësuar si problematik që ndan Celinën me Krushë të Madhe dhe kjo kërkon trajtim të veçantë.  Ne kërkojmë mbështetje nga Qeveria e Kosovës për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare afatgjate përmes një projekti  për  trajtimin e shtratit edhe zgjidhjen përfundimtare të këtij problemi që vazhdimisht, e në veçanti kësaj radhe ka qenë kërcënim për jetën e banorëve dhe bujqësinë e shumë banorëve të Krushës së Madhe e Celinës”, ka shtuar ndër të tjera Kryetari Latifi.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …