MINISTRI BYTYQI MORI PJESË NË PUNËTORINË “SFIDAT NË ARSIMIN E LARTË NË KOSOVË DHE SHQIPËRI”

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me temën “Sfidat në Arsimin e Lartë në Kosovë dhe Shqipëri” në kuadër të punëtorisë “Mbulimi mediatik i Arsimit të Lartë në Kosovë: Sfidat dhe mësimet”. Bashkë me ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Lindita Nikolla, akademikun dhe profesorin, Artan Fuga, profesor Popovcin, ekspertë e profesorë tjerë dhe përfaqësues të medieve dhe shoqërisë civile që mbulojnë fushën e arsimit, në këtë punëtori kanë diskutuar për problemet aktuale dhe për sfidat që janë në funksion të përmirësimit të gjendjes në Arsimin e Lartë në të Kosovë dhe Shqipëri. Gjatë këtij paneli, në mesin e temave, për të cilat foli ministri Bytyqi, ishte edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit Shtetëror të Cilësisë së AKA-së, për të cilin tha se, si proces tashmë është kthyer në një shembull që duhet ndjekur brenda dhe jashtë vendit. “Ky proces tejet transparent, i ka hapë një perspektivë AKA-së që t’i bëjë një kontroll sa më të mirë dhe të pavarur cilësisë në arsimin e lartë në Kosovë”, theksoi ai, ndërsa tha se gjithsesi, duhet një bashkëpunim me gjithë akterët e mundshëm në mënyrë që gjendja në arsimin e lartë te përmirësohet. Gjithashtu, Ministri Bytyqi foli edhe për sfidat që kemi përpara dhe tha se, ndër më kryesoret për ne është që të kthejmë qëllimin e universiteteve dhe kolegjeve, sepse aktualisht publikët janë fokusuar vetëm në tituj, programe të reja me qëllim të rritjes së normës për profesorët, ndërsa privatët e kanë vënë fokusin vetëm tek numri i fryrë i studentëve, pa bërë një analizë me nevojat e tregut të punës. “Fatkeqësisht, kjo na ka sjellë në një situatë kur kemi numër enorm të studentëve, numër enorm të të diplomuarve, numër enorm të kërkesave për punë dhe numër enorm të të papunëve”, theksoi ai. Ministri Bytyqi tha se, ne duhet të angazhohemi që bashkë me institucionet përkatëse, të vendosim numrin e studentëve që mund të pranohen për një vit në universitete publike dhe kolegje private, gjithmonë në përputhje me kërkesat e tregut të punës. Po ashtu, ministri Bytyqi foli edhe për profilizimin e universiteteve publike, ku raporti tashmë është në diskutim në qarqet qeveritare, e gjithashtu edhe për kuadrat e mirëfillta dhe për mungesën e kuadrove në programet e rëndësishme në vendin tonë. Ministri Bytyqi foli edhe për mundësitë që tashmë ka arsimi i lartë pas nënshkrimit të marrëveshjes “Erasmus+”, si dhe pjesëmarrja në “Horizon 2020”, ndërsa shprehu vendosmërinë për bashkëpunim me të gjithë akterët në funksion të përmirësimit të gjendjes në arsimin e lartë. Në fund të diskutimit, ministri Bytyqi falënderoi BIRN-in dhe KFOS-in, për organizimin e kësaj punëtorie të përbashkët, që ishte një mundësi tejet e mirë që të diskutohet për sfidat në arsimin e lartë në vendet tona.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …