Gjatë vizitës zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar takim bilateral me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Në takimin ndërmjet Kryeministri Haradinaj dhe Kancelares Merkel është biseduar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve, për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit me shtetin Gjerman, për proceset e përgjithshme në Kosovë, për përmbushjen e obligimeve të Kosovës në raport me BE-në, si dhe për procesin e finalizimit të dialogut me Serbinë. Haradinaj, vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të Gjermanisë në proceset jetike të shtetndërtimit të Kosovës. “Partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë është i një rëndësie të veçantë, duke njohur rolin dhe kontributin e Gjermanisë edhe në procesin e Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila i ka hapur rrugë Kosovës që të trajtohet në mënyrë të barabartë me vendet tjera të rajonit. Kosova është e përkushtuar që ta avancojë këtë partneritet. Parku Inovativ dhe Trajnues në Prizren është një dëshmi e radhës, që vendi ynë është i përkushtuar për prezencën ekonomike, krahas asaj politike”, tha kryeministri Haradinaj. Duke falënderuar Kancelaren Merkel për mbështetjen e fuqishme të saj dhe të shtetit gjerman, Ai tha se Qeveria e Kosovës me përkushtim dhe vendosmëri të lartë është duke luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke e fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit, duke i dhënë prioritet zhvillimit ekonomik, agjendës së reformave evropiane dhe normalizimit të plotë të marrëdhënieve me fqinjët. “Lidershipi juaj ka qenë vendimtar për shumë procese nëpër të cilat po kalon Ballkani Perëndimor, andaj kërkojmë mbështetjen Tuaj që edhe në këtë fazë të rëndësishme të procesit të integrimeve evropiane, liberalizimit të vizave, të jeni zë i fuqishëm për të ardhmen prosperuese të Kosovës”, tha Kryeministri Haradinaj. Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se Gjermania përmes procesit të Berlinit do të luaj rolin e saj edhe më tutje që Kosova të jetë e barabartë dhe të jetë kontribuuese në stabilitetin politik jo vetëm të saj, por edhe të rajonit. Në takimin e kryeministrit Haradinaj me Kancelaren Merkel, i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behxhet Pacolli.
Kontrolloni gjithashtu
Pabarazia, injorimi i shqipes, mos përdorimi i simboleve kombëtare, kanë nxitur luftë të armatosur në Maqedoni, në vitin 2001
Pabarazia, injorimi i gjuhës shqipe, mos përdorimi i simboleve kombëtare, mungesa e përfaqësimi në Parlament dhe në …