Ahmet Qeriqi

A.Q. Kush janë ata që propagandojnë kthimin e osmanlinjve e turqizmin e shqiptarëve, apo kthimin në fenë e të parëve?

Në këtë kohën tonë të demokracisë pa fre, në mungesë të ligjeve që mbrojnë vlerat kulturore e kombëtare, në mungesë të përgjegjësisë kombëtare e fetare, shumë individë, madje edhe doktorë shkencash, gazetarucë pa kodeks profesioni, që kanë kryer shkolla gazetarie me nga një fletore shënimesh, medie e portale të ndryshme, në garën e tyre  për të qenë të klikuar sa më shumë, nuk lënë gënjeshtër pa botuar, nuk lënë personalitet të kombit pa diskredituar, nuk lënë autoritet pa e sharë dhe pa e përbuzur.

Kjo garë e gjuhës “galimatiase”, ky llum i llumave të sojit më të përçudnuar njerëzor,  është i pranishëm kudo. Dhe si të mos jetë i pranishëm në portale e medie, kur paraprakisht është në Kuvend, ku disa “deputetë” bëjnë gara se cili do të shajë e të përbuzë më shumë, jo vetëm kundërshtarin politik, por gjithsecilin që iu teket. Në këtë garë pa fre janë vënë edhe disa drejtues mediesh, drejtues portalesh, të cilët nuk dihet konkretisht kush i financon, por në saje të paraqitjeve dhe afishimit të  fanatizmit të tyre, dihet mirëfilli se kush qëndron prapa tyre.

Në këtë situatë ku mbretëron situata që përshkruhet në atë  fjalën latine: “Bellum omnium contra omnes” “Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve”,  janë përfshirë të gjitha prejardhjet, fetare, krahinore, fisnore, klanore, të cilët janë vënë në garë të çoroditur propaganduese për të demonstruar njëmendësinë e vet, në rastet dërmuese njëmendësinë e degjeneruar deri në marrëzi.

Mendja e kthjellët dhe e pajisur me logjikë e arsye, e ka të kotë të merret me marrëzinë dhe çoroditjen, në një vend  kur këto të fundit ngufasin  të vërtetën dhe të drejtën. Megjithatë, edhe pse jetojmë në kohën e “lavdërimit  të marrëzisë” ashtu sikur kishte jetuar edhe Erazmo Roterdami në kohën e tij, nuk mund të qëndrojmë indiferentë kundër sojit e sorollopit të shpifarakëve, të atyre që duan kthimin e Baba Dovletit, edhe pse ka më shumë se 100 vjet që ka perënduar dhe është mbyllur në faqet e historisë së kaluar. Disa të tjerë kërkojnë kthimin në temjanin e Bizantit dhe botës së ndarë e të përçarë të krishterë, disa të tjerë kërkojnë kthimin e kalifateve e perandorive, disa të tjerë duan të na mësojnë historinë sikur ata e kanë kuptuar dhe ne të tjerët nuk e kuptuakemi dot, disa të tjerë Kosovën e shpallin tokë të ISIS-it, disa të tjerë tokë dhe zemër të krishterimit, veçmas atij bizantin e sllav, e kështu me radhë kush si mundet e sa mundet.

Këto hordhi mendje-krisurish, me propagandën e tyre në shërbim të politikave që kërkojnë shpëlarjen e truve, shpëlarjen nga kultura dhe morali kombëtar e njerëzor, bëjnë punën e djallit, ashtu sikur e kanë bërë gjithmonë soji i tillë dhe kjo nuk është diçka e re. Por i ri është fakti se përherë e më tepër kemi gjenerata që nuk e marrin dot arsimimin e vërtetë shkencor e profesional, kombëtar e moral, edhe pse do të duhej të ndodhte shumë më ndryshe, meqë kushtet për arsimim e pajisje me dije janë shumëfish më të favorshme, sesa kanë qenë në të kaluarën.

Dhe pikërisht te këto gjenerata, të cilat hapin çdo portal në internet, hapin faqe të mira por edhe  shumë të zeza e profane, ky brez që di të përdor për mrekulli internetin dhe anën teknike të gjurmimit e hulumtimit, është shumë larg pajisjes me dijen e vërtetë dhe pikërisht për këtë bie nën ndikimin e atyre mendje-krisurve, të cilët janë të dresuar të lëshojnë “karremin” e tyre të propagandës në emër të dijes, duke shpalosur idetë e qasjet e tyre, të cilat kanë qëllime të caktuara, por krejtësisht të dëmshme në segmentin e idealit  dhe kulturës së vërtetë kombëtare e fetare.

TheOsmanlit

Një portal, i cili fuqishëm vepron me një propagandë të theksuar politike, në “ youtube” dhe këtë e bën në emër  të islamit, është portali “Osmanlinjtë”, që pretendon ta varros tërë kulturën kombëtare shqiptare, të zhvilluar  gjatë historisë në integralen e saj, në sinkroni e diakroni, duke veçuar si të drejtë e të vërtetë vetëm periudhën e sundimit turk në trojet tona. Në këtë portal, gënjeshtra sajohet me shumë mjeshtri, duke shfrytëzuar ndjenjat  fetare të shqiptarëve, duke i orientuar ato në urrejtjen pa kompromis  kundër  krishterimit lindor e perëndimor, në urrejtjen e trashëgiminë e socializmit dhe komunizmit të dikurshëm e të sotëm,  në urrejtjen e trashëgimisë dokesore  shqiptare, në keqinterpretimin e  tërë së kaluarës, përveç asaj islame dhe turke.  Mendoj se ky portal dëmin  më të madh ia bën pikërisht islamit burimor, tolerant  dhe Turqisë, një shtet mik i të gjithë shqiptarëve, pa dallim feje.

Kjo njëmendësi ideologjike ka nxitur njëmendësinë tjetër të kundërvënies me të njëjtat formate, me të njëjtat manipulime, por nga ekstremi tjetër, që çon në thirrje për kthimin në fenë e të parëve, me qëllim që të na dojë dhe të na mbrojë Evropa e krishterë. Njëmendësinë e tillë në Kosovë por edhe në Shqipëri e përfaqësojnë disa emra gazetarësh dhe zyrtarësh të njohur për qëndrimin e tyre anti-islam, të cilët nuk e njohin islamin, por as krishterimin, por e njohim mjaft mirë teknikën e manipulimit të fakteve, manipulimit të historisë, sipas bindjeve dhe pikëpamjeve të tilla, për qëllime që ata i dinë mirë, por që të dyja palët ia shesin njëra-tjetrës vetëm  “si dushk për gogla”.

Gazeta Express

Dy ekstreme, që ushqejnë njëri-tjetrin, gjithnjë për qëllime të njëjta, me forma e metoda të njëjta

Të parët e osmanlinjve të vonuar, Skënderbeun e paraqesin si tradhtar të islamit dhe të Turqisë, ndërsa të dytët, vetëm si Gjergj Kastriot, si gjoja atlet të Krishtit, i cili ishte kthyer në Shqipëri për ta mbrojtur tërë botën e krishterë nga Perandoria  Osmane. Përderisa shumica dërrmuese e shqiptarëve e pranon Skënderbeun si hero kombëtar, të krishterët lindorë, nga soji i  Janullatosit,  i shpikin prejardhjen serbe, bullgare e greke.

Pavarësisht këtyre mendjeve të harlisura, Skënderbeu, Gjergj Kastrioti ka qenë dhe do të mbetet hero kombëtar i shqiptarëve pa dallim feje, sepse ai luftoi për ta bërë shtet Shqipërinë e katandisur në principata bizantine, një pjesë të saj në veri  të pushtuar nga Republika e Venedikut, ndërsa Kosova e pushuar nga Nemanjidët e Rashkës.

Duke qenë se Skënderbeu, Gjergj Kastrioti, është diga të cilën kërkojnë ta rrënojnë kripto-myslimanët dhe kripto-krishterët, secila palë për qëllimet e veta, por jo për qëllimet themelore kombëtare, duhet të jemi vigjilentë dhe të përgjegjshëm, që në arsimimin kombëtar të brezave, këtë figurë madhore të kombit, e cila është themel i shqiptarisë unike, jashtë ndikimit lindor dhe perëndimor, ta paraqesim në dimensionin  e vërtetë historik, personalitet unifikues, mbi jetën dhe veprën e të cilit është ndërtuar shqiptaria në mes të lindjes e perëndimit, por në tokën tonë ilire, arbërore, dardane e tani përgjithmonë shqiptare,

SEPSE:

Evropa kërkon nga ne që Gjergj Kastriotit, t’ ia heqim Skënderbeun, ndërsa Azia kërkon që Skënderbeut t’ ia heqim, Gjergj Kastriotin. Ne, shqiptarët që jemi edukuar në frymën, “skëndebegiane e ademjashariane” as për hir të Evropës, as për hir të Azisë nuk do ta vëmë në dilemë ADN-në tonë kombëtare, Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, pa çka se do të mbesim keq për Evropën,  apo për Azinë.

Kryetrimi i Shqipërisë së të gjitha kohëve, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu (1405 - 1468)

 Gjergj Kastrioti, i njohur ndër shqiptarë dhe kudo në botë si, Skënderbeu, ka qenë dhe po mbetet  shqiptari më i madh, më i njohur dhe me fuqinë më unifikuese  të  të gjitha kohëve, gjatë tërë historisë sonë prej kohës së tij e deri sot. Pavarësisht përpjekjeve që janë bërë dhe po bëhen për t’ ia ulur vlerën, për ta deformuar kohën dhe qëndresën e tij, për ta përvetësuar nga fqinjët, për ta damkosur nga një taraf shqip-shkruesish, për ta paraqitur si mbrojtës së krishterimit dhe kundërshtar të islamit, e vërteta për Gjergj Kastriotin, Skënderbeun kurrë nuk mund të zhbëhet as të përvetësohet.

Kthimi i tij në Krujë, në vitin 1443, nuk kishte të bënte me fenë, por me Atdheun e pushtuar, të cilit i doli zot si askush tjetër në Ballkan, apo në Evropën e asaj kohe, që jetonte me tmerr e zi nga invadimi virulent i Perandorisë Osmane. Ai për herë të parë në historinë e principatave, e princërve shqiptarë që ia hanin kokën njëri tjetrit  duke u shërbyer herë Romës, herë  Bizantit e herë Turqisë, edhe pse me mund të madh  arriti t’ i bashkojë dhe arriti ta krijojë bërthamën e fuqishme të rezistencës, për të cilën di Turqia dhe tërë bota.

Qëndresa e tij, përballja e suksesshme kundër Perandorisë, të cilës i kishte shërbyer për shumë vite, por ajo nuk ia kishte realizuar premtimin, strategjia ushtarake e politike, vendosen bërthamën e  Arbërisë, e cila pas vdekjes së tij, më 17 janar 1468, kishte filluar të  quhej edhe Shqipëri, sepse ai kishte luftuar me flamurin që kishte shqiponjën dykrenore në mes. Prej asaj kohe fjala “shqiponjë” prodhoi emrin sinonim kombëtar, shqiptar, me të cilin ata  identifikoheshin për veten e tyre, pavarësisht se të huajt kurrë nuk e njohën as e njohin këtë emër. Ata na kanë quajtur dhe na quajnë në bazë të emrit arbër, nga qyteti Albanoi, Albanopolis, që del i shënuar edhe në hartën e Ptolomeut, qysh në shekullin e dytë.

Gjergj Kastrioti nëpër shekuj u bë burim frymëzimi i rezistencës jo vetëm për arbërorët shqiptarë,  por edhe për të gjithë popujt e Evropës. Nuk ka vend në Evropë ku nuk është shkruar apo nuk është përkthyer të paktën një vepër për të. Personaliteti i Skënderbeut radhitet në mesin e ushtarakëve e strategëve më të njohur të botës.

Skënderbeu në Krujë

Përpjekjet për përvetësimin, apo shkarravitjen e personaliteteve historike, për lakimin e emrave të tyre sipas shijes dhe bindjes politike e ideologjike, përpjekjet për ta paraqitur Gjergj Kastriotin, Skënderbeun, kryqtar, sikur bën, Vilgjil Kule, apo tregtar kuajsh e pelash sikur pretendon, gjermani sllavist, Shmidt, apo turk-vrasës, sikur etiketon ndonjë portal islamist frik i konvertuar, përpjekjet për ta paraqitur si mbrojtës të krishterimit, apo përpjekjet për t’ ia mohuar origjinën shqiptare, sikur bëjnë grekët e serbët, të gjitha këto tok tregojnë një të vërtetë të pa mohueshme, se Skënderbeu ishte dhe po mbetet  personalitet madhor, vështirë i kapshëm, apo i lakueshëm  për të qenë i këtillë apo i  atillë, sipas bindjeve e interesave ideologjike e fetare të individëve,  apo klaneve të caktuara.

Është vështirë të vërtetohet, duke u mbështetur në dokumente reale historike se Ai ishte kryqtar, apo mbrojtës i krishterimit, meqë nuk luftoi për ta mbrojtur varrin e Jezusit në Palestinë, as ndërmori ndonjë ekspeditë për ta rimarrë Konstandinopolisin nga turqit, as pati nevojë të shkojë e ta mbrojë Vatikanin e rrezikuar nga Mehmed Pushtuesi.

Gjergj Kastrioti  ishte dhe gjatë tërë jetës së tij mbeti,  një shqiptar, një gjeneral dhe strateg lufte, i cili mbi të gjitha e deshi Atdheun, tokat e të parëve, njerëzit e fisit, të gjuhës, të gjakut. Atdheu i lirë ishte synimi i tij jetësor, bashkimi i shqiptarëve nën këtë ide ishte jo vetëm synimi, por edhe realizimi i atij synimi për afër 25 vjet.

Si rast i tillë, unik në historinë tonë kombëtare, ideja dhe porositë e tij u rishfaqën  në të gjitha periudhat e Lëvizjeve tona për liri, kundër të huajve  nga Lindja e Perëndimi dhe në këtë segment, Ai mbeti strumbullari i ADN-së kombëtare të shqiptarëve, pa dallim feje, krahine apo ideologjie.

I trajtuar nga turqit si “tradhtar”, atij iu vulos fati për të qenë i ndjekur dhe për ta zbrazur mbi të dhe luftëtarët e tij tërë zemërimin e një Perandorie shumë të fuqishme, që shtrihej gjerë e gjatë mbi tri kontinente.  I trajtuar nga Venediku dhe Vatikani si një rival, që po e rrezikonte dominimin e tyre tregtar  në Shqipëri, ai nuk e mori bekimin e Evropës për së gjalli. Vetëm pas vdekjes, pasi Sulltan Megmedi mbante nën rrethim Vjenën, Romën, Vatikanin e shumë qytete të tjera të Evropës dhe kishte pushtuar krejt Ballkanin dhe Evropën Lindore, bota e krishterë ishte kujtuar për kalorësin e famshëm, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, për të cilin u shkruan sa e sa libra, drama, poezi madje edhe opera.

Emri mysliman, Skënderbe,  nuk iu hoq kurrë nga shkrimtarët evropianë, me qëllim për t’ ia kujtuar edhe 20 vitet në shërbim të Sulltanëve të Turqisë, shërbim të cilin Evropa nuk ia fali as po ia fal, sepse ajo do ta donte një Gjergj Kastriot, si Riçard Zemërluani i famshëm i kryqëzatave, që kishte vrarë e masakruar mijëra myslimanë e hebraikë, gra e fëmijë dhe që nuk ishte vrarë në luftë kundër ushtarëve të  Salaudin Ejubiut, por kishte vulosur jetën në një gjiriz ujërash të zeza, duke ikur nga Palestina. I tillë ishte Zemërluani, por kurrë nuk mund të kishte qenë si Skënderbeu. Ai nuk kishte asnjë synim ta mbronte Evropën as krishterimin, sepse në këtë ide nuk e ndihmoi as Evropa e kohës as edhe fqinjët tanë të dhunshëm, grekët e serbët e asaj kohës.

Evropës së kohës,  kur ishte e rrethuar nga të gjitha anët me çallmat e turqve, luftërat e Gjergj Kastrioti iu shërbenin për frymëzim, për t’ iu dhënë zemër princërve të shumtë, të teleisur  me tituj, dekorata e armë të praruara në ar e serm, por  që iu dridheshin këmbët  para pashallarëve turq, përplot  500 vjet.

Skënderbeu nuk luftoi për çlirimin e Evropës, por për çlirimin dhe bashkimin e shqiptarëve, të cilët nuk e duronin pushtimin, me të cilin aq lehtë u pajtuan sllavët e grekët, që pasi pranuan skllavërinë e përkuljen morën bekimin e Sulltanit, të cilit pastaj  i bënin temena, ia puthnin jo dorën, por këmbët e qyrkun e gjatë, Ashtu më vonë bënë edhe shumë vezirë shqiptarë që luftuan për interesat e Perandorisë, por shumicës së tyre ua prenë kokat, sapo  mësonin se kush ishin dhe kush kishin qenë të parët e tyre.

Skënderbeu qëndroi mes Azisë dhe Evropës, Ai qëndroi vertikalisht, duke i treguar botës në Lindje dhe në Perëndim se derisa nuk vdes ideali për liri, nuk vdes populli, kombi as Atdheu, pavarësisht se me çfarë force do të përballej. Ai e tregoi me vepër, e tregoi me dhjetëra beteja të fituara, në të cilat pati mbështetjen morale të Evropës e të Vatikanit, por jo të ushtarëve e princave trima të Evropës, të cilëve frika nga Turqit iu kishte depërtuar  në palcë të qenies së tyre.

Ajo ndihmë simbolike që i dërgoi Roma, Vatikani apo Venediku, nuk është për t’ u përmendur seriozisht, as për hir të asaj Evropës së djeshme të Gjergj Fishtës, apo kësaj të sotmes të BE-së të Ramës e Thaçit,  sepse ishte një ndihmë po thuajse e papërfillshme.  Kjo dihet botërisht. Janë sa e sa dokumente të kohës, në gjuhën latine e turke,  që flasin për këto relacione, për ato hiq ndihma, në krahasim me nevojat që Ai pati.

Ata që sot marrin turrin, që për hir të integrimit në Evropë ta paraqesin  Gjergj Kastriotin si kryqtar, bëjnë përpjekje për ta kryqëzuar, për së vdekuri,  për t’ i ndarë shqiptarët në pikëpamje feje, për ta paraqitur pjesën shqiptare, islame, si turke e arabe dhe pjesën krishtere si ushtarë të Krishtit, sipas shijes së dikurshme së Papa Inoçentit, që dërgoi drejt vdekjes të tmerrshme, (në dy nga 12 kryqëzatat) 16.000 mijë fëmijë të krishterë  nga vendet e Evropës, prej moshës 12 deri në 16 vjet për ta çliruar varrin e Krishtit, “meqë ata ende nuk kishin rënë në mëkat sikur baballarët e tyre”.

Ata ishin kryqtarët dhe jo Skënderbeu. Ai nuk vrau asnjë fëmijë turk, nuk çnderoi as një femër turke, por luftoi në mbrojtje të fëmijëve, grave e burrave shqiptarë dhe i mbrojti për mrekulli, jo me lutje drejtuar Krishtit, as Muhamedit, jo me hipokrizi e tradhti sikur princat e Evropës, por me trimëri e burrëri si trimat e Arbrit. Ushtarët e tij  jo rastësisht u krahasuan me shqiponjat.

Përpjekjet për ta luhatur nga memoria dhe ndërgjegjja e formuar kombëtare, personalitetin e Skënderbeut, nuk patën as nuk do të kenë sukses. Pseudo historianët, papagajtë e politikave të ditës, mjeranët e analistët e vetëshpallur, të gjithë ata që duan të fërkohen me Skënderbeun, janë djegur dhe do të digjen, sepse dielli nuk mbulohet me shoshë, sepse nuk mund të ndërrohet historia e një kombi për hatër të një politikani të ditës, për hir të Brukselit, as për hir të Stambollit. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është trinia kombëtare shqiptare, është kulti që bashkon Komb, Fe, Gjuhë, Atdhe dhe që nuk trandet dot nga plehrat e mbetjet romane, bizantine, turke, greke, sllave, serbe, bullgare  apo evropiane.

Kontrolloni gjithashtu

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në 8-vjetorin e fillimit të transmetimit të TV-Diellit

Në këtë përvjetor të 8-të, të Televizionit Dielli, reflektojmë me krenari mbi një rrugëtim të …