Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka thënë se kjo lëvizje prej vitit 2010 ka ngulmuar që i vetmi parim i drejtë për të zgjidhur çështjen shqiptaro-serbe është parimi i reciprocitetit, pasi që shqiptarët atje po diskriminohen vazhdimisht nga shteti serb.
“Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të tri komunave të Kosovës Lindore përmes një deklarate pohoi edhe njëherë se shqiptarët në këtë pjesë i nënshtrohen një diskriminimi të vazhdueshëm nga shteti serb. Ata gjithashtu kërkuan që interesat e shqiptarëve të Kosovës Lindore të shtrohen si temë diskutimi në bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Njëkohësisht, me të drejtë ata kërkuan që të njëjta të drejta të cilat iu ofrohen serbëve në veri të Kosovës t’i jepen edhe shqiptarëve në Kosovën Lindore”, ka shkruar Murati.