Gjermania e gatshme për mbështetjen e mëtutjeshme të Republikës së Kosovës, me theks në fushën e arsimit

Gjermania e gatshme për mbështetjen e mëtutjeshme të Republikës së Kosovës me theks në fushën e arsimit

“Shkëmbimi i nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve me institucionet e njohura gjermane është veprim i duhur dhe Qeveria e Kosovës mbështet nisma të tilla, që kanë për qëllim ngritjen e nivelit të arsimit në vend”, kështu tha kryeministri Haradinaj, pasi priti në takim Kerstin Zielosko-Labonte, zyrtare e Lartë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit nga Baden Wurttemberg i Gjermanisë dhe koordinatore e projekteve në fushën e arsimit, Gjermani-Kosovë. Me këtë rast, ai e ka falënderuar Gjermaninë për mbështetjen e gjithanshme që i ka dhënë Kosovës në shtetndërtim, veçmas në fushën e arsimit përmes memorandumeve të bashkëpunimit ndërmjet dyja vendeve, memorandume këto që kanë dhënë rezultate në këmbimin e përvojave dhe njohurive të shumë nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve nga shumë Komuna të Kosovës.

“Nxënësi i Kosovës është edhe i Gjermanisë, është nxënës evropian. Ky është orientimi ynë dhe çdo nismë për të fuqizuar këtë do të përkrahet nga Qeveria e vendit”, ka thënë Haradinaj, duke e falënderuar zonjën Labonte për marrëveshjet e deritashme dhe duke e inkurajuar që të ndodhin edhe të tjera, si ajo mes Education Unlimited dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Kosovë. Ai theksoi nevojën e mëtutjeshme për mbështetjen e Gjermanisë në arsim, shkëmbimin e përvojave, në ngritjen e shkollave profesionale, në mënyrë që nxënësit të jenë të përgatitur për tregun e punës dhe fusha të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit në Kosovë. Ndërkaq, Kerstin Zielosko-Labonte, zyrtare e Lartë nga Ministria e Kulturës dhe Sportit e Baden Wurttemberg, vlerësoi progresin në Kosovë, duke ofruar mbështetjen e mëtutjeshme për Kosovën, me theks në fushën e arsimit, trajnimin e nxënësve, studentëve dhe mësuesve në programe specifike, organizmin e kampingjeve verore për nxënësit dhe të rinjtë në disa komuna të Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Mërgata shqiptare që jeton në Britani të Madhe e pret sot në takim kryeministrin e …