MEMORANDUM I KOMITETIT ANTIFASHIST TË EMIGRANTËVE ÇAMË NË SHQIPËRI – KOMISIONIT HETIMOR TË KËSHILLIT TË SIGURIMIT TË OKB-së RRETH TRAJTIMIT DHE MASAKRAVE NË MINORITETIN SHQIPTAR ÇAM NË GREQI
Ne Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë në Shqipëri, me besim në parimet demokratike dhe humanitare të U.N.O.-s, n’emër të emigrantëve Çamë në Shqipëri, parashtrojmë para Komisionit hetimor të drejtat tona të humbura, shtypjet, persekutimet dhe masakrat që kryen fashistat Grekë për të shfarosur Minoritetin Shqiptar në Greqi. Në vazhdim të protestave dhe kërkesave tona drejtuar Aleatëve të Mëdhenj dhe Kombeve të Bashkuara, ne kërkojmë drejtësi për sa parashtrojmë: Klika shoviniste dhe reaksionare greke prej 32 vjetëve me radhe duke shkelur brutalisht çdo parim njerëzor dhe duke mos përfillur as pak traktet Ndërkombëtare kanë përdorur kundër minoritetit Shqiptar në Greqi një politikë çfarosjeje. Qysh me pushtimin grek në Çamëri më 23 shkurt 1913, banda e Deli Janaqit e shtytur dhe e përkrahur nga autoritetet e vendit masakroi pa më të voglën arsye 72 burra të krahinës Paramithisë në pruan e Selanit. Këto masakra qenë fillimi i çfarosjes së minoritetit Shqiptar dhe zbulojnë orientimin që mori politika greke kundrejt popullatës sonë. Ndjekjet, persekutimet, burgimet, internimet, torturat, plaçkitjet dhe grabitjet në pretekstin e çarmatimit gjatë vjetëve 1914-1921, veprimtaria terroriste e komitaxhinjve, provakacioni më 1921 i Gjeneral Bairas, të gjitha këto e tregojnë realitetin e mjerrimeve në të cilat u vu popullata e jonë në kohën e pushtimit grek. Koska, Lopësi, Varfanji, Karbunari, Kardhiqi, Paramithia, Margëlliçi, Arpica, Grykohori, etj, janë një pjesë e fshatrave që kanë paguar më shtrejtë këtë terror. Më 1922-1923, qeveritarët e Greqisë vendosën të zbatonin shpërnguljen e elementit mosleman të Çamërisë (duke i gjykuar si turq) në shkëmbim me grekërit e Azisë së vogël (duke i gjykuar sipas fesë). Ky akt i turpshëm i qeveritarëve te Athinës u has në rezistencën tonë dhe në ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve, e cila duke njohur kombesine Shqiptare të popullatës sonë hodhi poshtë vendimin e qeverisë Grek. Por megjithë ndërhyrjen e Lidhjes së Kombeve dhe të angazhimeve solemne të marra nga qeveria Greke në Lozanë më 16 janar 1923, prapë njerëzit e Athinës vazhduan politikën e tyre të çfarrosjes. Ata përdorën çdo mjet për të vështirësuar qëndrimin në Çamëri të elementit Shqiptar, çpronsuan qindra familje në 6000 ha tokë pa më të voglin shpërblim si në Dushk, Gumenicë, Kardhiq, Karbunar, etj.
Qeveria e Athinës vendosi emigrantët e Azisë së Vogël në Çamëri me qëllim që ta popullojë me grekë dhe të krijojë mundësin e emigrimit të popullatës autoktone Shqiptare. Familje të tëra detyroheshin të braktisin vatanin për në Turqi, Shqipëri, Amerikë e gjetkë dhe fshatra si Petrovci, Shëndëllinja u braktisën krejt nga banorët Shqipëtarë. Në këto rrethana ne nuk gëzuam asnji të drejtë nacionale dhe na pengoheshin akoma edhe Gjuha amtare; në vend të zhvillimit të kulturës kombetare dhe të përparimit, përkrahet fa natizmi dhe injoranca, në vënd të shkollave hapeshin dhe ndihmoheshin klubet fetare në gjuhën arabe, nderkohe qe 95 % të popullatës sonë qëndrojnë akoma analfabet. Krahina e Çamërisë, një vend i pasur dhe i begatshëm, kishte mbetur mbrapa pa zhvillim ekonomik, pa komunikacion dhe në duart e fajdexhinjëve, akaparatorve si Koqoni, Pitulejt, Kufalla, Zhulla, Ringa, etj., që varfëruan dhe skllavërruan gjithë vendin. Në luftën kundër fashizmit dhe tamam në përfundim të saj forcat reaksionare Monarko-Fashiste të Llakës së Sulit të krijuara nga reaksioni dhe në shërbim te pushtuesit, nën Komandën e Gjeneral Napoleon Zervës, sulmuan dhe masakruan pabesisht banorët Shqiptarë moslemanë të Çamërisë. Në këtë kohë kur trupat e ELAS-it dhe tonat ishin në luftime kundër Gjermanëve, komanda e EOEA në kompromis me Gjermanët operonte për të fituar pozita për luftën vllavrasëse; dhe kur forcat tonat besnike të frymës dhe të vendimeve të marrëveshjes së Kasertës (Sarafis-Zerva) gusht 1924, zbatonin urdhërat e Komandës së përbashkët në ndjekje të Gjermanëve, Gjeneral Napoleon Zerva, komandant i forcave të rezistencës ne Epir (ELAS – EOEA), urdhëronte njikohësisht operacionet dhe masakrat në kurriz të popullatës të pafajshme të Çamërisë.
Masakrat në Çamëri janë një shkelje flagrante e parimeve njerëzore dhe nje mospërfillje e turpshme e parimeve dhe e karakterit të luftës antifashiste. Masakrat në Çamëri u kryen në saje të bashkpunimit dhe marrëveshjeve me Gjermanët, të cilët në tërheqje u lanë vendin forcave Zerviste. Ja një fakt konkret i bashkëpunimit ndërmjet forcave Zerviste dhe të atyre Gjermane: Komandanti Zervist Theodhor Vito, i forcave të krahinës së Filatit, nje ditë para hyrjes së forcave Zerviste në Filat dhe pikërisht më 22 shtator 1944 në katundin Fanaromen, 3 km larg Filiatit, u takua me Komandantin e forcave Gjermane në tërheqje. Mbas këtij takimi shohim që ende pa u larguar mirë forcat Gjermane nga Filati, forcat e Theodhor Vitos hynë në Filat. Kështu një bashkpunim i tillë u siguroj forcave Zerviste krahët duke u dhënë mundësi për të filluar terrorin dhe masakrat në një stil të gjërë në të gjitha krahinat e Çamërisë. Forcat e divizionit X te EOEA nën komandën e Kolonel Vasil Kamarës dhe pikërisht ato të regjimentit XIV të këtij Divizjoni të udhëhequr nga Kranja, me ndihmësa Lefter Strugarit, avokat Stavropullosit, Ballumit, Zotos, kriminelët me damkë Pantazejt, etj., më 27 qershor 1944 hynë në qytetin e Paramithisë. Në kundërshtim me premtimet e dhëna dhe marrëveshjes së bërë midis Myftiut Hasan Abdullaj nga një anë dhe Shapera me Dhespotin e Paramithisë nga ana tjetër si agjenta të Zervës, filluan masakrat më të poshtra. Burra, gra dhe fëmijë të pa mbrojtur qenë objektivi i Monarko-Fashistëve Grekë. Numri i të masakruarve në Qytetin e Paramithis dhe rrethe arrinë në 600 veta. Më 28 korik 1944 forcat e regjimentit 40 nën Komandën e Agores hynë në Parg ku masakruan 52 burra, gra dhe fëmijë. Forcat e EOEA nën komandën e Theodhor Vitos, Ilia Kaços, Hristo Mavrudhit, Hristo Kaços, Hari Dhiamantit ,etj., mbasi rrethuan qytetin e Filiatit më 23 shtator 1944, ditën e Shtunë në mëngjes, hynë në qytet. Po në këtë ditë hynë edhe në Spatar, plaçkitën dhe grabitën të gjitha familjet dhe gjithë ç’ka gjetën. Në mbrëmjen e natës 23 duke u gdhirë 24 shtator 1944, hynë dhe forcat e komanduara nga Kranjaj, Strugari e të tjerë; me arritjen e këtyre forcave filluan menjëherë masakrat. 47 burra, gra dhe fëmijë u masakruan në Filat dhe 157 numërohen të masakruarit të vrarët dhe të humburit në Spatar, ku një pjesë e mirë e tyre ishin grumbulluar nga katundet të tjera. Të gjitha gratë e reja dhe vajzat u keqpërdorën dhe u çnderuan prej kriminelëve të Zervës. Pak ditë më vonë monarko-fashistët grumbulluan të gjithë burrat që kishin mbetur dhe me vendimin e Gjyqit fallco, Koqinja Kryetar, Stavropullos Prokuror dhe katër anëtarë, 47 shqiptarë të pafajshëm u masakruan.