leoni

Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike III

Isuf Bajrami: Çamëria dhe historia e saj tragjike III

Çamëria dhe çamët gjatë Luftës së Dytë Botërore

Por përpara masakrës së korrikut, forcat e EDES-it kishin kryer një valë tjetër masakrash në qershor. Gjithashtu, pas verës pasoi një fushatë tjetër në tetor të vitit 1944 e cila bëri të plotë spastrimin etnik të Çamërisë.

Rezultatet e këtij spastrimi kanë qenë me të vërtetë tragjike. Nga një popullsi prej 35000 vetësh që ishte para luftës mbetën vetëm disa dhjetëra familje. Vetëm në tragjedinë e Filatit dhe të Paramithisë që u zhvillua në qershor dhe tetor të vitit 1944, rezultati ishte: 2000 të vrarë, gra, fëmijë, pleq dhe burra të paarmatosur, të masakruar në mënyrën më çnjerëzore nga bandat zerviste. Në fshatrat e Paramithisë, Gardhitës, Dragomit, Karbunarit, Veliat, Filatit, Galbaqit dhe Spatarit u grabitën 4949000 okë drithë, 2217500 okë tërshërë dhe elb, 361500 okë djathtë, 457700 okë vaj ulliri, 12850 okë gjalpë, 27020 krerë bagëti të imta, 18500 okë duhan, 26800 okë oriz, 37000 okë bajame, 2500-3000 shtëpi të djegura dhe dëme të tjera të pronës që arrinin në 84700 frs.

Një pjesë e mirë e historiografisë greke të pasluftës dhe diplomacia greke gjatë periudhës së luftës së ftohtë, por edhe sot, kanë mbrojtur tezën absurde se populli çam (an blok) ishte bashkëpunëtor i nazistëve dhe fashistëve dhe u largua me ta për në Shqipëri në fund të luftës. Por si qëndron e vërteta ? Është rasti të (konfirmohet) pohohet se në luftën antifashiste popullsia shqiptare e Çamërisë inkuadroi në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë.

Është tashmë e provuar se masakrat dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare të Çamërisë i kreu Zerva, i cili ishte dhe bashkëpunëtor i gjermanëve. Pikërisht këtu mendojmë se duhen rikujtuar disa dokumenta që provojnë bashkëpunimin e tij me gjermanët dhe kështu do të mbetet absurd pretendimi grek se një aleat i gjermanëve ka dëbuar nga trojet etnike një popullsi të tërë pse ishte në bashkëpunim me aleatët e tij.

Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët është i provuar nga dokumentat gjermane si dhe nga shtypi grek i kohës dhe i pasluftës, i cili ka dhënë dhjetëra dëshmi në këtë drejtim. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se “ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun”. Në dokumentin gjerman thuhet: “Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propzimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it ne azhornim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike”. Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, ministrit Nojbaher(Neubacher?). Përgjigja ishte: të vazhdojmë traktativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar… Kjo situatë vazhdoi deri në fillim të korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944 ishin rreth 10000 luftëtarë.

Sipas marrëveshjes me autoritetet gjermane duhej të mbetej e lirë nga ushtria e Zervës një rrip bregdetar prej 10 km. Mirëpo më 3 korrik 1944, trupat e Zervës e pushtuan zonën bregdetare pranë Pargës. Po ashtu, gjatë natës 6-7 korrik filluan në befasi veprimet luftarake të trupave të Zervës kundër reparteve gjermane në perëndim të Artës dhe në rrugët Janinë-Artë dhe Janinë-Gumenicë. Siç shpjegohet në dokument “ndryshimi i qëndrimit të Zervës nga marrëveshja e arritur me gjermanët ndodhi si rezultat i ndërhyrjes së oficerëve të ndërlidhjes aleate, të cilët morën përsipër vetë udhëheqjen e ushtrisë së Zervës. Madje thuhet se edhe urdhrin për sulm kundër gjermanëve e dhanë oficerët ndërlidhës të aleatëve. Nisur nga ngjarje të tilla as edhe gjermanët nuk ishin të qetë për marrëveshjen që nënshkruan. Lajmet e shërbimeve sekrete gjermane konstatonin që në rast zbarkimi të aleatëve, EDES-i do të luftojë kundër gjermanëve, duke iu referuar udhëheqësit të EDES-it papajoanu. Në gusht 1944 forcat zerviste arrinin rreth 21000 vetë.

Në vitin 1947, pavarësisht nga dëshira e amerikanëve, që qeveria greke të mbështetej mbi një koalicion sa më të gjerë, Departamenti i Shtetit shfaqi hapur pakënaqësinë e tij ndaj kandidaturës së Zervës si ministër i Punëve Publike, duke e akuzuar atë hapur si bashkëpunëtor të gjermanëve. Ky qëndrim parimor i Departamentit të Shtetit ishte aq i vendosur saqë ai shkonte deri atje sa të kërcënonte udhëheqësit grekë se, në rast të kundërt, do të tërhiqte misionin ushtarak. Ambasadori amerikan në Athinë Macveagh i deklaroi hapur N. Zervos se si shtypi, ashtu edhe publiku në SHBA në shumicë ka opinionin se ai ka tendenca diktatoriale dhe fashiste që janë në kundërshtim me idealet e demokracisë sonë”. Kështu, atij iu bë e qartë se nuk meritonte besimin si anëtar i ndonjë qeverie që propozohej të bashkëpunonte ngushtë me SHBA. Po kështu, një personalitet tjetër me peshë, Guvernatori Grisuold, duke refuzuar ta priste Zervën, i deklaronte sekretarit të tij të njëjtën gjë, se ekzistonte një opinion i fortë publik, i cili ishte kundër Zervës në ShBA dhe në vendet e tjera si Franca dhe Anglia, të cilat ishin mike të Greqisë dhe se ai e ndjente se për këto arsye në qoftë se Zerva do të bëhej ministër i Rendit Publik, kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe për Greqinë dhe mund të përmbysë punën që po bën Misioni Amerikan për të”. Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke Kouvras më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist të tipit të Mihailloviçit të Jugosllavisë. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë kompromentues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane.

Tezën greke e hedhin poshtë edhe dokumentet diplomatike angleze të kohës, të cilat nuk mund të dyshohen për ndonjë tendencë antigreke, por përkundrazi për tolerancë ndaj aleatëve të tyre dhe në radhë të parë ndaj forcave të së djathtës, të cilat ishin pikëmbështetja e tyre. Kështu, sipas dëshmive të njërit nga zyrtarët e lartë të misionit anglez në Shqipëri, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut pohohet se “Forca 399” kishte përcaktuar deri në 2000 veta që bashkëpunuan “me gjithë zemër me gjermanët”, por ai nuk mohonte faktin që pati edhe rreth 700 veta që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve. Tërheq vëmendjen një fakt se shifra që jep Palmeri, përkon me numrin e të dënuarve nga gjyqi famëkeq i Janinës, i ashtuquajtur “Gjyqi i kolaboracionistëve”, i zhvilluar në vitin 1945-1946, i cili dënoi në mungesë 1930 shqiptarë të Çamërisë. Palmeri, i cili është mbështetur siç e thotë dhe vetë në të dhënat e palës greke e konkretisht të majorit Sarandis, i cili-thotë Palmeri- “pranoi përgjithësisht veprimet e kryera prej grekëve kunër minoritetit shqiptar” hedh paksa dritë edhe mbi një çështje tjetër mjaft të rëndësishme, e cila ka të bëjë me faktin se ç’vend patën gjermanët në genocidin që kryen forcat ultrashoviniste dhe fashiste greke kundër popullsisë shqiptare, të cilin Palmeri, pa u shqetësuar për tragjedinë e dhimbshme të kësaj popullsie, me gjakftohtësi e quan thjesht një “situatë grindjesh”. Ai pohon sidoqoftë, një të vërtetë se ky akt “padyshim ishte i inkurajuar nga gjermanët”. Genocidin zervist për spastrimin etnik në Çamëri e konfirmonte edhe koloneli Monague @oodhouse, ish kryetar i Misionit Anglez në Greqi, i cili thotë se “Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre në 1944… Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë së padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet”. Madje këtë gjenocid ndaj shqiptarëve të Çamërisë e ka pohuar vetë N. Zerva. Në letrën dërguar më 4 gusht 1953, Jani Dani Popovitit e porosiste: “Të marrë përsipër detyrën e sqarimit të bashkëatdhetarëve (grekëve) se kush e pastroi Çamërinë nga shqiptarët”. Këtë fakt e dëshmojnë edhe dokumentat e Komitetit Antifashist Nacionalçlirimtar të refugjatëve çamë në Shqipëri. Në një memorandum të këtij Komiteti dërguar Ministrave të Jashtëm në Moskë i cili u publikua në gazetën “Bashkimi” dhe pastaj edhe në “Pravda”, pohohej se “Para shpartallimit të gjermanëve, monarkistët grekë dhe fashistët, bashkë me Gestapon, sulmuan popullsinë dhe shkaktuan emigrimin e minoritetit shqiptar në territorin e Shqipërisë. Ajtet e autoriteteve greke ishin në kontradiktë të qartë me Kartën e Atlantikut dhe me vendimet e Jaltës dhe të Potsdamit”. Pozitën e gjermanëve lidhur me genocidin e bandave zerviste kundër popullsisë çame e kompromenton më tej një dokument tjetër që vjen nga një ditar i njërit prej nacionalistëve çamë, Rexhep Dino, i cili shpjegon dhe një enigmë tjetër, se si hyri Zerva në Çamëri, kur populli çam ishte i armatosur. Ky dokument provon se Zerva nuk guxonte të hynte në Çamëri, sepse i trembej konfrontimit me popullsinë çame, e cila ishte e vendosur të vetëmbrohej. Prandaj, ai ndërhyri pranë autoriteteve gjermane të pushtimit që ata të bënin çarmatimin e saj dhe ia arriti këtij qëllimi. Çarmatimi i popullsisë u krye nga gjermanët me një urdhër direkt të Hitlerit. Autori i lartpërmendur pohon se gjermanët në këtë rast nuk përfillën as lutjet e nacionalistëve shqiptarë çamë, që kishin besim tek ata për të realizuar aspiratat e tyre, për bashkimin kombëtar. Më pas Zerva hyri në Çamëri dhe kreu krimet monstruoze që tashmë dihen.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …