Në një lagje në skaje të qytezës së Kastriotit, vazhdon të jetojë tradita e çerkezëve, e dukshme dhe plotësisht e integruar në rrjedhat e traditës dhe e fatit tonë njerëzor e kombëtar. Në mënyrë të pakontestueshme, kishim jetesën e përditshme të përbashkët, në mënyrë krejt të pranueshme kishim fatin, ashtu siç ishte, i përbashkët. Kishte kohë, djemtë e vajzat tona qenë bindur për domosdoshmërinë e luftës për çlirim nga një armik i egër që kishte filluar ta humbte çdo lloj arsye. Po, kjo bindje e ky vullnet, nuk do të mjaftonin vetvetiu. Na u deshtë t’i hynim një rrugëtimi për të cilin nuk kishim pasur kurrfarë organizimi dhe asfare logjistike. Po bëheshin nga e para të gjitha, veç bindjes sonë se duhej të çliroheshim dhe se luftën duhet ta bëjmë pa patur shteg tjetër.
Një segment i veçantë i veprimeve të ushtarëve tanë, krahas masivizimit e përballjes në vijat e frontit, qe furnizimi me armë gjë që po bëhej me shumë sakrificë. Në këtë pikë kishte pikasur strategjia e Serbisë duke koncentruar makineri të madhe.
Shumë llogari të tyre i kishim përjetuar keq, ngase, ajo për këtë kishte gjithë mundësinë e potencialin t’i bënte mirë ato llogari të shtypjes së çdo nisme çlirimtare të shqiptarëve. Por, ama, ja që erdh një ditë që shqiptarët po e merrnin vetën edhe si komb edhe si shoqëri me dridhjen e regjimeve autoritare që po u shihej fundi. Të gjitha llogaritë i kishte bërë mirë ky armiku ynë denbabaden, veç njërës: idealin e djemve për çlirim të Kosovës nuk e kishte pasur mundësinë as ta llogariste dhe as t’i kundërvihej. E kush do të mund ta llogariste në gatishmërinë e Abdulla Çerkezit me shumë tjerë që me një pushke t’i kundërvihen tankut?
Abdullahu kishte migruar në Slloveni, një shtet që nuk ndalte së ndihmuari Kosovën për të dal nga zgjedha serbe, migrim ky i përzier edhe me motive ekonomike edhe me ato politike, dhe të tilla ishin, thuaja, për pjesën dërrmuese të migrimeve të rinisë sonë, dhe prej andej, secili i ri, po kthehej në formatin e një çlirimtari.
Biseda e fundit që është zhvilluar mes dëshmorit nga Sllovenia dhe familjes, ka qenë fare e shkurtër:
“Babë, unë kam vendosur që t’i bashkohem luftës. Veç unë,ti e zoti e dimë. Çka po m’thu?
E, po kur burrat vendosin, nuk kthehen mbas – ia kishte kthyer haxhia, me zërin e njeriut të pa lëkundur në besimin se fati i djalit të tij 28 vjeçar do të jetë vetëm ai i cili i është përcaktuar nga krijuesi.
Këta dy, babë e birë, nuk ishin të vetmit që po bënin një përcaktim të tillë përmes telefonit. Lufta e nisur nga disa idealistë, në fillim të viteve të ’90, e vit pas vit po masivizohej duke arritur kulmin në vitet 98/99. Ky vullnetarizëm, tani më nuk ishte vetëm shprehje e rinisë. Drejtë UÇK-së, tanimë, kishte kthyer sytë e gjithë popullata e Kosovës. Ndodhi një vullnetarizëm i pa shoq. Në lidhje me këtë, komandanti i garnizonit të Kuksit dhe ushtari i UÇK-së, gjeneral Kudusi Lama, në librin e tij “Kosova dhe Ushtria Çlirimtare”, nxjerr këtë konstatim: “Vullnetarizmi, si parim bazë i furnizimit të UÇK-së me forcë njerëzore luftarake, ka luajtur një rol të rëndësishëm në besimin e popullit, se kjo ushtri nuk i kishte kapur armët për një aventurë, por për një ideal dhe kush ka në bazë të veprimtarisë së tij idealin, bëhet i pathyeshëm. Asnjë mënyrë tjetër mobilizimi nuk mund të kishte siguruar një dinamizëm të tillë dhe një gatishmëri të tillë për ta dhënë jetën për lirinë e Atdheut.”(Lama K.,2005, faqe 247). Ky vullnet i këtyre përmasave, i djalërisë sonë, kishte arritur edhe në vendet e diasporës shqiptare, e cila, tani, po merrte edhe një barrë tjetër në ndihmë atdheut të tyre. Ky vullnet e ky zë i djalërisë do të arrij edhe në Slloveni dhe nuk po lente të qetë as shpirtin liridashës të çlirimtarit Avdulla Çerkezi. Diaspora jona e kohës, po jepte provimin e dytë. Me dekada kishte qenë burim kryesor që po mbante popullatën e lodhur deri në palcë të Kosovës, e tash, në vitet e mobilizimit të përgjithshëm për luftë, u shndërrua në shtyllë jetike edhe për zhvillimin e luftës: kush me qenien e vetë, e plotë të tjerë me mbushje të thesit që po furnizonte aktivitetet çlirimtare.
Paradoksalisht ky armiku ynë denbabaden, kishte llogaritur se me segregacion të plotë të çdo gjëje që tingëllonte shqip dhe se me dëbimin e rinisë jashtë do të arrinte objektivat, por ata, larguar nga ky terror sistematik, nuk po asimiloheshin e treteshin në vendet e perëndimit, ashtu siç e dëshironte planifikuesi, porse po motivoheshin, po forcoheshin e po ngritnin idealin çlirimtar deri në piedestal për t’i dalë krah atdheut.
Të tilla qenë shumë figura të ndritura të luftës sonë, e tillë është edhe figura e dëshmor Abdulla Çerkezit.
Ditën e 18 korrikut të vitit 1998, duke kaluar nga Tropoja për në Kosovë, grupi prej rreth 400 ushtarësh dhe të përcjellë me armatimin e shumtë të ngarkuar në rreth 100 kuaj, luftëtarët ndeshen me forcat e armikut dhe në luftim e sipër, Abdullahu bie, për të mos vdekur kurrë, në altarin e lirisë bashkë me 7 ushtarë të tjerë. Mënyra e rënies është e njëjtë, si ajo e Luan Haradinajt më 6 maj të viti 1997, ashtu edhe ajo e ditës së 14 dhjetorit të 1998 kur Mujë Krasniqi bie me 36 fultëtarë të tij, dhe në vazhdimësi e me dhjetëra herë. Armiku po ndërtonte prita dhe po qëllonte i fshehur, në mënyrën tipike të tij-tinëzare.
Rabit Aliu, bashkëluftëtari i dëshmorit, mbanë shumë kujtime nga shoqërimi me të që nga Tirana, Tropoja e deri në rënien e tij natën kur u ndeshën përballë forcave serbe. Ne të ardhurit nga Gjermania ishim më të përgatitur dhe kisha dy palë çizme ushtarake me vete. Pas dy javëve shoqërimi me të, doja që t’ia jepja njërën palë, e ai, i mori, natyrisht, por vetëm kur u vërtetua se nuk po më dhimbseshin, vetëm kur ia bëra hallall-kujton sot komandant Presheva, një luftëtar i ndjekur edhe sot e kësaj dite për bëmat e tij luftarake kundër Serbisë.
Kalimet kufitare mes zonave të Shqipërisë administrative dhe Kosovës, do të jenë arena të shumë luftimeve të ashpra e të pandërprera deri në mbarim të luftës. Nga këto luftime do mbesin me dhjetëra e dhjetëra të vrarë e të varrosur në vendet ku vazhdonin të mbeteshin vatra të luftimeve. Në atë kohë, sipas një gjysmë informacioni, drejt zonave të përfshira në luftë qe nisur vëlla Nuhiu, por pa sukses. Vetëm me mbarimin e luftës do të gjendej trupi i dëshmorit në varrezat e Gjakovës dhe me organizim ushtarak dhe të veprimtarëve lokal do të bëhej rivarrimi i trupit të dëshmorit.
Është domethënëse për gjeneratat e reja dhe për secilin që do të mësojë si e bëmë luftën vija e përshkruar e dëshmor Abdullahut: I biri i Adem Çerkezit nga Obiliqi, student i xehetarisë në Mitrovicë, me punë në Slloveni, i mobilizuar në Tiranë e i përgatitur në Tropojë, bie heroikisht në kufirin shqiptar-shqiptar, do të ndalet për të pushuar pak në Gjakovë, që më pas të prehet përjetësisht në Prishtinë.
(Ma.Sc. Miftar Mehani)