Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama dhe koloneli Jeton Dreshaj, që nga data 16.07.2018, po qëndrojnë për një vizitë zyrtare në Qeverinë Federale të Gjermanisë. Ai dhe komandanti i FSK-së gjeneral Rama, gjatë vizitës në Qeverinë e Gjermanisë kanë realizuar takime të përbashkëta ku kanë biseduar për zhvillimet dhe arritjet e përgjithshme të FSK-së, avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe për planet për avancim dhe bashkëpunim në të ardhmen. Gjatë takimeve të përbashkëta, zyrtarët e lartë të Qeverisë Gjermane kanë konfirmuar mbështetjen për FSK-në dhe Kosovën, duke përkrahur zhvillimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve të Kosovës për siguri me qellim të thellimit të bashkëpunimit me Gjermaninë dhe NATO-n, në këtë aspekt.
Delegacioni i Ministrisë për Forcën e Sigurisë të Kosovës (MFSK) është pritur nga sekretari i shtetit z. Thomas Silberhorn, zëvendësministër në Ministrinë Federale të Mbrojtjes, kurse dje delegacioni i MFSK-së është pritur nga znj. Betinna Cadenbach, drejtoreshë për Politikat e Sigurisë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe drejtori për Planifikim në Ministrinë e Mbrojtjes, gjenerali Erhard Bühler Delegacioni ka vizituar edhe Departamentin për Bashkëpunim Ndërkombëtar.
Gjatë takimeve në Qeverinë e Gjermanisë delegacioni i MFSK-së bisedoi me mikpritësit për avancimin dhe thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të Kosovës dhe Gjermanisë dhe në këtë kuadër edhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës me Ushtrinë e Gjermanisë.