Tri këngë tipike të hakmarrjes, në tri rastet hakmarrje për vrasjen e dy vëllezërve II
Në folklorin tonë të begatshëm me ngjarje e motive ndër më të ndryshmet do të ndalemi te disa raste të tragjedive familjare, të cilat kanë shënuar kulmet e ndodhive homerike dhe që kanë arritur deri në ditët tona. Thjesht, hakmarrja ishte e justifikuar si e drejtë për mbrojtje “ dy duar për një kokë”, gjaku është i njëjtë si për të mirin ashtu edhe për të keqin, kokë për kokë, sepse dukjen e ka falur Zoti, pasi del i keqi prej të mirit dhe i miri prej të keqit”. ( Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933, f. 85). Mbi këtë postulat, mbi këtë përcaktim të së drejtës autentike ka mbijetuar ligji shqiptar, shpeshherë i atakuar pa të drejtë, duke mos e parë si fenomen të kohës e hapësirës gjatë shekujve të robërisë, apo thënë konkretisht gjatë robërisë 20 shekullore, Romë, Bizant, Turqi, Serbi, Greqi, Itali Gjermani, RSFJ Jugosllavi, Serbi…
Tragjeditë familjare janë po aq të vjetra sa edhe familja dhe instinkti i lindur i njeriut për ta ruajtur veten, qenien e tij, familjen e shoqërinë, është instinkt që ka mbijetuar jo vetëm te shqiptarët por te të gjithë popujt dhe gjatë të gjitha qytetërimeve.
Kënga e Selman Litës
Tragjedia familjare e Selman Litës, këngë e shënuar në shekullin 19-të paraqet një tragjedi ndër më të rëndat të kujtesës sonë popullore.
Personazhi kryesor është babai, Selman Lita, të cilit cubat ia vrasin dy bijtë, natën që ata duhej të hynin në gjerdek. Gjëma ishte marrë vesh me të arritur nuset në familjet e burrave. Duke u kacafytur me cubat, të cilët u kishin rrëmbyer bagëtinë në stane, ata vrasin dy dhëndurët dhe dy nuset mbesin para dilemave ekzistenciale. Ta ruajnë nderin e dhembjen e kryefamiljarit, i cili pos humbje së dy bijve po humbiste edhe dy nuset, apo të sakrifikonin rininë e tyre, duke pritur të rriteshin dy vëllezërit e vegjël të burrave, e pastaj të martoheshin me ta. Nuset vendosin të mos e rëndojnë edhe më tej tragjedinë familjare të vjehrrit, por të solidarizohen me qëllim të mbijetojnë të gjithë së bashku. Në këtë këngë tragjike, e cila këndohet përmes dhembjes e vetëpërmbajtjes së këngëtarit, hakmarrja e Selman Litës për bijtë nuk është preokupimi kryesor, madje nuk është as dytësor, sepse hakmarrja nuk kishte si mos të ndodhte dhe ajo ndodh po në atë ditë nga krushq e dasmorë, por preokupimi kryesor ishte veprimi i nuseve për ta shëruar sado pak tragjedinë dhe për të vazhduar jetën në familjen, e cila në ditën e gëzimit më të madh, ishte ballafaquar me një tragjedi të papritur me humbjen e dy burrave që po martoheshin, me qëllim për të ngritur familjet e tyre.
Kënga e Musë Tahirit
Një tragjedi tjetër familjare na sjellë në kujtesë, kënga e Musë Tahirit, të cilit ia vrasin po ashtu dy bijtë e vetëm. Personazhi i kësaj kënge, plak dhe i mbetur vetëm me plakën e tij kërkon nga autoritetet turke të kohës që të ndajnë drejtësi për dy bijtë e tij të vrarë pa hak. Por Qehaja (prokurori) nuk e merr fare seriozisht ankesën e plakut, mbase edhe i korruptuar nga vrasësit, të cilët jo vetëm që nuk e përfillnin plakun dhe nuk i kishin kërkuar as besë, sipas Kanunit të Lekës, por gjatë kalimit afër derës së tij ata ishin krekosur me mospërfillje madje edhe kishin kënduar, për t’ i treguar se nuk e “bënin hesap” dhe nuk kishte çka të bënte, pos të pajtohej me fatin e lig të duronte dhe ta pranonte humbjen e bijve. Duke qenë se Musë Tahiri kishte shpenzuar durimin e tij, i sigurt se pushteti nuk do të ndante drejtësi, një ditë, u zë pritë vrasësve të bijve, të cilët i kalonin afër shtëpisë pa e ndalur këngën. Ai së bashku me plakën u del para dhe i vret dy vrasësit, plaka ia kishte ofruar municionin gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Kënga e Hasimes
Një këngë tipike e hakmarrjes që ka motiv nëpërkëmbjen e nderit të një familjeje të varfër, së cilës vrastari, ia vret po kështu dy meshkuj, dy vëllezërit e vetëm, është edhe kënga e Hasime Mirashit, e cila pasi nuk mendonte se nuk mund të hakmerrej, pranon të martohet me një kaçak plak, dyzet vjet më i vjetër, në këmbim të hakmarrjes për vëllezërit. Pasi kupton se kaçaku e kishte tradhtuar dhe në vend se të hakmerrej, ai kishte pranuar pajtimin ndërsa së bashku me dajën e Hasimes kishte marrë edhe lirat, ajo sipas traditës, vesh rrobat e vëllait të vogël dhe një ditë troket në derë të vrasësit, të cilin e vret në derën e shëtisë së tij. Ajo dënohet nga regjimi i Krajlit, për vrasjen e vrasësit të vëllezërve, ndërsa gjatë vuajtjes së dënimit me burgun e Nishit, në Serbi, vret edhe një gardian, i cili kishte bërë përpjekje ta dhunonte në qelinë e burgut.
Këto tri këngë tragjike janë shënuar në tri treva të Shqipërisë. E para, kënga e Selman Litës është shënuar në Lumë, e dyta, kënga e Musë Tahirit është shënuar në Gjakovë, e treta, kënga e Hasimes është shënuar në rrethin e Ferizajt. Në të tri rastet, në kushte dhe rrethana të caktuara vriten nga dy vëllezër. Në rastin e parë, kryefamiljari merr hakun e dy bijve, në rastin e dytë dy pleq të shtyrë në moshë marrin hak për dy bijtë e tyre, në rastin e tretë motra e mbetur kërcure, merr hak për dy vëllezërit. E përbashkëta e tri këngëve është hakmarrja, jo vetëm si satisfaksion moral dokesor, por në radhë të parë si kundërpërgjigje, meqë goditje e cubave, vrastarë është mizore, krim me paramendim, krimin me pasoja të rënda, ndërsa hakmarrja është shpagim, në mungesë të ligjit e të drejtësisë. Vetëm në këtë mënyrë shqiptari i nëpërkëmbur kishte arritur të mbijetonte, pa gjetur asnjë rrugëdalje tjetër, por duke dhënë shembuj konkret se “gjaku është i njëjtë si për të mirin ashtu edhe për të keqin, kokë për kokë, sepse dukjen e ka falur Zoti, pasi del i keqi prej të mirit dhe i miri prej të keqit”. (Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër, 1933, f. 85).