Në historinë serbe, veprimtaria kriminale e Kosta Peçancit kundër shqiptarëve paraqitet si luftë kundër turqve e arnautëve për gjoja çlirim nga Perandoria Osmane. Realisht ai ishte një bandit i rekrutuar nga Serbia, e cila e mbështeste fuqishëm, por para autoriteteve turke e trajtonte si çetnik, i cili vepronte me një numër banditësh dhe për veprimet e tij nuk jepte llogari.
Faktet që sjellë historia serbe për Kosta Peçancin, nuk mohojnë se ai kishte lindur në Deçan të Kosovës. Nuk mohojnë po ashtu se ai dinte dhe e fliste shqipen po aq mirë sa edhe serbishten. Popullata serbe e mbetur në Kosovë, qysh nga mesjeta dhe që identifikohej si “raja” fliste dy gjuhët, shqip serbisht dhe ishte laramane në pikëpamje fetare. Kishte edhe jo pak shqiptarë ortodoksë, të cilët tinës frekuentonin kishat dhe mbanin lidhje të fshehta. Për të mos rënë në sy që bashkëpunonin me çetnikët serbë, ata visheshin me rroba shqiptare dhe duke qenë se e zotëronin mirë edhe gjuhën, çdo kund trajtoheshin të tillë.
Duke qenë se në lidhje me këtë krye-çetnik shqiptarë-vrasës, është lakuar për të keq emri i kryekomandantit të luftëtarëve popullore të Drenicës e mbarë Kosovës, Azem Galica, duhet të sqarojmë se ai bashkëpunim në tekstet e “Historinë e Serbisë”, megjithatë është trajtuar me kujdes, pavarësisht qëndrimit zyrtar të kishte Serbia kundër Azem Galicës.
Ja si përshkruhet bashkëpunimi i Kosta Peçanacit me Azem Galicën në një tekst të historisë së popullit serb.
“Në të njëjtën kohë, në zonat e banuara nga shqiptarët, kapiteni, Azem Galica siguroi rezistencë të armatosur kundër pushtuesve. Ai me disa qindra luftëtarë të armatosur kishin detyruar të dorëzohej një regjiment austriak ndërmjet Mitrovicës dhe Pejës, në vjeshtë të vitit 1918. Pak kohë më vonë, aty kishte arritur dhe Kosta Peçanac dhe ishin pajtuar që më 12 tetor të vitit 1918 së bashku të sulmojnë dhe ta çlirojnë Pejën nga ushtria e Austro-Hungarisë. Pas kthimit të ushtrisë serbe, nuk u arrit asnjë marrëveshje me shqiptarët e Azem Galicës, ndërsa Peçanaci iku për në Serbi”…
Po kështu në këtë tekst të Historisë së Serbisë (Istorija srpskog naroda, knjiga 6, tom 2, SKZ 1983) thuhet se “Midis dy luftërave botërore, Kosta Pecanac ishte personi më me ndikim në organizatën çetnike. Autoritetet e Beogradit kishin organizuar çetën e udhëhequr nga Kosta Peçanaci, Miliç Krstiqi, Jovan Babunski, Vasil Trbiçi, dhe të tjerët, të cilat kanë ushtruar dhunë kriminale vrasje, grabitje e plaçkitje në Kosovë kundër popullatës shqiptare. Përdorimi shtetëror i çetnikëve u zbatua në kontekstin e programit të shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova, për në Turqi dhe kolonizimin e Kosovës me serbë. Gjatë zgjedhjeve të vitit 1938, pati vrasje e gjakderdhje në rajonin e Vushtrrisë. Në komunën e Gojbulës, një rreshter i xhandarmërisë vrau katër votues të cilët publikisht refuzuan të votojnë për kandidatin e qeverisë, Mojse Sretenoviq. Kur situata u përkeqësua, kreu i xhandarmërisë Branko Jarakoviç hodhi dy bomba në mesin e popullatës nga të cilët u vranë rreth 30 prej tyre. Në vendin e masakrës Qeveria e Beogradit dërgoi menjëherë, Kosta Peçancin në krye të çetnikëve, edhe pse pjesa tjetër e popullatës duke përfshirë edhe kandidatin parlamentar, Sherif Voca, ikën në pyll. Në atë rast, vëllai i Vocës, Et-hemi, u zhduk, ndërsa shumë të tjerë u rrahën.
( Istorija srpskog naroda, knjiga 6, tom 2, SKZ 1983).
Nga ky fragment i “Historisë së popullit serb” kuptohet fare mirë se nuk kishte kurrfarë miqësie mes Azem Galicës e Kosta Peçancit, meqë forcat shqiptare: “kishin detyruar të dorëzohej një regjiment austriak ndërmjet Mitrovicës dhe Pejës, në vjeshtë të vitit 1918”. Peçanaci me banditët e tij kishte qenë më tepër vëzhgues dhe përnjëherë kishte ikur për në Serbi, ndërsa Azem Galica me trimat e tij kishte luftuar si Austro-Hungarinë ashtu edhe regjimin serb të Pashiqit.
Sa i përket pushtimit të Austrohungarisë, mendimet e historianëve shqiptarë janë të ndara. Austro-Hungaria, e cila asokohe ishte buzë katastrofës, në Shqipëri mbështeste vetëm elementin katolik shqiptar dhe jo shumicën dërrmuese shqiptare me besim islam. Ishte pikërisht konsullata e Austro-Hungarisë, në Podgoricë, e cila kishte qitur në pritë të ushtrisë të Malit të Zi, Isa Boletinin me trimat e tij, më 23 janar 1916.
Ja si e ka paraqitur këngëtari popullor vrasjen Isa Beletinit, për të cilën ai e fajësonte konsullatën e Austrisë në Podgoricë, e cila paraprakisht i kishte siguruar se do ta merrte në mbrojtje atë dhe trimat e tij.
Kral Nikolla po ma rrehka telin,
Kongjallozit po ia çon haberin,
– Me ma zanë Isa Begun,
– Krejt Avropa ia kanë pa sherrin.
Konxhallozi ja ka rrehë telin,
Kral Nikollës ja çon haberin,
– Ta kam zanë, Isa Begun,
– Ta kam zanë e ta kam mashtrue
– N’ Pogoricë Isën ta kam çue,
Podgoricë Isa ka dalë,
Në Podgoricë Isa ka dalë.
Veshoviqi po i thotë do fjalë,
– Gjenerali m’ ka çue me t’ falë,
– Hiqi armët, Isë, i kam dy fjalë.
– Gjeneral, mos t’ kofsha falë!,
– Para mbretit në sylah jam dalë,
– Edhe sylahin ja kam marrë.
– Para kralit në Cetinë jam dalë
– Unë sylahun ja kam falë.
Kërcet pushka në Pazar,
Në Pazar e në qarshi,
Rrept po qet Isa allti,
Po i ndihmojnë do djem të ri,
Dur kadale i ka thanë atij,
Kurrë kësi shqiptari nuk kem pa me sy.
– Ta njefsha të ligën oj Austri,
– shumë uzdajë kam pasë në ty,
– se kam ditë që po don me m’ gri
Austria po ban seri,
Zot shka asht ky nam beteri,
Podgoricën e mbuloi jezeri,
Po lufton ai Isa begu,
Mbet dëshmor, Isa, vet i teti,
Vet i teti dëshmorë ka mbetë,
Ka vra shki njëzet e tetë,
Kral Nikolla po ban medet,
Ma faroi asqerin krejt.