Ahmet Qeriqi

A.Q: Deputetët, që votojnë për varfërimin e popullit, nuk janë deputetë por satrapë dhe parazitë të rrezikshëm

Dy lajmet e fundit që kanë të bëjnë me pasurimin e paligjshëm të mujsharëve politikë e ekonomikë,  dhe përpjekjet për ta rikthyer plaçkitjen e qytetarëve në emër të RTK-së, duke i detyruar ata që këtë taksë ta inkasojnë me faturat e energjisë elektrike, janë dy përpjekje më shumë për ta plaçkitur popullin në emër të ligjit dhe për t’ua mundësuar të pasurve të pasurohen si të duan dhe kurrë të mos japin llogari për pasurimin e tyre të jashtëligjshëm. Krejt kjo është në akord me programin e Qeverisë, e cila kërkon pasurim të jashtëligjshëm me dyfishimin apo trefishimin e pagave, duke formuar  një Qeveri që do të mbahet mend si “Kabineti më i pasur e vendit më të varfër të Evropës”.

Dje, më 21 qershor 2018, deputetët e shumicës në Komisionin e Legjislacionit nuk e kanë përkrahur në parim Projektligjin për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, sepse konsiderojnë  se me këtë ligj përmbyset sistemi i drejtësisë dhe e kthen vendin në mesjetë (!). Projektligji mori katër vota për, pesë kundër dhe një abstenim. Deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur të rrezikshme iniciativën e Lëvizjes Vetëvendosje, për shqyrtimin vërtetimin e pasurisë së pa ligjshme, meqë sipas tij  kjo po e përmbyska  sistemin e drejtësisë, qysh në të Drejtën Romake, kur qenkan vendosur bazat e drejtësisë. Edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kundërshtuar këtë nismë, duke thënë se kjo e kthen vendin në mesjetë dhe mjet për pushtetarët që t’i godasin gjithmonë ata që nuk janë në pushtet. Ndërsa, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i ka vlerësuar kundër kushtetuese disa nene të projektligjit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Edhe deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka kundërshtuar këtë projektligj.

Kryetarja e Komisionit të Legjislacionit Albulena Haxhiu, ka arsyetuar nismën Projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme. Ajo ka shpjeguar se duke pasur parasysh edhe dështimin e organit të ndjekjes që të hetojë zyrtarë të lartë, të konfiskojë pasuritë e tyre. Ne kemi menduar që mënyra më e mirë për të adresuar këtë çështje është përmes ligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme. Pra, objekti që trajtohet këtu është pasuria e pajustifikueshme ose e paligjshme, dhe jo domosdo personi, ka saktësuar deputetja, Haxhiu. 

Pse deputetët, madje edhe ata që e quajnë veten të majtë, votojnë kundër këtij projektligji, i cili nuk kërkon më shume se sa hulumtimin për pasurimin e paligjshëm, për atë pasuri, të cilën pronari nuk arrin ta arsyetojë me dokumente e me të dhëna relevante.

Votimi kundër këtij projektligji, tregon krejt hapur se deputetët, shumica syresh, janë pasuruar jashtëligjshëm, kanë prona dhe pasuri të cilën nuk mund ta dëshmojnë ligjërisht dhe është e natyrshme që ata të vihen në mbrojtje të njëri-tjetrit, sepse ky është edhe qëllimi primar i tyre, ta ruajnë dhe ta shtojnë pasurinë, ta pamundësojnë çdo projektligj që prek interesat e tyre.

Arsyetimi i tyre i mjerë dhe arrogant se një nismë e tillë po e përmbyska sistemin e drejtësisë, se po e kthyeka  vendin në Mesjetë, është arsyetimi më banal, më përbuzës dhe më i shpifur që mund ta bëjë një deputet, aq më tepër një deputet, që rrah gjoks për socialdemokraci, barazi e mirëqenie të popullit.

Shumica e deputetëve, krejt hapur kanë votuar për ta mbrojtur pasurimin e paligjshëm të shfrytëzuesve dhe plaçkitësve të djersës së popullit, vetëm për faktin se një ligj i tillë i prek edhe ata.

Ja cili është morali njerëzor e politik i maskotave të tilla që rrahin gjoks se i ka zgjedhur populli dhe ata mbrojnë interesat e tij. Më e keqja është se këta mendojnë se populli është trutharë nuk i kupton këto lojëra të tyre hipokrite e djallëzore, sepse popullin e mendojnë si turmë pa tru e pa krye, ashtë sikur shprehej, Nikolla Pashiqi në kohën e tij, (“Narode moj stoko moja”), Populli im kafsha ime!

Po kështu deputetët e popullit do të votojnë edhe kthimin e ligjit plaçkitës për qytetarët e Kosovës, në mënyrë që ata përmes faturave të rrymës të paguajnë  një taksë mujore për RTK-në, duke i mundësuar përfitime kolosale KEDS-it dhe vetë RTK-së ku deputetët, kryeministri, kryetari, kryekuvendari dhe shumica e ministrave i kanë zënë me punë të vetët, gratë, bijtë e bijat, të afërmit e të njohurit.

Në këtë RTK, që quhet publike,  por që është qind për qind politike, janë të zënë me punë qindra veta, të cilët edhe ashtu paguhen me paratë e buxhetit të Kosovës. RTK-së pavarësisht se, sipas ligjit për mediet  nuk i lejohet të marrë pjesë në tregun e reklamave, ajo një pjesë të madhe të fitimeve i realizon edhe nga marketingu.

Projektligjin e ri për RTK-në, të cilin Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media e ka përcjellë të mërkurën në Qeveri, parasheh  dy forma të financimit, si dhe mënyra të tjera të përfitimeve e zhvatjes përmes marketingut dhe shërbimeve të tjera. Ky projektligj kërkon  që buxheti për këtë televizion të rritet afro 85 për qind. Përmes parapagimit prej 2 euro e gjysmë në muaj parashihet të grumbullohen rreth 14 milionë euro, nga buxheti i shtetit mbi 8 milionë euro, si dhe 2.5 milionë euro nga marketingu. Televizioni publik, i cili është akuzuar disa herë nga shoqëria civile dhe partitë opozitare për njëanshmëri, lidhje me pushtetin dhe për keqmenaxhim, do të ketë buxhet rreth 25 milionë  euro në vit, apo 11 milionë më shumë sesa ka me ligjin aktual, meqë në këtë ndërmarrje prfitabile punojnë bijtë dhe bijat e zyrtarëve më të lartë të shtetit, Qeverisë, Kuvendit e institucioneve të tjera. Këtë nuk mund ta pengojë Qeveria që dyfishon e trefishon pagat për vete dhe as ka vullnet ta stopojë, sepse RTK-ja është e grave, bijave, motrave  dhe vëllezërve të tyre, është medium qeveritar dhe kurrsesi i pavarur dhe aq më pak në shërbim të publikut.

Se cili është programi që iu ofron qytetarëve ky medium kjo dihet: informata e lajme të Qeverisë, të partive në pushtet, filma, pornografi, manikenizëm, modë ditore, pispillosje, ndragie, paraqitje gjysmë-lakuriq, mungesë të perceptimit realist të problemeve të mprehta, me të cilat ballafaqohet shoqëria, anashkalim me qëllim i të gjitha kundërthënieve politike, shoqërore, morale, ekonomike me të cilat ballafaqohet vendi. Ky medium blen programe të klaneve profitabile, edhe pse do të duhej të ndodhte e kundërta, por të kishte një vijë të qartë e të përcaktuar programore.

Ky medium qeveritar nuk arrin dot shikueshmërinë e disa TV-ve të tjera, të klaneve të politikës, të cilat fshihen pas kompanive tregtare dhe mujsharëve që mbajnë nën kontroll monopolin e përfitimeve, në mënyrat më perfide, duke u lidhur me magnatët medialë të Serbisë dhe vendeve të tjera, por assesi me ato të Shqipërisë.

Deputetët parazitë, të cilët në shumë raste as marrin pjesë në seanca, por vetëm japin nënshkrimin për ta arsyetuar praninë në Kuvend dhe pastaj pa u ulur fare në ulësen vakante largohen me fodullëk dhe arrogancë, nuk mund të quhen të përgjegjshëm, nuk mund të quhen të arsimuar e të edukuar njerëzisht e kombëtarisht, sepse nuk kanë kulturë e përgjegjësi për punë, nuk kanë mirësjelljeje njerëzore.

Jo pak prej tyre kanë gjuhë të ndragur e rrugaçe, jo pak prej tyre janë gjysmanalfabetë dhe nuk flasin dot në gjuhën letrare, jo pak prej tyre përdorin fjalor hajnash e harbutësh.

Këta deputetë, jo të gjithë, (ka mjaft përjashtime), fryhen si gjeldeca, por në kohën e luftës në Kosovës u kishte rrëshqitur nën këmbë toka e Kosovës dhe ia kishin mbathur për të shpëtuar prapanicat e tyre, kush nga kishte mundur, Tani kur Kosova është çliruar nga barbaria serbe, ata tregohen trima të çartur, shajnë, fyejnë, tregojnë muskujt, grushtohen, jo për popullin, por për partitë e tyre, për ta mbajtur sa më gjatë pushtetin, për t’u pasuruar sa më shumë mbi kurriz të këtij populli të mjerë e të nakatosur keq si nga mujsharët e banditët e së kaluarës ashtu edhe nga këta të vetët, që i kanë hipur në kurriz dhe nuk i zbresin, po nuk i zbritëm. Mjerisht, këta,  me veprimet e tyre aq shumë na kanë ndarë e përçarë, sa tani  nuk dihet më  se  i kemi “krijuar” vetë këta, apo këta na kanë “krijuar” neve.

Kosova ka nevojë të shkundet nga letargjia, dhuna, plaçkitja, mujsharia, shfrytëzimi, grabitja, krimi e monstruozitete të tjera  që po ia varrosin ardhmërinë.  Nëse vazhdojmë të presim shpëtim nga këta, të sigurt e kemi vetëm anarkinë, kaosin dhe përmbytjen…

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …