Shumica dërrmuese e medieve në Kosovë emrat e njerëzve të popujve të botës, nuk i shqipërojnë, nuk i lexojnë sipas rregullave të drejtshkrimit shqip, por sipas trajtave amerikane, italiane apo franceze. Përderisa emri e mbiemri: Madeleine Albright, shqiptohet, Medlin Olbrajt, emrat me prejardhje arabe, në shumë medie lexohen sipas drejtshkrimit të anglishtës, p.sh. Mohammed Morsi, nuk shqiptohet trajta arabe në origjinal, Muhamad Mursi, por trajta angleze. Emri i qytetit Haleb, në Siri në shqip Halep, në mediet tona shkruhet e shqiptohet trajta italiane, Alepo.
E veçanta e shqiptimit të emrave me prejardhje arabe, persiane është se shkronja “u” shkruhet dhe shqiptohet “o”, edhe pse gjuha arabe nuk e ka këtë shkronjë në mesin e zanoreve. Ajo ka vetëm tri zanore, e-i-u. Të gjithë emrat arabë e persianë, në shumë medie shqiptare lexohen sipas anglishtes dhe jo sipas drejtshkrimit të shqipes. Emri që u bë i popullarizuar ditëve të fundit, Kasem Sylejmani, shkruhet në trajtën angleze Qassem Soleimani, në shumë raste edhe shqiptohet gabimisht, si Qazim Solimani.
Po kështu ndodh edhe me emrat anglezë me prejardhje italiane. Micele Risi shkruhet Micele Risi, madje në disa raste shqiptohet si Majkel Risi.
Mënyra e shkrimit dhe e shqiptimit të emrave të huaj është mjaft mirë e definuar në rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe, por mjerisht gazetarët e disa medieve e portaleve përgjithësisht, jo vetëm që nuk e konsultojnë, “Fjalorin e Drejtshkrimit” por nuk e dinë se a ekziston fare dhe as u duhet për fare, sepse krejt çka dinë ata është ta afishojnë lajmin me copy past, pa çarë kokën as për burimin, as për gabimet e mundshme, të cilat me shpejtësi “vërshojnë” nga media në medie e në portale.
Deformimi me apo pa qëllim i gjuhës, në radhë të parë kupton mungesë të respektit dhe të dashurisë për gjuhën, mungesë përgjegjësie, mungesën e arsimimit në shkolla e në fakultete. Deformimi i fjalëve, zëvendësimi i trajtave të mirëfillta të gjuhës shqipe me ato angleze e franceze si eveniment, apo event kulturor në vend të fjalës, ngjarje kulturore, pastaj “tentativë”, fjalë italiane, që shqip përkthehet, “përpjekje“, president- për kryetar, kryeparlamentar- për kryekuvendar, ose përkthimet nga serbishtja: Idemo ma izbore -shkojmë në zgjedhje, në vend se të shkruhet të organizojmë zgjedhje, të mbajmë zgjedhje, janë vetëm disa nga deformimet me qëllim të gjuhës për çdo ditë në medie e në portale, ku më shumë e ku më pak.
Kosova ka të miratuara një mori ligjesh pozitive, por nuk ka ligj për mbrojtjen e gjuhës dhe do të duhej ta kishte, sepse këtë ligj e kanë të gjithë popujt e qytetëruar e të arsimuar të botës.
II
Disa gazetarë dhe krijues gjysmakë janë ata të cilët ngarendin pas fjalëve dhe shprehjeve të huaja, me qëllim për ta mbuluar paditurinë e tyre, apo me qëllim për të na bindur se disponojnë kulturë të gjerë, se shkruajnë e flasin shumë gjuhë, ( edhe pse shqipen e shkruajnë dhe e flasin si mos më keq), se gjuha shqipe qenka e varfër dhe nuk i plotësuaka perceptimet e tyre, se përdormi i fjalëve të huaja qenka modë kudo në botë, etj. Është për keqardhje që redaksi të ndryshme të medieve elektronike dhe të shkruara nuk i kushtojnë kujdes gjuhës dhe si pa të keq lejojnë bastardimin e gjuhës shqipe, e cila sipas dijetarëve të shumtë të botës është gjuha më e vjetër në Evropë, gjuhë që ka ruajtur tërë sistemin fonetik të tingujve të të gjitha gjuhëve indoevropiane.
Ta marrim për shembur fjalën “dizajn” desing. Kjo fjalë në kuptimin e përgjithshëm aktual përdorët në zëvendësim të fjalës “zbukurim”, e cila i përket artit figurativ, të cilit disa gazetarë “modern” i thonë art pamor, art që i referohet pamjes, syrit. Sipas kësaj shpikjeje adhamudhiane, artit të muzikës u dashka të quhet art “veshor”, sepse i dedikohet veshit, apo sepse mund të shijohet vetëm përmes veshit, jo përmes syrit.
Fjala dyzen, tani dizajn me kohë është zhvilluar edhe në gjuhën turke, si dyzen, “dyzeni i nuses”, fjalë e cila përdorët edhe në gjuhën shqipe. Në fjalorin e gjuhës shqipe, fjala dyzen shpjegohet si akord, vënia në dyzen e instrumenteve. E vuri në dyzen, e akordoi një vegël muzikore. (Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, Prishtinë 1981, f. 397). Në frazeologjinë popullore thuhet edhe: “I ka qitë punët në dyzen. I kanë punët në dyzen”.
Kjo fjalë, ka kohë që po përdorët edhe në gjuhën e politikës, si dizajnim i Qeverisë, i ministrive, pra zbukurimi i tyre, etj.
Kuptimi i vërtetë i fjalës “dizajn”, me të gjitha derivatet e saj nga gjuha angleze, nuk i përshtatet fare akordit të telave të instrumenteve, sikur shpjegon fjalori i gjuhës shqipe. Me dizajn nënkuptojmë zbukurimin, dizajni i një ambienti, i një vepre, i një reviste apo broshure. Ata që e kanë përdorur për herë të parë këtë fjalë, me siguri se e kanë kopjuar nga një gjuhë e huaj, edhe nëse fjala ka qenë e shënuar me thonjëza, për ta vënë në spikamë kuptimin e caktuar të saj.
Me sintagmën “dizajnimi i Qeverisë”, apo “ri dizajnimi i Qeverisë” nënkuptohet plotësimi, ndërrimi i ministrave, apo zëvendësimi i tyre. Sa është e logjikshme të thuhet zbukurimi i Qeverisë? Mbase edhe ka një dozë realiteti, në kohën kur po bëhen përpjekje, që ministrat e zonjat ministre (ministresha) të zgjidhen në postet qeveritare, në radhë të parë duke marrë para sysh pamjen e jashtme, sharmin, moshën e re, sjelljen manekine, etj, por kuptimi themelor i fjalës nuk ka të bëjë me këtë segment, në segmentin e “dizajnit” të tyre të jashtëm.
Fjala shqipe, “dyzen”, mbase me prejardhje turke, nëse nuk kemi të bëjmë me një koincidencë në shkrim dhe shqiptim, përmbush deri diku kuptimin e fjalës akord. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, fjala akord, për veç kuptimit në muzikë, ka edhe kuptimin dytësor, që nënkupton një marrëveshje që bëhet me dikë për të kryer një punë… ( Po aty… f 17).
Nga do ta studiojmë fjalën dizajn, del se ajo nuk i përshtatet as përafërsisht terminologjisë politike, në perceptimin e fenomenit që pretendohet se e mbulon gjuhësisht kjo fjalë e huaj. Në vend të sintagmës, “dizajnim i Qeverisë”, do të ishte shumë më me vend të përdoreshin sintagmat analoge: “plotësim i kabinetit qeveritar”, kur është fjala për plotësim, zëvendësim i anëtarëve të kabinetit, kur bëhet fjalë për lëvizje të tilla, apo “ndërrim në kabinetin qeveritar”, kur bëhet fjalë për ndërrime të kësaj natyre.
Eveniment !
Krahas shumë fjalëve të huaja që kanë vërshuar në përdorim në medie dhe portale, është edhe fjala frënge, “eveniment”, që do të thotë ngjarje, ndodhi. Në vend se të thuhet, “një ngjarje e shënuar kulturore”, kemi formulimin “një eveniment i shënuar kulturor”. Madje kjo fjalë e gjuhës frënge, edhe pse shkruhet “eveniment” ajo shqiptohet pa rrokjen e fundit. Realisht do të duhej të shqiptohej se “evenima”, njëjtë sikur Reno nga Renault, ( tip veturash)etj.
Është për të ardhur keq që fjalën “eveniment” e sollën në gjuhën shqipe letrarët, intelektualët, ata që e njohin dhe që do të duhej të kishin shumë më tepër respekt për gjuhën shqipe, gjuhën në të cilën shkruajnë e lexojnë.
Art pamor !
Në Kosovën e pas luftës, një gazetar, një “anonimus” që pretendonte të bëhej purist apo pastrues i gjuhës, në shkrimet e tij kishte përdorur sintagmën, “arti pamor”, në vend të artit figurativ.
Fjala pamor e prezantuar në fjalorin e gjuhën shqipe, ka të bëjë me organin e të parit, (syrit), si:
nervi pamor,
organi pamor,
kujtesë pamore,
përfytyrim pamor.
aparat pamor,
dëshmitar pamor.
Askund në fjalonin e gjuhë sonë nuk është evidentuar arti figurativ, si art pamor.
Po në fjalorin e gjuhës shqipe jepen shpjegime të hollësishme për artin në përgjithësi dhe llojet e kësaj veprimtarie krijuese.
Arti dramatik, skenik, teatral, artet e bukura, emër i përbashkët për pikturën, skulpturën dhe arkitekturën. Artet figurative, emërtim i përbashkët për pikturën, grafikën dhe skulpturën.
(Po aty… faqe 55).
Po të lejohen purizma të tilla, “adhamudhiane”, do të duhej të kishim edhe artin veshor, që i dedikohet veshit, apo artin synor, që i dedikohet syrit, artin pamor që i dedikohet krejt asaj që shohim me sy, në natyrë dhe në gjithësi dhe që nuk është të thënë të jetë art, vetëm sepse e shohim me sy, sepse syri është organ për të parë, jo vetëm artin figurativ, por tërë atë që mund të shihet me anë të këtij “aparati”.
Gazetarët dhe krijuesit gjysmakë janë ata të cilët ngarendin pas fjalëve dhe shprehjeve të huaja, me qëllim për ta mbuluar paditurinë e tyre, apo me qëllim për të na bindur se disponojnë kulturë të gjerë, se shkruajnë e flasin shumë gjuhë, ( edhe pse shqipen e shkruajnë dhe e flasin si mos më keq), se gjuha shqipe qenka e varfër dhe nuk i plotësuaka perceptimet e tyre, se përdormi i fjalëve të huaja qenka modë kudo në botë, etj.
Është për keqardhje që redaksi të ndryshme të medieve elektronike dhe të shkruara nuk i kushtojnë kujdes gjuhës dhe si pa të keq lejojnë bastardimin e gjuhës sonë, e cila sipas albanologëve dhe dijetarëve të shumtë të botës është gjuha më e vjetër në Evropë, gjuhë që ka ruajtur tërë sistemin fonetik të tingujve të të gjitha gjuhëve indoevropiane.