A. Q. EULEX-i shkel ligjet në emër të “sundimit” të ligjit

 

A. Q. EULEX-i shkel ligjet në emër të “sundimit” të ligjit


 


Ndërhyrja dhe bastisjet virulente e spektakulare të Policisë së misionit të BE-së, EULEX në MTPT edhe njëherë nxorën në sipërfaqe qëndrimin antishqiptar të këtij misioni, i cili po bën përpjekje ta rikthejë sundimin dhe një pjesë të sovranitet të Serbisë në Kosovë. Duke e shpallur veten si mision të “pa-anshëm”, duke nënshkruar sa e sa protokolle bashkëpunimi me Serbinë, në dëm të shtetit të Kosovës dhe duke injoruar Qeverinë, duke mos pranuar pavarësinë e Kosovës, duke ndjekur penalisht vetëm ish luftëtarët e UÇK-së, mbështetur në dosjet e regjimit kriminal të Milosheviqit, duke ndjekur liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, duke ndërhyrë pa asnjë paralajmërim paraprak në Ministrinë e MTPT-së dhe në pronat private të vëllezërve Limaj, duke bërë edhe sa e sa paudhësi e ligësi të tjera, misioni EULEX në Kosovë na përkujton kohën jo të largët të një segmenti të regjimit pushtues të Beogradit.>>>


Qarqe të caktuara antishqiptare të këtij misioni, po bëjnë përpjekje t’ i lajnë “mëkatet” e qeverive të tyre ndaj Serbisë, me rastin e intervenimit të NATO-s në vitin 1999 dhe ta devalvojnë sa më shumë  qëndrimin amerikan e anglez sa i përket pavarësisë së Kosovës.


BE-ja nuk ka qëndrim unik për pavarësinë e Kosovës, andaj edhe janë rritur divergjencat në radhët e këtij unioni globalist, ka thënë për BBC-në, Komisari Evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle. Pesë vendet  e BE-së, të cilat nuk e kanë pranuar statusin e Kosovës kanë më shumë ndikim për ta mbajtur peng statusin e vendit tonë sesa 22 vendet e tjera anëtare të cilat, si duket vetëm deklarativisht e kanë pranuar pavarësinë e vendit tonë, mbase edhe nën presionin diplomatik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.


Sulmi i fundit i EULEX-it drejtuar kundër Qeverisë së Kosovës, ishte një sulm tipik policor, me qëllim për të demonstruar forcë dhe me qëllim për t’ iu treguar shqiptarëve të Kosovës, se institucionet e tyre nuk kanë kurrfarë kompetencash. Madje, këto institucione nuk mund t’i mbrojë as Policia e Kosovës, e cila sipas ligjeve ekzistuese ndërkombëtare do të duhej të mbronte institucionet në të gjitha rastet dhe nga kushdo, që do të ndërhynte pa paralajmërim.


Mllefi i EULEX-it kundër ministrit të MTPT-së, Fatmir Limaj dhe përgjithësisht kundër krahut të luftës çlirimtare, është i njëjtë me mllefin e Policisë së Serbisë, të Policisë së UNMIK-ut e cila, Fatmir Limajn  e kishte burgosur dhe e kishte dërguar në Hagë si “kriminel lufte” nga ku ai, në mungesë të fakteve, u lirua dhe u shpall i pafajshëm.


Ky zemërim kundër Limajt u trash sidomos me nënshkrimin e marrëveshjes mes MTPT-së dhe kompanisë amerikane të ndërtimit  të rrugëve, “Bektel Enka”, marrëveshje kjo e cila anashkaloi  kompanitë evropiane, në të cilat mund të ketë pasur burimet e tij të  përfitimeve edhe ndonjë nga zyrtarët e lartë të EULEX-it.


Zemërimin dhe helmin e tyre kundër ministrit Limaj e kanë nxjerrë në sipërfaqe edhe OJQ-të e shumta,  shtypi i Surroit, “inepristët” dhe të gjithë ata që kundërshtuan devijimin e rrugës së Autostradës, e cila parashihet të shtrihet edhe mbi një pjesë të territorit të Llapushës dhe të Drenicës. Disa medie dhe portale  në gjuhën shqipe  vazhdojnë ta “bombardojnë” Qeverinë e Kosovës, e cila sipas tyre nuk ka qenë dashur të lejojë që Autostrada të devijojë nga projekti paraprak. Një “kumbari” idiotike me EULEX-in në këtë drejtim kanë treguar edhe shumë nga liderët e opozitës, të cilët të etur për pushtet, po demonstrojnë se po të iu jepej mundësia  do të mund të vepronin ashtu sikur kanë vepruar Esat Pashë Toptani e Ahmet Zogu në kohën e tyre.


Pavarësisht simpatisë apo antipatisë që kanë qytetarët e Kosovës kundër Fatmir Limajt, puna e tij në sektorin të cilin e drejton është e dukshme, e prekshme dhe e pashme në çdo cep të Kosovës, ndërsa paragjykimet se kush ka fituar më shumë nga tenderet, gjithmonë do të jenë paragjykime derisa të dëshmohet e vërteta.


Sulmi kundër Limajt nuk është bërë për verifikimin e tenderëve, as për të hulumtuar korrupsionin, sepse korrupsioni ka mundur të hetohet në mënyrë ligjore dhe në bashkëpunim me të gjitha organet relevante, e jo me ndërhyrje brutale policore dhe linçim kundër institucioneve të vendit. Veprimi i tillë është ndërmarrë me qëllim për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës, për ta diskredituar atë para opinionit vendor dhe ndërkombëtar, Qeveri kjo e cila aktualisht ka kurs pro amerikan dhe më pak evropian.


Pavarësisht shpresave që ka opozita, e ashtuquajtura shoqëri e OJQ-ve dhe mediet e Veton Surroit në  veprimet e EULEX-it kundër Qeverisë së Kosovës, duket se Qeveria më në fund e ka kuptuar se duket ta luajë rolin e një shteti. Më në fund kryeministri, Hashim Thaçi ka deklaruar për RTK-në  se Qeveria e Kosovës nuk ka qenë në dijeni në lidhje me aksionin e bastisjes spektakulare të  Policisë EULEX-it në Ministrinë e Transportit, një javë më parë. Duke folur për  qëndrimin e ministrit, Fatmir Limaj, Thaçi ka nënvizuar se qëndrimi i tij  është  edhe qëndrim zyrtar i ekzekutivit të Kosovës. Qeveria e Kosovës nuk është e informuar zyrtarisht nëse është gjetur diçka jashtëligjore nga bastisja e MTPT-së dhe shtëpitë e vëllezërve,  Limaj. Thaçi ka deklaruar me këtë rast se në të ardhmen nuk do të lejojë që të linçohen zyrtarët e kabinetit të tij. Po ashtu kundër veprimeve policore të EULEX-it ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cila ka nënvizuar se bastisja e Ministrisë së Transportit ishte spektakël, aksion joprofesional, ndërhyrje politike dhe tendencë për denigrimin e institucioneve. Deklaratat e Pieter Feithit ishin të mbushura me politikë. Pavarësisht motiveve, imazhi ynë është dëmtuar. Kërkojmë nga EULEX’i që të ofrojë fakte dhe dëshmi. E vërteta duhet të dihet shpejt. Kjo çështje nuk guxon të zvarritet…


Duhet ta pranojmë edhe fatin se Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjëherë qëndrim të prerë dhe të fortë sa i përket misionit EULEX. Edhe pse dihet botërisht se nuk kanë ekzistuar asnjëherë raporte miqësore, mirëpo për politesë mbase edhe nga frika e “linçimeve” Qeveria ka bërë një varg lëshimesh në veprimet antishqiptare të EULEX-it, sa i përket gjykatave në veri, doganave dhe arrestimeve të luftëtarëve të lirisë sipas dosjeve të kohës së regjimit të Milosheviqit. Ajo nuk e ka marrë në mbrojtje Albin Kurtin, edhe pse dihet mirëfilli se ai nuk është fajtor për vrasjen e dy protestuesve shqiptarë nga policët rumunë të UNMIK-ut, më 10 shkurt të vitit 2007, me fatin se ka organizuar një protestë, ku kanë marrë pjesë jo vetëm aktivistët e Lëvizjes, por dhjetëra mijëra qytetarë liridashës të Kosovës.


Gëzon fakti se më në fund Qeveria u identifikua me qëndrimin zyrtar të Fatmir Limajt dhe paralajmëroi se tani e tutje nuk do të lejojë të përdhunohen e të poshtërohen institucionet e Kosovës.


EULEX-i nuk e ka besimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës. Ai e ka besimin e një krahu të OJQ-ve, të dy tre liderëve të opozitës, të një klani të gazetarëve me prejardhje titiste rankoviqiste, e ka simpatinë e serbëve, të Kishës politike të Serbisë dhe përgjithësisht të qarqeve antishqiptare.


EULEXi me verpime të tilla e ka fituar urrejtjne e të gjithë luftëtarëve të lirisë, të invalidëve, të veteranëve të familjeve të dëshmorëve dhe qytetarëve liridashës të vendit.


Veprimet e EULEX-it tani e tutje do të hasin si sharra në gozhdë dhe ky mision e gangsterëve të Evropës do ta përmbyll misionin me turp, ose do të detyrohet të largohet nga Kosova me presionin e popullatës liridashëse e sakrifikuese për çliririmin e vendit nga robëria.


EULEX-i nuk mund të na bind se do ta vendos “sundimin” e ligjit, derisa vetë e shkel atë me të dyja këmbët. Nuk vendoset ligji duke dhunuar institucionet e ndërtuara nga zgjedhjet valide të shumicës së popullatës së Kosovës. Nuk mund të luftohen trafiqet e pista nga policët trafikantë sikur janë pjesëtarët e EULEX-it. Me shembuj të tillë, ky mision, po tregon se nuk është i aftë, as ka fare kredibilitet për të kryer detyra me nder dhe besueshmëri. Andaj edhe mos dëgjesa qytetare ndaj këtij misioni, së shpejti  duhet të arrijë shkallën më të lartë, ashtu sikur është arritur edhe ndaj misionit të UNMIK-ut.


Është koha që nga Kosova të largohen në gjitha mbeturinat e gangsterëve, që na përkujtojnë kohën e regjimit okupator, në të kundërtën duhet të përgatitemi për t’ i larguar, ashtu sikur gjatë shekujve i kemi larguar sunduesit e ndryshëm të Lindjes dhe të Perëndimit.

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …