A.Q: Fjala e mbajtur në Tryezën reaguese kundër Dik Martit, më 10 janar, në shkollën fillore “Skënderbeu” në Reçak të Shtimës

 


Jemi tubuar sot këtu për ta shprehur kundërshtimin tonë lidhur me gënjeshtrat, shpifjet dhe sulmet e dy raportuesve të AP të Këshillit të Evropës, Dik Marti dhe Zhan Sharl Gardeto.


Meqë kjo tryezë e organizuar nga shoqatat e luftës së UÇK-së është paraparë dhe po mbahet në Reçak, gjithë kjo ka një domethënie të veçantë, për shkak se këtu, më 15 janar të vitit 1999, serbët kanë kryer njërin prej krimeve më të shëmtuara të luftës, kundër shqiptarëve. Ata kanë përdhosur edhe trupat e të masakruarve dhe përmes mjekoligjorëve të vet e disa të huaj, kanë konstatuar se asnjë prej viktimave nuk ka qenë i masakruar dhe se shumica e tyre kanë qenë ushtarë të UÇK-së. Jo pak qarqe në Evropë i kanë besuar dhe ende sot i besojnë versionit serb, andaj nuk është për t’ u habitur përse një Dik Marti dhe një Gardeto apo edhe shumë sish logjikojnë njëjtë me Beogradin. Tekefundit ne nuk mund t’ ia zgjedhim miqtë Serbisë.>>>


 


Unë personalisht nuk hidhërohem në Dik Martin, aq më pak në Bashkimin Evropian dhe as në Serbinë e Tadiqit. Sepse ky është një bosht, që heq rrënjë nga e kaluara e qarqeve antishqiptare të Evropës, sidomos prej kohës së Kongresit të Berlinit të vitit 1878, pastaj Konferencës së ambasadorëve, në Londër, të Vitit 1913, Versajës së vitit 1918, dhe Rambujesë së vitit 1999. Në të gjitha këto konferenca çështja shqiptare është injoruar dhe është sakatuar. Bën pak dallim, Konferenca e Rambujesë, ku për herë të parë ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e shqiptarëve, madje edhe delegacioni i UÇK-së dhe ku për fatin tonë historik, Serbia nuk e nënshkroi Marrëveshjen dhe kjo mundësoi intervenimin e NATO-s.


 


 


Mua më habit një fakt tjetër, dhe në fjalën time do të ndalem në këtë segment, për të shfletuar disa fragmente  nga një kronologjie e gjatë, që ka të bëjë me këtë tematikë.


 


E kaluara e gjatë e popullit tonë nën robëri ka bërë që një pjesë e shqiptarëve, në të gjitha kthesat kyçe të historisë, të jetë  gjendur në taborin e të huajve. Këta shqiptarë, i kemi quajtur shqipfolës, kolaboracionistë, tradhtarë, bastardë, ashtu sikur quhen kudo në botë. Për këtë qëndrim jemi kritikuar ashpër jo vetëm nga  zyrtarët e UNMIK-ut e të EULEX-it por edhe nga zyrtarët tanë. Këta shqipfolës kanë qenë dhe kanë mbetur hallkat e zeza, në të cilat janë mbështetur raportet e Dik Martëve të djeshëm dhe të sotëm. Këta janë ata, të cilët me deklaratat e tyre të rreme, me ofrimin e informatave të pavërteta  dhe bashkëpunimin e ngushtë  me hetuesit ndërkombëtarë, natyrisht me qëllim përfitimi, kanë përsëritur sa e sa herë gënjeshtrat, në mënyrë që ato të tingëllojnë si të vërteta.


 


Çfarë jehone kundër Kosovës pati botimi i shkrimit të Veton Surroit: Fashizmi në Kosovë, turpi i shqiptarëve, në gusht të vitit 1999?


 


Dy-tre muaj pas mbarimit të luftës, Veton Surroi, asokohe zyrtar i lartë i Kosovës ka botuar shkrimin me titull “Viktima e viktimave”, në disa gazeta është botuar me titullin, “Fashizmi në Kosovë, turpi i shqiptarëve”, ku ai shkruan për vrasjen e disa  serbëve të mbetur në vend dhe izolimin e tyre, për shkak se, sipas Veton Surroit, ata nuk guxonin të dilnin për të blerë në treg, meqë nuk dinin shqip dhe po të flisnin serbisht do të vriteshin në vend. Veprime të izoluara të njerëzve të papërgjegjshëm, edhe mund të ketë pasur, mirëpo Vetoni  me lehtësi i quan veprime fashiste duke i barazuar me krimet e Milosheviqit. Aq larg shkon Vetoni në Shkrimin e tij sa shkruan se i vjen turp që është shqiptar, për shkak se sipas tij shqiptarët  kishin vrarë disa dhjetëra serbë. Ato vrasje  të izoluara janë dënuar nga shumica shqiptare, por duke qenë se nuk janë zbuluar autorët, rastet kanë mbetur të dyshuara, por të paragjykuara nga Veton Surroi. Ju që keni kujtesë të mirë e dini se sa pasoja kishte shkaktuar ai artikull, të cilin e kishte demaskuar edhe  Ismail Kadare në librin, “Ra ky mort e u pamë”. Surroi ishte ndër shqiptarët e parë në Kosovë që bëri përpjekje për relativizmin  e krimeve, madje duke bërë edhe një hap më tej, dhe duke i akuzuar shqiptarët për veprime fashiste. Ky shkrim antishqiptar i Veton Surroi u përkthye dhe u botua në shumë gjuhë të botës. ( Shkrimin e plotë mund ta lexoni në fund te këtij artikulli).


 


Pikërisht duke u mbështetur në deklaratat e njerëzve të vet, të besuar, në bazë të të dhënave të shërbimit sekret serb, ministria e Drejtësisë së Serbisë e kohës së Milosheviqit ka hartuar të ashtuquajturën dosje K, ku janë inskenuar dosjet, për sikur thuhet krime lufte, kundër 158 eprorëve dhe ushtarëve të UÇK-së. Kjo dosje ndodhet e afishuar në internet qysh prej vitit 2000 dhe deri tanë është përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës, edhe në gjuhën shqipe. Nga gënjeshtrat e sajuara në atë dosje, në të cilën është mbështetur policia dhe gjykatësit e UNMIK-ut dhe ku mbështeten edhe sot prokurorët  e EULEX-it janë ngritur padi dhe janë dënuar shumë shqiptarë liridashës, janë nën hetime qindra të tjerë, vetëm sepse kanë qenë pjesëtar të UÇK-së dhe natyrisht se gjatë luftës kanë vrarë kundërshtarët dhe armiqtë e tyre në frontet e luftës. Ramush Haradinaj, në dosjen e regjimit serb, ku mbështetet Tribunali i Hagës, akuzohet veç tjerash, sepse me 24 mars të vitit 1998 ka vrarë afër oborrit të shtëpisë së tij, në Gllogjan,  një polic serb, i cili kishte sulmuar me armë zjarri dhe kishte djegur shtëpitë dhe i cili vriste e torturonte shqiptarë të kësaj ane.


 


“Shtëpia e ashtuquajtur e verdhë” në  Gurrë të Burrelit është inskenim dhe pjellë e zezë e  shërbimit sekret serb, mbështetur në të dhënat e disa bashkëpunëtorëve shqipfolës në shërbim të Serbisë, disa dezertorëve të UÇK-së,  një segment i strukturave hetimore brenda LDK-së, që ka vepruar në këtë drejtim, qysh gjatë kohës së luftës e sidomos pas luftës,  pastaj, gazetarët e BIRN-it, veçmas, Jeta Xharra,  e cila e ka aktualizuar këtë gënjeshtër sa e sa herë në medie, sipas porosisë së rrjetit të cilin i shërben,


disa gazetarë të Tiranës, si  Altin Raxhimi, Vladimir Karaj e të tjerë.


Një shërbim të veçantë  përhapjes së këtyre gënjeshtrave i  kanë bërë: Koha Ditore, Gazeta Ekspress, Bota Sot, Zëri dhe disa gazeta në Shqipëri, të cilat kanë qenë dhe janë të gatshme, që në faqet e para të editojnë lajme me gënjeshtra të tilla, duke iu dhënë hapësirë jashtë standardit, sepse çuditërisht përsëritja e shpeshtë e gënjeshtrave e bën të veten, deshëm apo nuk deshëm.


Nga prokurorët gazetarët dhe politikanët e huaj, që janë marrë shumë me këto gënjeshtra janë: ish kryeprokurorja e Tribunalit të Hagës, Carla del Ponte, në bashkëpunim me Beogradin, kishte pranuar të merrej me këtë gënjeshtër të kurdisur, pasi ishte përzënë nga Tribunali, për shkak se i kishte zhdukur dosjet, që flisnin për implikimin e regjimit të Milosheviqit në Masakrën e Srebernicës, krimet  e luftës dhe gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kroaci. Me punë të tilla të pista është marre edhe Helena Ranta,  Dick Marti,  Michael Montgomeri, një gazetar anglez, pro serb, i cili me rastin e rënies heroike të jasharëve më 5.6 dhe 7 mars të vitit 1998, kishte botuar një shkrim fyes e poshtërues për të rënët.


Këtyre shpifjeve  e akuzave ditë  më parë iu ka bashkuar  edhe Zhan Sharl Gardeto i Monakos, i cili flet për eliminimin e dëshmitarëve nga shqiptarët duke përmendur konkretisht Sadik dhe Vesel Muriqin nga Peja, të cilët janë gjallë dhe jetojnë me familjet e tyre.


Sajimi i kësaj gënjeshtre është bërë me nismën e regjimit serb të kohës së Milosheviqit, me qëllim për të fshehur krimet dhe zhdukjen e provave, sikur është rasti i zhdukjes së mijëra trupave të shqiptarëve të kidnapuar gjatë kohës së luftës në Kosovë, të masakruar e më pastaj të hedhur nëpër lumenj, dhe të varrosur në shumë humbëtira dhe humnera në Serbi, veçmas në shkritoren e Maçkaticës, ku regjimi kriminal serb, pasi u kishte marrë organet, kishte  djegur qindra trupa, me qëllim për të humbur gjurmët, meqë varrimi i trupave të tillë, do të zbulohej me rastin e rivarrimit.


Dosja “Shtëpia e verdhë” është instruktuar për të fshehur mizoritë e kryera nga regjimi kriminal serb në Maçkaticë në stilin serb, t’ i them sa nuk më ka thënë. Djegien e kufomave të shqiptarëve, duke u mbështetur në shumë të dhëna e kanë iniciuar gjashtë OJQ në Serbi, por janë detyruar ta heshtin, me urdhër nga lartë.  Dosjen “Maçkatica”, me të cilën nuk merret Tribunali  Hagës as Këshilli i Evropës, madje as organet e drejtësisë së Kosovës e kanë denoncuar:  Vesna Peshiq, Sonja Biserko, gazetari Sasha Stojkoviq e të tjerë.


 


Kanë deklaruar kundër  instruktimit të “Shtëpisë së Verdhë”: Bernard Kushner, kryeadminstratori i parë i Kosovës, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari serb për “Shtëpinë e verdhë” ka ironizuar pyetjen  e tillë duke kërkuar nga gazetari të vizitohet në psikiatri.


 


Zëdhënësi i UNMIK-ut, Russell Geekie, ka thënë se dosja e hetimeve të Burrelit, që i është dorëzuar Prokurorisë në Beograd dhe EULEX-it, nuk përmban asgjë të re. “Kjo dosje ka të bëjë me hetimet e bëra nga Tribunali i Hagës në vitin 2004, të cilat i kishte mbështetur UNMIK-u, duke ofruar ndihmë, p.sh. në mjekësinë ligjore. Siç e dini Gjykata e Hagës në atë kohë nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për të vazhduar hetimet”.


 


Ish-Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Nekibe Kelmendi ka thënë asokohe se “Tri herë janë bërë hetimet dhe kanë dhënë rezultate negative për Serbinë e pozitive për ne. Hetimet kanë treguar se nuk ka ekzistuar një dhunë e tillë.


 


Ka reaguar me të dhëna relevante edhe KMDLNJ në Kosovë.


 


Zëdhënësja e misionit EULEX, Kristina Herodes, ka deklaruar se edhe pse  hetuesit e këtij misioni kanë zhvilluar hetime, ata nuk kanë gjetur asnjë të dhënë që të sugjerojë se në të ashtuquajturën “shtëpia e verdhë”, në Shqipëri janë kryer operacione kirurgjike me qëllim heqjen dhe trafikimin e organeve njerëzore, sikur pretendon raportuesi i Këshillit të Evropës, Dik Marti.


 


 


Mjeku serb, Zoran Stankoviq ka theksuar se akuzat e tilla janë të paqëndrueshme. Eksperti i mjekësisë ligjore, iu ka deklaruar medieve të Serbisë se për të bërë diçka të tillë, sikur pretendon dhe akuzon Dik Marti, duhet një grup specialistësh i përbërë nga të paktën 50 vetë.



Ofensiva diplomatike e Serbisë kundër Kosovës, e pranuam apo jo është në përparësi të plotë kundrejt diplomacisë sonë të gjymtë, e cila në mënyrë komode mbështetet te miqtë ndërkombëtarë dhe në të drejtën e luftës së UÇK-së, pa bërë as edhe një përpjekje faktike, për ta dëshmuar, për ta  argumentuar  dhe për ta mbrojtur me çdo kusht dhe me çdo çmim  të drejtën e kësaj lufte.


“Shtëpia e verdhë” është inskenim me qëllim të barazimit të viktimës me xhelatin dhe fshehjes së trupave të rreth 1800 shqiptarëve, të kidnapuar nga forcat policore dhe ushtarake serbe, gjatë vitit 1999, të cilëve shteti i Serbisë ua ka humbur gjurmët. Derisa nuk gjenden eshtrat e këtyre të zhdukurve me plot të drejtë dyshohet se atyre u janë marrë organet, pastaj, po për këtë qëllim edhe  janë zhdukur trupat. Serbia gjatë luftës në Kosovë ka pasur  mundësi logjistike për të bërë transplante, të cilat i ka bërë qysh prej vitit 1970, ndërsa Shqipëria transplantin e parë të veshkave e ka bërë në vitin 2009.


Sulmi, i një segmenti proserb në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, është drejtuar në radhë të parë kundër kreut të luftës së UÇK-së, të PDK-së dhe të Qeverisë së Kosovës, për qëllime të tejdukshme, të cilat i kanë komentuar Tadiqi e Jeremiqi. Krijimi i një fronti  unik të të gjitha partive politike  të vendit kundër PDK-së dhe  Qeverisë së Kosovës, në këto rrethana dëmton rëndë interesin kombëtar dhe rrezikon stabilitetin në vend.


Skenari ka qenë dhe mbetet skenar i Serbisë, i përgatitur  me kohë dhe i kurdisur, për të shpërthyer pikërisht tani,  në kohën e krizës institucionale, degradimit të zgjedhjeve nga opozita dhe paralajmërimit për të mos krijuar koalicion me PDK-në.


Ky skenar nuk  demaskohet dot  me tryeza si këto, edhe pse kjo e ka një efekt,  as me deklarata publike, as me lejen  që iu bën hetimeve shteti i Shqipërisë edhe pse Tribunali i Hagës nuk ka kompetenca për të zhvilluar hetime në Shqipëri.


Ky skenar i rrezikshëm, të cilin e ka sajuar dhe po e realizon pikë për pikë Serbia me qëllim të dobësimit të pozicionit të palës shqiptare në bisedime, duhet të diskreditohet me injorimin e bisedimeve dhe kushtëzimin e tyre me pranimin paraprak të shtetit të Kosovës nga Beogradi zyrtar. Nëse nuk ndodh kështu, Serbia do ta realizojë përmes diplomacisë, një pjesë të synimeve, që i ka humbur në luftë kundër UÇK-së dhe NATO-s. Realisht ato synime Serbia edhe i ka realizuar në veriun e Kosovës, por tani po përpiqet që t’i legjitimojë ndërkombëtarisht përmes bisedimeve, duke relativizuar paraprakisht krimet dhe duke lënë të kuptohet se nëse Serbisë i është marrë Kosova për shkak të  krimeve që ka kryer Milosheviqi, Kosovës mund t’ i merret veriu nga “krimet” që paska kryer  e UÇK-ja.


Përpjekjet e qarqeve të ndryshme antishqiptare  për ta barazuar viktimën me xhelatin kanë qenë dhe po mbeten përpjekje të përhershme, me qëllim për ta  minuar pavarësinë e Kosovës, luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e Amerikës.


 


 


 


Veton Surroi: Fashizmi ne Kosove, Turpi i Shqiptareve (!)


 


 


 Kercenimi sistematik ndaj Serbeve te Kosoves turperon Shqiptaret e provinces dhe do te kete pasoja te medha dhe afat gjata.


 Gjate muajit te kaluar nje grua plake eshte rrahur deri ne vdekje ne vasken e shtepise se saj; nje djale dy vjecar eshte plagosur dhe e ema e tij ka mbetur e vrare; dy te rinj jane vrare me nje granathedhes; dhe nje grua nuk guxon te thote emrin e saj ne publik nga frika se mos ata qe jane perpjekur ta perdhunojne kthehen perseri. Te gjitha keto viktima kane qene Serbe.


 


Eshte e trishtueshme, por keto nuk jane incidente te izoluara. Shume nga Serbet e mbetur ne Kosove jane mbyllur me celes brenda shtepive te tyre, te tmerruar nga nje atmosfere ne te cilen cdo zhurme duket kercenuese dhe cdo makine qe qendron prane teje mund te te coje drejt vdekjes.


Pastaj eshte rasti i cifteve pleq qe nuk kane se cfare te hane te cilet kane frike te dalin nga shtepite per te blere ushqime sepse e dine se Shqipja e tyre e keqe do te kuptohet menjehere. Fqinjet e tyre Shqiptare nuk mund tu japin ushqime atyre sepse ata jane paralajmeruar te “mos i ushqejne Serbet”.


Une e di se si ndjehen Serbet e mbetur ne Kosove dhe Romet, sepse une se bashku me pothuaj 2 milion Shqiptare, kemi qene ne te njejten gjendje vetem dy muaj e gjysem me pare. Une e kuptoj friken e tyre. Ne degjuam nga radioja se Beogradi i kishte dhene njesive te tij te drejten per te vrare sipas deshires – edhe gra, femije dhe pleq. Si rezultat, cdo makine qe ndalonte ishte nje rrezik i mundshem; cdo zhurme e pazakonte dukej se parathoshte vdekjen e sigurte. Nderkohe, ne nuk mund te prisnim ndihme nga fqinjet tane Serb.


Prandaj une nuk mund te fsheh turpin qe ndjej kur shikoj se, per here te pare ne historine tone, ne, Shqiptaret e Kosoves, jemi ne gjendje te kryejme keto akte monstruoze. Une duhet te flas me ze te larte dhe te them se kodi yne moral, sipas te cilit grate, femijet dhe pleqte duhet te mos preken, eshte shkelur dhe vazhdon te shkelet.


 


Une e di shfajesimin per keto, pra qe ne kemi kaluar nje lufte barbare ne te cilen Serbet kane qene pergjegjes per krimet me te tmerrshme dhe ne te cilen shkalla e dhunes ka gjeneruar nje deshire per hakmarrje ne mes te shume Shqiptareve. Megjithate, ky, nuk eshte justifikim.


Ata Serbe te cilet kane zbatuar urdherat e Beogradit dhe kane kryer krime kunder Shqiptareve jane larguar tashme, si edhe shume te tjere te cilet jane frikesuar nga raprezaljet e te afermve te mijera te varrosurve ne varet masive. Dhuna e tanishme – me teper se dy muaj pas mberritjes se trupave te NATO-s – eshte dicka me teper se thjesht nje reagim emocional. Kjo eshte kercenimi i organizuar dhe sistematik i te gjithe Serbeve vetem per aresyen se ata jane Serb dhe prandaj quhen ne menyre kolektive pergjegjes per ate qe ndodhi ne Kosove.


 Keto qendrime jane fashiste. Per me teper, populli i Kosoves eshte ngritur dhe ka luftuar pikerisht kunder ketyre qendrimeve, ne fillim paqesisht dhe pastaj me arme, gjate ketyre dhjete vjeteve te fundit.


Trajtimi i Serbeve te Kosoves turperon te gjithe Shqiptaret e Kosoves, dhe jo vetem nxitesit e dhunes. Dhe eshte nje peshe qe ne do te na duhet ta mbajme bashkerisht. Ajo do te na cnderoje ne dhe vuajtjet tona te koheve te fundit te cilat, vetem pak muaj me pare, u shfaqen ne ekranet televizive te te gjithe botes. Ajo do te cnderoje kujtimin e viktimave te Shqiptareve te Kosoves, atyre grave, femijeve dhe pleqve te cilet u vrane vetem per shkak te origjines se tyre etnike.


Komuniteti nderkombetar ndoshta nuk do te na ndeshkoje ne per aresye se nuk po mbrojme etnite e ndryshme ne Kosove. Ne fund te fundit, edhe perpara luftes, numri i jo-Shqiptareve ne Kosove ishte i afert me ate te jo-Slloveneve ne Slloveni, dhe megjithate askush nuk flet sot per nje Slloveni multi etnike. Megjithate, nga viktima te persekutimit me te madhe dhe me te eger te ketij fund shekulli ne Europe, ne vete po kthehemi ne persekutore dhe kemi lejuar rishfaqjen fashizmit.


Te gjithe ata qe mendojne se dhuna do te perfundoje atehere kur edhe Serbi i fundit te jete larguar po jeton me nje iluzion. Dhuna pastaj thjesht do te drejtohet kunder Shqiptareve te tjere.


A mos luftuam valle per kete?


25 Gusht 1999

Kontrolloni gjithashtu

Berat Rukiqi

Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave

Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …