A.Q. Flaka Surroit i doli “flaka” për shkak se EULEX-i nuk po zë peshq të mëdhenj, madje as të vegjël

 


Flaka Surroi, jo vetëm po bezdiset e po sëkëlldiset,  por në shkrimet e saj histerike ajo akuzon të gjithë me radhë, e tani më së shumti atë dreq EULEX, i cili kurrsesi nuk po i bindet vullnetit të saj dhe të kompanisë, që ajo përfaqëson, për të arrestuar peshq të mëdhenj të Qeverisë së Kosovës,  tekefundit  “barem” të kishte arrestuar edhe peshq të vegjël, të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Po të analizohet me kujdes kjo sëkëlldi dhe agresiviteti i shprehur i Flakës, mund të paragjykohet se bija e ambasadorit të ndjerë të Titos, ka siklet të madh për fatin e Kosovës, për popullin e shumëvuajtur të Kosovës,  apo ndoshta  hallin e ka diku gjetkë. >>>


 


Duket se zyrtarët e EULEX-it e kanë “hangër” karremin e Flakës, të Jeta Xhaurrit nga BIRN-i dhe të një segmenti të shoqërisë civile, të cilët me shkrimet e tyre të ashtuquajtura, investiguese, kanë sjellë shumë “dëshmi” për korrupsionin në Qeveri dhe në institucionet e vendit. Disa mendjelehtë të EULEX-it u mbështetën në këto “argumente” shkrimore  të “Kohës Ditore”,  të BIRN-it dhe të disa OJQ-ve u hapareshën dhe iu turrën Qeverisë, duke paralajmëruar arrestimin e gjashtë ministrave e shumë zëvendësve të tyre dhe tërë kreut qeveritar.


Në kohën kur denoncuesit e përjetshëm dhe zagarët e EULEX-it po prisnin me kamera të regjistronin prangat në duar të ministrave, ndodhi ajo që nuk e kishin pritur, as e kishin menduar ndonjëherë.


Zyrtarët e lartë të EULEX-it, në mungesë të provave u zbythën dhe filluan t’i korrigjojnë veprimet e tyre, natyrisht të zhgënjyer në të dhënat “ e besueshme” që kishin ofruar OJQ-të dhe “mediet e pavarura”. Nga historia e stripeve për peshq të mëdhenj, ra pazari edhe te peshqit e vegjël…, të cilët, si zakonisht, gëlltiten nga ata të mëdhenjtë.


Duke qenë në pozitë të palakmueshme, dhe duke pritur me muaj e me vjet pushkën e EULEX-it, që nuk po kërcet, Flaka Surroi, në një koment në portalin e saj, Koha net,  i përkujton EULEX-it se vaj halli nëse në listat zgjedhore do të gjenden, të apostrofuarit për korrupsion, të cilët po u zgjodhën deputetë, do të dalka goxha punë derisa t’ iu marrka imuniteti. Parimisht, Flaka Surroi ka të drejtë kur flet për imunitetin, bajraktar, të deputetëve shqiptarë, të cilët më lehtë ta japin kokën sesa fotelen e postin.  ( Edhe pse i akuzuar për vrasjen e 26 shqiptarëve, me rastin e shpërthimit të municionit  në Gërdec, Fatmir Mediun e ruan imuniteti i deputetit për të mos u përgjigjur para gjykatave të Shqipërisë. Imuniteti e ruan edhe Gani Gecin, i akuzuar se ka vrarë luftëtarin e UÇK-së, Abedin Rexha, në tetor të vitit 1998.).


Flaka Surroi, meqë e mban veten për trimëreshë, nuk ka nevojë t ia përkujtoj historinë e Hasime Mirashit…


Ajo, pat thënë njëherë se në Gllogovcin (ish Drenasin ) e Jakup Krasniqit do të fitonte më shumë vota, po të konkurronin bashkë, por nuk ka treguar përse nuk i përveshet punës, në rrugë zyrtare, për të fituar, dhe, për ta ndërtuar pastaj, botën e re në vend të kësaj, një shoqëri “ideale dhe pa korrupsion” si në “kohën e artë”, të babait të saj, ambasador.


Megjithatë, Flaka Surroi, e ndien për detyrë qytetare, t ia përkujtojë EULEX-it, se të apostrofuarit për korrupsion, nuk do të duhej të gjendeshin në listat zgjedhore për deputetë.  Mirëpo, nëse thuhet se të gjithë zyrtarët e një partie janë të korruptuar, kur thuhet se krejt aparati qeveritar e shtetëror është i korruptuar, atëherë logjikisht shtrohet pyetje, ku t’ i gjejmë të pakorruptuarit, apo ndoshta vetëm Flaka Surroi qenka e pakorruptuar?


Flaka Surroi dhe të gjithë ata që duan me çdo kusht ta përdhosin, ta përbuzin dhe t’i devalvojnë institucionet e Kosovës, konkretisht vetëm krahun e luftës në  këto institucione, këtë punë vullnetare nuk e bëjnë për shkak të idealeve, as për ta shpëtuar popullin nga “këto banda të kuqe”, sikur i etiketon qeveritarët aktualë një pullazxhi i Amerikës me jugopasaport dhe dhëndër Beogradi, i cili po çel vezët në Vetëvendosjen e Albin Kurtit.


Nuk kemi të bëjmë, as me moralin qytetar, as me demokracinë e shkruar në letër, por  me këto raste konkrete kemi të bëjmë me opozitarë fanatikë dhe të handakosur, të cilët nga bezdia e sëkëlldia, se edhe në këto zgjedhje do të fitojë krahu politik i luftës së UÇK-së, e  kanë humbur torruan dhe rrotullohen si derri në thark.


Duam apo nuk duam ne, në zgjedhjet e përgjithshme, të parakohshme të 12 dhjetorit,  do të fitojnë ata që kanë punuar më shumë, ata që janë interesuar të fitojnë dhe ata  që e kanë lyer me kohë… Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë në shoqëritë kapitaliste, ku peshku i madh e ha të voglin dhe ku  korrupsioni, kriminaliteti, katrahura, kaosi, kameleonizmi, karapidillëku, keqqeverisja, keqtrajtimi i të varfërve, kretinizmi dhe sa e sa kkk-ja të tjera janë karakteristikat kryesore të zhvillimit të kapitalizmit, kuptohet, jo vetëm në Kosovë.


Flaka Surroi, i njeh problemet aktuale të shoqërisë sonë, i stigmatizon ato sipas shijes, interesit afatgjatë dhe përfitimit ditor, dhe jo sipas konceptit human, duke aspiruar  për një shoqëri ideale. Natyrisht, ajo bën punën e saj dhe në atë veprimtari ka arritur në maja, nga ku nuk shkon dot tutje, por vetëm mund të fillojë prapakthimin. Ajo, nuk e ka vështirë të bëjë intervistë me Hashim Thaçin, i cili në një rast të tillë, lë mënjanë sa e sa punë të rëndësishme dhe i përgjigjet  tërë elokuencë “Kohës Ditore” dhe medieve “investiguese”, por as pas shtatë përpjekjeve, gjatë 10 viteve, nuk i jep intervistë një mediumi të luftës, thënë më mirë nuk i ka dhënë kurrë intervistë atij mediumi, sepse Hashim Thaçi ka mësuar me kohë se si duhet notuar në shoqërinë kapitaliste, të cilën po e ndërtojnë, si zakonisht me gënjeshtra, mashtrime, abuzime, keqpërdorime, trafiqe, hajni,  sepse shoqëritë e tilla, nuk krijohen,  as mund të mbijetojnë ndryshe.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …