Motivi i mbajtjes së besës bashkëshortore, është ndër motivet më të moçme të kujtesës shpirtërore shqiptare dhe ka të ngjarë të ketë qenë analog me motivin e kthimit të Odiseut në Itakë, sipas përshkrimeve që ka bërë rapsodi grek, Homeri, babai i eposit në letërsinë botërore.
Kënga e Konstandinit, e shënuar qysh herët te arbëreshët e Italisë dhe të Greqisë, ka ruajtur disa tipare karakteristike, arkaike, që na kthejnë në kohët e moçme të principatave të Arbërisë, kur kalorësit shqiptarë shërbenin në detyra të caktuara kudo në shtetet e Evropës. Motërzimi i kësaj kënge ka qenë dhe po mbetet i pranishëm edhe te shqiptarët e besimit islam, të cilët figurën e Konstandinit e kanë identifikuar me Ymer aganë, apo Ago Imerin, motiv i njohur edhe ndër boshnjakë e popujt e tjerë të Ballkanit.
E njohur në folklorin shqiptar, si “Besa e Konstandinit” kjo këngë e kënduar nga ylli i muzikës arvanitase e arbëreshe, Thanasi Moraiti ka disa specifika të mënyrës së këndimit arkaik, të cilat na kthejnë në melosin autentik shqiptar të mesjetës së hershme, me një mënyrë këndimi mbase edhe nën ndikim të muzikës kishtare bizantine.
Varianti arbëresh është fragmentar dhe nuk përshkruan në tërësi ngjarjen, sikur në variantin analog për Ago Ymerin e këngëve të veriut të Shqipërisë. Ai del shumë i kursyer në përshkrimin e situatave. Kalorësi Konstandin, në kohën kur tashmë ishte duke përfunduar afati i pritjes, (i lidhur me besë në tri ditët e para të martesës) pasi tashmë kishin kaluar nëntë vite e nëntë ditë kishte arritur nga Napoli në vendlindje dhe në ditën kur bashkëshortja, “ E bukura” po bëhej gati të lidhte kurorë me një kalorës tjetër, ai lajmërohet te dera e kishës. Nusja e njeh bashkëshortin dhe u drejtohet të pranishmëve me fjalët:
-O ju krushkë e ju bujarë,
Është ky trimi i zgjedhuri parë…
Përmbushja e besës, në këtë këngë paraqet forcën e mbajtjes së premtimit, që ishte karakteristikë për shqiptarët në të kaluarën, një sentiment i fisnikëruar, që e dallonte botën shqiptare nga fqinjët.
»Costandin̅i i Vogelthi» origjinal
Costandin̅i i vogelthi,
Kéj tri dit ce dhönder is̅hte.
Cur i thriti mbreti i Nafples
Psè é kéj per s̅ok te pare
I tergoj te paren carte,
Èdhé e s̅turi ne galjofe
É tergoj te diten carte,
Édhé e s̅turi ne galjofe.
I tergoj te tritene,
Édhé jo nuk munt i thoj!
Nönte vitrè e nönte dite,
Kéj é bukura te prése.
Posa s̅kuan nöndë vitre,
Nönte vitrè é nönde dite,
Me ksuljé é scamantiljè,
Vén e zun n̅ie talandus̅é,
n̅ie lèpus̅ ne cragh i ljidhne,
dhé i s̅kruajtin Costandin̅ie;
s̅kuan vitrezat dhé ditet,
Vétè é bukura ne clis̅e;
s̅kuan vitrezat dhé ditet,
vétè é bukura ne clis̅e.
Costandin̅i calin ng̅éte,
Ate cal te brímurith
s̅péite ndar ne dér e clis̅es
te cu g̅iurmèza édhé is̅te.
Calin lidh é bréda ghine
s̅och te bukuran ne ljote.
«O ju crus̅k̄j dhé ju buljare
Is̅t ki trimi c’rori i pare!»
Costandin̅i nusè muar,
E gka déra e madhe dual.
Konstandini i vogël, këngë arbëreshe kënduar nga Thanasi Moraiti, në gjuhën e sotme letrare
Konstandini i Vogëlthi,
Ka tri ditë qi dhandër ishte.
Çoj e thirri Mbreti i Naples,
Pse e kishte për shok të parë.
I dërgoi të parën kartë,
Edhe e shtiri në galofë,
I dërgoi të dytën kartë,
Edhe e shtiri në galofë,
I dërgoi të tretëne,
Edhe jo nuk mund i tha,
-I dërgoj të tretëne,
Edhe jo nuk mund i tha,
Nëntë vite e nëntë ditë
Kjo e bukura e priti,
Posa shkuan nëntë vite,
Nëntë vite e nëntë ditë,
Më kësulë e Skamantile,
Venë e zunë një talanduse,
Një letër në krah i lidhën,
Dhe i shkruajtën Konstandinit.
Shkuan vitët e dhe ditët
Shkoj e bukura në Kishë.
-Shkuan vitët e dhe ditët
Shkoj e bukura në Kishë.
Konstandini kalin nget,
Atë kalë të brimurith,
Shpejt u ndal në derë të kishës,
Te ku gjurmët edhe kishte.
Kalin lidh e brenda hyn,
Sheh të bukurën me lotë:
-O ju krushkë e ju bujarë,
Është ky trimi i zgjedhuri parë.
Konstandimi nusën mori.
E nga dera e madhe doli.
-Konstandimi nusën mori.
E nga dera e madhe doli.