Duke qenë se të gjitha partitë politike të Kosovës, pa përjashtim, gjatë tërë fushatës zgjedhore sulmuan, demonizuan dhe etiketuan ish- Qeverinë e Kosovës dhe PDK-në, kjo rrethanë ka bërë që elektorati në Drenicë, sidomos në komunat Drenas e Skënderaj, të rritet dhe të shënojë nivelin më të lartë në vend të pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare. Nuk duhet harruar edhe faktin se një përqindje e madhe e votuesve të kësaj ane, është shënuar edhe në zgjedhjet vendore, të mbajtura para një viti, sidomos në Skënderaj. Popullata monolite e Drenicës u mobilizua me kushtrim, në radhë të parë për shkak të një fushate tejet frustuese e kërcënuese nga partitë politike, të cilat madje deklaruan se në asnjë mënyrë, dhe, në asnjë rrethanë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në. Drenica i mori në mbrojtje bijtë e vetë, të sulmuar, ashtu sikur i kishte marrë edhe gjatë luftës së UÇK-së. Ky është një shembull tashmë historik i rrjedhave ekzistuese historike në Drenicën gjithnjë të sulmuar si nga pushtuesit e huaj, ashtu edhe nga puthadorët e të huajve, të cilët ende po vegjetojnë kudo në Kosovë, por jo edhe në Drenicë.
E kemi thënë edhe më herët se drenicasit i përmbahen fort asaj maksimës së njohur të popullit: “Bjen një punë e t’ du përdhunë”. Po të mos ishte demonizuar në mënyrë sistematike Qeveria dhe PDK-ja, para dhe gjatë fushatës, por të mos i kishin dhënë zjarr armiqësisë ish regjentët e regjimeve jugosllave në kundër të disa partive, po të mos ishin kërkuar në vazhdimësi “kokat” dhe “peshqit e mëdhenj” nga Koha Ditore, Zëri, Kohavision etj, jam më se i sigurt se PDK-ja në Drenicë nuk do të shënonte këtë rezultat.
Sulmet sistematike, të egra dhe agresive kundër Hashim Thaçit, Jakup Kasniqit, Fatmir Limajt, Sami Lushtakut dhe tërë krahut të luftës nga kjo anë, natyrisht se mobilizuan banorët e Drenicës, e cila kësaj radhe, nuk luftoi me kallash e mauzer, por me votë, ashtu sikur e kërkon rendi dhe rregulli demokratik. Ky rend dhe ku rregull vlen për të gjithë votuesit, edhe për ata të Drenicës me këtë rast, andaj, pse duhet të hidhërohen kaq shumë, ata kandidatë, që në shtëpitë, lagjet apo bajraqet e tyre nuk kanë fituar shumicën dërrmuese dhe nuk kanë arritur ta bindnin elektoratin e tyre për të marrë pjesë masive në zgjedhjet e përgjithshme?
PDK-ja e Thaçit kësaj radhe korri fitore, duke heshtur me dinakëri ndaj sulmeve të kundërshtarëve, sulme këto krejtësisht armiqësore dhe të papara ndonjëherë në historinë e zgjedhjeve të pas luftës. Në të kundërtën, me disa gabime që i ka bërë kreu i PDK-së, duke hequr nga lista kandidatë për deputetë me merita të pakontestueshme kombëtare dhe duke futur nëpër lista kandidatë nga rruga, do të kishte pësuar shumë keq.
Do të shënojmë tani një rast analog, të ndodhur disa vite më parë në Shqipëri. I ndodhur para sulmeve të paskrupullta të Berishës, në një dialog ballë për ballë në Kuvend, në kohën kur Fatos Nano ishte në pozitë, ishte përgjigjur:
-Ti je ai që, me sjelljet dhe ulokërinë tënde po më mban në krye të shtetit, dhe derisa ti vazhdon kështu, mua nuk më duhet shumë mund për të qëndruar këtu ku jam!
Gjuha agresive që mbretëroi gjatë fushatës zgjedhore kudo në Kosovë, e shprehur tërë helm sidomos nga LDK-ja, AAK-ja, Vetëvendosja, FER-i e parti të tjera, jo vetëm që nuk e dobësuan PDK-në, por gjuha e tyre agresive dhe e ulët, bëri që edhe ata votues të Drenicës e më gjerë, që ishin lëkundur, edhe ata që nuk kishin asnjë arsye ta përkrahin, madje edhe ata që ishin irrituar deri në palcë nga kreu i PDK-së, të mobilizohen dhe të veprojnë sipas asaj fjalës së urtë popullore: “Bjen një punë e të dua përdhunë”.
Mospranimi i rezultatit të zgjedhjeve, në Drenicë, ashtu sikur kanë paralajmëruar disa parti politike, do t’i homogjenizojë edhe më tej drenicasit, të cilët, në rast të një përsëritjeje të mundshme, por të paarsyeshme të zgjedhjeve, do të mobilizohen dhe qind për qind do të marrin pjesë në zgjedhje, me qëllim për ta përkrahur PDK-në.