Askund në botën e qytetëruar nuk nxirren ligje që kufizojnë vullnetin dhe përcaktimin e qytetarit për t’ iu bashkuar një grupi, një kombi, një feje, apo një ideologjie të caktuar.
Me aprovimin e këtij ligji sanksionohet e drejta e natyrshme e shqiptarëve për të mbrojtur bashkëkombësit e tyre në trojet shqiptare, nën okupimin e Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë.
Ky ligj u nxor me qëllim që Qeveria, ministri Hoxhaj dhe ministri Rexhepi “të pastrohen” para opinionit, për shkak se po këta ministra e qeveritarë kanë qenë të parët që janë implikuar në luftën e Sirisë.
Një ligj i tillë, për botën e qytetëruar, jo vetëm që është anakronik, por është edhe qesharak, është si ato ligjet që nxirrte satrapi anadollak, Ahmet Zogu në kohën e regjimit të tij.
Ky ligj paragjykon faktin se shqiptarët e Kosovës paskan prirje të lindur për luftë terroriste dhe u dashka që me ligj të sankcionohet bashkimi i tyre ma grupet militante kudo në botë.(!)
Projekt-ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura të shqiptarëve jashtë territorit të Kosovës, në radhë të parë është një ligj fyes për moralin, traditën dhe dinjitetin historik të shqiptarëve, pastaj është një ligj diskriminues dhe një ligj që shkel përcaktimin e lirë të qytetarit, për t’ iu bashkuar forcave çlirimtare kudo në botë.
Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj të veçantë, të panevojshëm dhe të marrëzishëm, një ligj donkishotesk, një ligj me prapavijë të rrezikshme politike dhe thjesht një ligj antikombëtar, sikur e thanë me të drejtë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë së Drejtësisë në Kuvend.
Ligjet, askund në botën e qytetëruar nuk nxirren me paragjykime, nuk nxirren sipas tekeve dhe fiksionit të një zyrtari, ministri apo kryeministri, madje as të kryetarit të shtetit. Ato nuk nxirren për simpati politike ndaj një shteti, apo për preferenca të ndonjë ambasadori, apo ambasadoreje, por ligjet nxirren në të mirë të qytetarit dhe në akord me vullnetin pozitiv të shumicës, në mbrojtje të jetës, nderit, dinjitetit, humanizmit dhe bazamentit të qytetërimit njerëzor e kombëtar.
Askund në botën e qytetëruar nuk nxirren ligje që kufizojnë vullnetin dhe përcaktimin e qytetarit për t iu bashkuar një grupi, një kombi, një feje, apo një ideologjie të caktuar. Ligjet e tilla ashtu sikur është ligji për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura të shqiptarëve jashtë territorit të Kosovës, janë ligje anakronike, për faktin se nuk ka në botën e qytetëruar një ligj të tillë.
Me aprovimin e këtij ligji sanksionohet e drejta e natyrshme e shqiptarëve për të mbrojtur bashkëkombësit e tyre në trojet shqiptare, nën okupimin e Serbisë, Malit të Zi, Greqisë dhe Maqedonisë. Një ligj i tillë, për botën e qytetëruar jo vetëm që është anakronik, por është edhe qesharak, është si ato ligjet që nxirrte satrapi anadollak, Ahmet Zogu në kohën e regjimit të tij. Ai kishte nxjerrë madje edhe ligjin për mosndëshkimin e kafshëve, një ligj human në esencë, në kohën kur xhandarët e tij, jo vetëm rrihnin e ndëshkonin por edhe vrisnin shqiptarë mu në qendër të qyteteve e në fshatra.
Kështu ndodh kur me praktikën juridike të një shteti merret ministri me Fakultet të Mjekësisë, i cili trajton bazën e nomenklaturës ligjore të një shteti, apo kur ministri historian me profesion, përzihet dhe nxjerrë ligje pa ditur mirë përkufizimin juridik të një ligji.
Ky ligj u nxor me qëllim që Qeveria, ministri Hoxhaj dhe ministri Rexhepi “të pastrohen” para opinionit, për shkak se po këta ministra e qeveritarë kanë qenë të parët që janë implikuar në luftën e Sirisë dhe këtë nuk mund ta fshehin, por duhet të japin përgjegjësi, në akord me ligjin tashmë të aprovuar. Janë këta dy ministra e disa zyrtarë të tjerë, të cilët kanë nxitur shqiptarët militantë që të luftojnë në Siri, dhe pikërisht këta janë përgjegjës kryesorë për humbjen e jetëve të shqiptarëve internacionalistë, që po luftojnë diktaturën e Assadit, Frankos së botës Arabe dhe islame.
Nuk duhet lejuar t’i ikin përgjegjësisë këta ministra për yshtjen e të rinjve shqiptarë, të cilët kanë luftuar dhe po luftojnë në Siri. Natyrisht se ministrat: Hoxhaj e Rexhepi fillimisht kanë menduar ndryshe, sepse ata mendonin se NATO-ja dhe Amerika, apo Franca do të intervenonin në Siri. Për këtë arsye ata u ngutën për të qenë të parët, meqë në përkrahje të revolucioneve në botën arave, ngecën të fundit. Po kështu një përgjegjësi edhe më e madhe bie edhe mbi disa pjesëtarë të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët fillimisht i frymëzuan të rinjtë, që të luftojnë diktatorin prorus, Bashar al Assad, por kur u pa se Amerika nuk do të intervenojë në Siri, edhe këta ndërruan fytyrat, ashtu sikur i kanë ndërruar sa e sa herë.
Me këtë rast dua t’ iu përkujtoj opinionit se Pranverën e përgjakshme shqiptare të vitit 1981, në vendin tonë e ka dënuar publikisht edhe Bashkësia Islame e Kosovës, krerët e asaj kohe, dhe kurrë deri sot kjo bashkësi nuk ka kërkuar falje për deklaratat proqeveritare, projugosllave, pro UDB-ske të kohë së Sinan Hasanit, Azem Vllasit e Ali Shukriut. Luftës së UÇK-së iu bashkuan qindra hoxhallarë e medresistë, në mesin e tyre edhe shumë dëshmorë, por pa bekimin e BIK-ut. Edhe ky rast nuk duhet harruar, sepse ministri Hoxhaj, ministri Rexhepi, krerët e BIK-ut, të parët e kanë gjuajtur gurin e mallkimit drejt Sirisë së Assadit, por tani po i fshehin duart me aprovimin e një ligji donkishotesk dhe me dënimin e shqiptarëve që po luftojnë Hitlerin e botës arabe.
Tani kur Siria po vuan nën regjimin më kriminal të botës, tani kur atje luftojnë pjesëtarët e 85 kombeve të botës, në mesin e tyre edhe mijëra të krishterë arabë, evropianë e të tjerë, Kosova bën propagandë në dobi të diktatorit Assad, madje nxjerrë edhe ligje, në mbrojtjen aktuale të atij regjimi. Çka do të ndodhte me Sirinë, por të ishin kaq të marrë qeveritarët e 85 shteteve të botës, pjesëtarët e të cilave luftojnë kundër Assadit, kundër diktaturës monstruoze që shfaros gra fëmijë, që vret qytetarët e vet me helme kimike, që bombardon pa asnjë mëshirë njerëzore e fetare popullatën civile? Tani janë kujtuar dy ministrat tanë, 41 deputetët e Kuvendit të Kosovës, ta ndalojnë me ligj vajtjen e shqiptarëve për të luftuar në Siri. Po sa do ta përfill ligjin eunuk të Kosovës një idealist që ka vendosur të vdesë për një çështje të cilën ai e konsideron të drejtë?
Ky ligj paragjykon faktin se shqiptarët e Kosovës paskan prirje të lindur për luftë terroriste dhe u dashka që me ligj të sankcionohet bashkimi i tyre ma grupet militante kudo në botë.
Po të kishte përfillur ligjet e Serbisë, UÇK-ja kurrë nuk do të kishte marrë armët për ta luftuar robërinë. Po të kishim përfillur ligjet dhe këshillat e Ibrahim Rugovës, nuk do të kishin luftuar dhe kurrë nuk do të ishim liruar nga Serbia.
Idealisti që shkon në rrugën e vdekjes për të arritur një qëllim, nuk i pyet më të dashurit e tij dhe nuk i frikësohet asnjë ligj të tillë anakronik, të cilido shtet, aq më shumë të një shteti gjysmak sikur është shteti ynë, që nxjerrë ligje sipas përshtatshmërisë ditore politike, apo ligje me porosi me preferenca ambasadorësh fodullë.