Formulimet e paqëndrueshme gjuhësore të politikanëve tanë në të shumtën e rasteve janë pasojë e imitimit të formulimeve të gazetarëve gjysmakë dhe atyre që nuk e njohin sa duhet profesionin, gjuhën dhe aq më pak trajtimin realist gjuhësor të proceseve politike gjithnjë në zhvillim. Kështu ndodh për shembull kur një politikan, i cili nuk ka krijuar origjinalitet dhe stil të komunikimit në nivelin shtetëror të cilin e përfaqëson, shërbehet me formulime të gazetarëve, të cilat i bën pjesë të fjalorit të tij të përditshëm.
Kohëve të fundit, mbase nën ndikimin e medieve të Beogradit, apo përkthimit jo profesional nga gjuha e huaj, kemi të pranishëm formulimin: “Serbia e ka humbur Kosovën”, (Serbija izgubila Kosovo). Ky formulim, në radhë të parë paraqet qëndrimin politik të Beogradit zyrtar, i cili pretendon se Kosova ka qenë gjithmonë pjesë e Serbisë dhe në një moment të caktuar, në rrethana të caktuara, e paska humbur atë. Sipas kësaj logjike të interpretimit del se Serbia e paska humbur Kosovën dhe ne e paskemi gjetur dhe e paskemi përvetësuar.
Ky formulim i akordon politikës zyrtare të Beogradit, por në asnjë mënyrë nuk korrespondon me realitetin historik, sepse Kosova ka qenë krahinë shqiptare e okupuara nga Serbia në vitin 1912, e okupuar rishtas në vitin 1945 dhe e çliruar në vitin 1999. Me këtë rast nuk kemi të bëjmë me një lojë bixhozi, ku njëra palë humb e tjetra fiton, por me përpjekjet historike të shqiptarëve të Kosovës për t’ u çliruar nga robëria Serbe. Gjatë atyre përpjekjeve kanë dhënë jetët qindra mijëra shqiptarë, qindra mijëra të tjerë janë trajtuar mizorisht nëpër burgje e kampe përqendrimi, qindra e mijëra janë dëbuar nga atdheu dhe janë degdisur nëpër botë. Serbia nuk e ka humbur Kosovën, meqë ajo kurrë nuk ka qenë pjesë e natyrshme e saj, por vetëm një vend i pushtuar me dhunë, barbari e mizori.
Po ashtu, në Bruksel, Beograd por edhe në Prishtinë spekulohet se Serbia e ka humbur Kosovën për shkak te represionit shtetëror të regjimit kriminal të Milosheviqit, që ka ushtruar kundër shqiptarëve të Kosovës, në vitet 90 të shekullit të kaluar. Edhe kjo nuk është e vërtetë. Shqiptarët e Kosovës kanë kërkuar lirinë e tyre, qysh prej vitit 1912 dhe asnjëherë nuk kanë ndaluar rezistencën e tyre kombëtare, pasive dhe aktive, në rrugë drejt çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës dhe të trevave të tjera nën okupim kanë organizuar luftë të armatosur për t’ u çliruar nga robëria shekullore dhe jo për t’ia zaptuar Serbisë një territor, apo për t’ ia shkëputur me dhunë, sikur kishte bërë ajo qysh prej vitit 1912 e deri në qershor të vitit 1999.
Politikanët duhet të kenë më shumë kujdes dhe sa më shumë qartësi logjike gjuhësore në formulimet e tyre, sepse ato gjithnjë kanë qenë dhe janë thikë me dy tehe gjatë mënyrave të interpretimit. Kështu për shembull, bisedimet e fundit, në Bruksel, Serbia i interpreton si bisedime mes Beogradit dhe Prishtinës, duke e relativizuar procesin, i cili natyrisht se nënkupton bisedime dy palëshe, por të nivelit të brendshëm, meqë Serbia me kushtetutën e saj Kosovën e trajton si provincë të saj, ndërsa Prishtinën si kryeqytet të provincës jugore të Serbisë. Edhe me këtë rast, pjesa dërrmuese e politikanëve tanë dhe e medieve të shkruara dhe elektronike këto bisedime i interpretojnë sipas konceptit të Beogradit, të cilin e ka zyrtarizuar edhe Bashkimi Evropian.
Po kështu ka ndodhur edhe me formulimin me përmbajtje historike e gjeografike, “Kosovë Lindore”, rajon shqiptar të cilën Serbia, në mënyrë perfide e ka reduktuar në një luginë qyteti, në këtë rast si “Luginë e Preshevës”, me qëllim për të injoruar kërkesat e shqiptarëve për bashkim të natyrshëm me Kosovën. Në përpjekje për ta zbatuar terminologjinë e vet gjuhësore, Serbia ka arritur që ta imponojë termin: “Luginë e Preshevës”, term ky të cilin e kanë përqafuar të gjithë politikanët shqiptarë të “Dolinës”dhe shumica dërrmuese e medieve në gjuhën shqipe.
Është e natyrshme dhe e domosdoshme që të çlirohemi edhe nga terminologjia perfide politike e Serbisë dhe të mos mbeteni gjithmonë të varur nga konceptet dhe formulimet gjuhësore të të tjerëve.