A.Q: Shqiptarët liridashës të Kosovës nuk e simpatizojnë Sali Berishën as regjimin e tij autokratik

 


Janë të shumta shkaqet dhe arsyet përse  shqiptarët liridashës të Kosovës nuk e duan, as e kanë dashur ndonjëherë Sali Berishën. Mirëpo shqiptarët liridashës në Kosovë,  ata që jetojnë  në Maqedoni, në Kosovën Lindore dhe në Mal të Zi kanë pasur dhe kanë jo vetëm dashuri vëllazërore, por edhe respekt për Shqipërinë, qysh prej kohës kur është shpallur Pavarësia, më 28 Nëntor 1912, edhe pse më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare kishte mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë, të quajtur londineze. Shqiptarët liridashës, gjithnjë kanë pasur arsye ta duan Shqipërinë, qoftë në kohën e Ismail Qemalit, Fan Nolit, Ahmet Zogut, Enver Hoxhës e të tjerëve pas tij, deri te kjo Shqipëria e Bamir Topit e Sali Berishës,  sepse shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre etnike, jashtë kufijve të Shqipërisë,  e dinë vlerën e shtetit dhe aspirojnë bashkimin e kombit, pavarësisht se çka dërdëllis sot politika aktuale, në Prishtinë, në Shkup dhe në Tiranë, apo servilët, zëdhënësit  dhe apologjetët e tyre gjithandej.>>>


Shqiptarët, jashtë kufijve të Shqipërisë, në asnjë periudhë të historisë së tyre të mundimshme nuk i kanë dashur njësoj personalitetet e caktuara, që e kanë udhëhequr Shqipërinë. Ata shumë më tepër e kanë dashur Ismail Qemalin sesa, Princ Vidin, më tepër e kanë dashur Fan Nolin e Bajram Currin sesa Ahmet Zogun, Esat Toptanin e Shefqet Vërlacin,  më tepër e kanë dashur Enver Hoxhën e Mehmet Shehun  sesa Koçi Xoxen e Xhafer Devën,  më tepër e kanë dashur Rexhep Mejdanin sesa Fatos Nanon, më shumë e kanë dashur  Alfred Mojsiun dhe e duan Bamir Topin, sesa Sali Berishën. Konstatoj kështu duke marrë para sysh faktin se shqiptarët militantë, liridashës, i kanë dashur dhe i kanë çmuar  më tepër figurat militante liridashëse dhe liribërëse të kombit, ndërsa shqiptarët pacifistë, si në të kaluarën edhe tani i duan bashkëmendimtarët dhe bashkëveprimtarët e tyre, po ashtu pacifistë. E pranuam apo jo kjo ndarje ekziston dhe nuk ka asgjë të keqe përse është kështu, sepse lufta e klasave nuk ka pushuar, as pushon dot as në kohën, apo epokën, që ne po e quajmë demokratike.


 


Ja cilat janë arsyet përse shqiptarët liridashës të Kosovës, ish të burgosurit politikë, luftëtarët e UÇK-së dhe liribërësit e vendit tonë, sipas mendimit tim,  nuk e duan Sali Berishën, as regjimin e tij autokratik, ndërsa irritohen me  paraqitjet e tij teatrale, sharjet në Kuvend e kudo para kamerave, sidomos  përbuzjen e tij të sëmurë  për të kaluarën komuniste, të cilës i kishte shërbyer me besnikërinë e skllavit, gjithnjë të përkulur.


 


Shqiptarët liridashës të Kosovës, nuk e duan Sali Berishën, sepse ai me bashkëmendimtarët e tij, në vitin 1991 i dhanë zjarrin dhe shkretuan Shqipërinë e ndërtuar me mundin e djersën e të gjithë shqiptarëve dhe të atyre vetë.


 


Nuk e duan, sepse ai, qysh prej ardhjes së tij në pushtet në vite 90, kishte lidhje të fshehta e të hapura me Beogradin. Nuk e duan, sepse në kohën e protestave të Vuk Drashkoviqit, kundër Slobodan Milosheviqit në vitin 1996,  Sali Berisha kishte kërkuar nga shqiptarët e Kosovës, që të mbështesnin kërkesat e opozitës serbe dhe ta përkrahin atë, duke kërkuar nga “kosovarët” të mjaftoheshin  me të drejtat dhe autonominë, që do ta siguronin me këtë rast. Është më se njohur përkrahja e tij irrituese për Vuk Drashkoviqin, i cili publikisht kërkonte dëbimin e shqiptarëve, përtej Bjeshkëve të Nemuna.


 


Sali Berisha ka thënë publikisht se Kosova kurrë nuk ka qenë në përbërje të Shqipërisë. Regjimi tij ka ndjekur, ka burgosur, madje edhe i ka zhdukur disa nga veprimtarët e parë të UÇK-së.


Sali Berisha ka përkrahur vetëm verbalisht luftën e përgjithshme të UÇK-së, duke ndihmuar forcat e FARK-ut, me qëllim që pas luftës të radhitej në mesin e ndihmëtarëve të lirisë së Kosovës. Nuk përjashtohet fakti se Vuçidolli, ku ai ka lindur, ka qenë bazë strehimore e UÇK-së, të cilën Sali Berisha nuk e ka vizituar kurrë gjatë luftës, nuk e di a e ka vizituar ndonjëherë gjatë këtyre 12 viteve pas luftës, në Kosovë.


 


Shqiptarët liridashës të Kosovës nuk e duan Sali Berishën edhe për një mori “bëmash” të tij të dëmshme për kombin, sikur është ndihma dhe ngritja që i ka bërë antishqiptarit të përbetuar, patrikut të grigjës ortodokse,  Janullatos, i cili me përkrahjen e tij dhe të Greqisë, ka arritur në një masë greqizmin e ortodoksëve të Shqipërisë së jugut, jo vetëm përmes ndërtimit të kishave të stilit grek, duke eliminuar kishat autentike ortodokse shqiptare, por ai i ka hapur rrugë edhe ngritjes së memorialëve të ushtarëve grekë në shumë vende të Shqipërisë, atyre banditëve grekë, që kishin shkelur kufirin e Shqipërisë, që kishin vrarë popullatën shqiptare gjatë kohës kur vetë Shqipëria ishte e okupuar nga Italia fashiste.


 


Kompanitë  dhe bankat më të mëdha në Shqipëri i drejtojnë grekët. Sali Berisha, në emër të Qeverisë së tij ia  ka falur Greqisë edhe qindra  kilometra katrorë të detit të Shqipërisë.


 


Sali Berisha me klasën e bashkëmendimtarëve të tij po vepron në drejtim të krijimit të Shqipërisë mulitetnike, duke shpikur kombe e kombësi të paqena dhe duke lejuar greqizmin e shqiptarëve ortodoksë, të cilët po i blen me para regjimi grek. Me qëllim për t’i kënaqur orekset serbe, Berisha ka lejuar të hapet shkolla serbe në Libofshë, edhe pse pjesëtarët e kësaj pakice janë me origjinë myslimanë, të cilët në vitin 1923, kishin ikur nga Sanxhaku, nën presionin për shfarosje nga regjimi i krajlëve të Serbisë.


 


Sali Berisha, me qëllim për ta pasur mirë me Malin e Zi, krahas ngritjes së memorialeve për grekët në jugun e Shqipërisë, në të ardhmen fare lehtë mund të lejojë edhe ngritjen e memorialit për 10.000 serbët e cernagorët, që u vranë në Rrethimin e Shkodrës, në tetor të vitit 1912, derisa po bënin përpjekje  ta merrnin qytetin, me qëllim që  t’ i masakronin të gjithë shqiptarët. Ishte Esat Pashë Toptani  ai që vrau martirin e Shqipërisë së asaj kohe, kurdin sypatrembur, Hasan Riza Pasha, i cili me shqiptarët liridashës e mbrojti qytetin nga barbaroidët sllavë.


 


Sali Berisha ia mundësoi blerjen e një pjese të bregdetit më të mirë të Shqipërisë, mikut të tij, Damir Fazlliq, nipit të kriminelit shqiptar-vrasës, Stanishiq.


Sali Berisha haptas ka deklaruar se nuk e përkrah bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, as bashkimin e shqiptarëve me një shtet të vetëm, qoftë edhe në rrugë paqësore, evolutive.


 


Ai përkrah idenë e shteteve sllave dhe evropiane për moskrijimin e një shteti unik shqiptar, të tillë çfarë i kanë shtetet e tyre kombëtare në Ballkan: serbët, grekët, bullgarët por edhe malazezët, serbë me origjinë, apo sllavo-maqedonët, me origjinë bullgare.


 


Janë të shumta për t’ u përmbledhur në një shkrim “bëmat” e liga, pse jo edhe antikombëtare të Sali Berishës, për të cilin nuk kemi dyshim se e duan dhe e respektojnë  shumë shqiptarë pacifistë të Kosovës, pikërisht për shkak të veprimeve të tilla, disa nga të cilat i kemi përmendur me këtë rast.


 


Shqiptarët idealistë nuk e duan Sali Berishën meqë e konsiderojnë fajtor për krimet që po ndodhin përditë në Shqipëri, për shkallën e lartë të korrupsionit, papunësinë, vrasjet e përditshme, për lulëzimin e të gjitha trafiqeve të pista që ua kanë zënë frymën shqiptarëve, për koncesionet që i bën shteteve fqinje, me qëllim përfitimi dhe për një mori të ligash të tjera.


 


Thuhet se Sali Berisha ka meritë për ndërtimin e autostradës, Morinë-Durrës. Pavarësisht sa lekë, dollarë apo euro i kanë mbetur Berishës, dhuratë, nga ndërtimi i kësaj rruge të kombit, nuk mohohet fakti se kjo autostradë i shërben kombit shqiptar dhe është një vepër e çmueshme për integrimin brendakombëtar, për lulëzimin e tregtisë pse jo edhe të trafiqeve e zanateve të tjera, të moçme e të reja mes shqiptarëve këndej e andej kufirit. Por nuk duhet harruar faktin se ideator dhe nismëtar për ndërtimin e kësaj autostrade, ishte ish-kryeministri, Pandeli Majko, e jo Sali Berisha.


 


Po kështu duhet të përkujtojmë me këtë rast se edhe rruga Morinë Merdare, ka qenë ide, (edhe pse  asokohe iluzore),  e Ibrahim Rugovës, por rrugën po e ndërton Qeveria e Hashim Thaçit, i cili në respekt për ideatorin, autostradën e ka emërtuar me emrin e tij. Paramendojeni çka do të ndodhte në Shqipëri po të bënte përpjekje ndokush, që autostrada Durrës Morinë të emërtohej me emrin e Pandeli Majkos?. Vetëm ideja e tillë do ta çmendte Sali Berishën.


 


Edhe pse, sipas mendimit tim dhe shumë të tjerëve, që mendojnë si unë, Sali Berisha ka bërë shumë të liga e sidomos i ka bërë dhe po i bën shumë  lëshime Serbisë, Greqisë e Malit të Zi, ne në Kosovë nuk kemi arsye ta urrejmë, Sali Berishën, sepse tekefundit derisa e pranon si të tillë gjysma e elektoratit në Shqipëri, nuk kemi asnjë arsye të mos e pranojmë verdiktin e atij elektorati, por rezervojmë të drejtën tonë që ta kritikojmë, sa herë që ai bën gabime, sidomos në dëm të interesit të përbashkët të shqiptarëve. Pastaj, për fatin tonë të keq as udhëheqësit tanë nuk i kemi më të mirë se Sali Berisha.


 


Sali Berishën në Kosovë e simpatizojnë pacifistët, mercenarët e ish regjimeve okupatore, ata pak ballistë e zogistë që janë të ndarë në shumë parti me nga ty, tre e pak më shumë anëtarë. Berishën e duan me shpirt ideatorët e kombit “kosovar”, që tash për tash janë minoritet me dy shifra, pastaj disa kameleonë me prejardhje nga ideologjia e bashkim vëllazërimit dhe klasa e haxhibabëve” sikur e quante,  Ukshin Hoti, klasën e daullexhinjve, që mbajnë ison dhe u shkojnë prapa çaushbashëve. Sali Berishën e duan edhe serbët e Graçanicës, sepse Qeveria e tij ka dhënë 200 mijë euro ndihmë në ndërtimin e kësaj komune të themeluar me planin e Ahtisarit.


 


Sali Berisha nuk është personalitet i unitetit, ashtu sikur është aktualisht, Bamir Topi apo sikur ishte, Alfred Mojsiu. Si i tillë, ai i përket vetëm njëmendësie politike, partiake dhe me sjelljet e veprimet e tij të deritanishme kurrë nuk mund të bëhet lider unifikues i shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur rreth marrëdhënieve të tensionuara mes Vjosa Osmanit e Albin Kurtit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur lidhur me marrëdhëniet e  tensionuara mes presidentes …