leoni

Hasan Remniku

A.Q: Veprimtaria e disa organizatave kombëtare në vitet 1951-1953 dhe represioni drastik i regjimit të RSFJ-së kundër tyre I

( Hasan Remniku, Ibrahim Gashi, Aziz Zhilivoda, Murat Nika etj.) I

Rezistenca heroike e Shaban Palluzhës, në janar-shkurt të vitit 1945 kundër forcave të Armatës jugosllave dhe bandave  çetnike serbe, pasoi me një represion shtetëror sistematik antishqiptar, sidomos në territorin e Drenicës, e cila nuk ishte pajtuar me ripushtimin jugosllav të Kosovës. Përveç mijëra të rënëve, të vrarëve e të plagosurve, regjimi i Beogradit kishte vënë në zbatim edhe masat e shtetrrethimit dhe represionit sistematik për shpartallimin e “magmës” së idealizmit kombëtar, sikur ka qenë ndër shekuj rezistenca e pandërprerë e trimave dhe trimëreshave të Drenicës.

“Lufta e Drenicës e simotrat e saja në Shqipërinë e robëruar nuk ishin lufta ideologjike, ishin lufta për çlirimin e bashkimit kombëtar. Kudo luftohej kundër depërtimeve çetnike. Luftëtarët e asaj kohe e donin Kosovën e trojet tjera shqiptare jashtë Serbisë e Jugosllavisë dhe të bashkuara me Shqipërinë, bash ashtu siç e parashihte Rezoluta e dalë nga Konferenca e Bujanit, në fund të vitit 1943 dhe në fillim të atij 1944”. (Dr. Jakup Krasniqi: Lufta e Drenicës e viteve 1944-1945 ishte luftë çlirimtare. ArkivPres, 2019).

Në këto operacione antishqiptare morën pjesë divizionet 24, 26, 44, 46, 52 të Serbisë. Divizionet 41 dhe 50 të Maqedonisë, grupi i brigadave të Malit të Zi (brigada e I e Bokës dhe brigada e VI) 2 dhe repartet speciale të OZN-s të drejtuara nga Spasoje Gjakoviq. Në kohën kur forcat jugosllave zhvillonin operacionet më të përgjakshme në Drenicë…, më 8 shkurt 1945, komandanti suprem i UNÇJ-së Josip Broz Tito me urdhër të veçantë, nr.31 dhe vendosi administrimin ushtarak në Kosovë. Këtë vendim Titoja e mori më 7 shkurt 1945 në Beograd, në një takim me ushtarakët serbë: Sava Dërleviq, Gjuro Medenica dhe Kërsto Filipoviq. Me këtë urdhër, i tërë pushteti në Kosovë i kishte kaluar një grupi special, federativ të caktuar ushtarakësh serbo-malazez, të cilët do të ushtronin pushtetin politik, ekzekutiv dhe atë gjyqësor. (Vikipedia).

Periudha prej vitit 1945 e deri në vitin 1951, ka qenë  ndër periudhat më të rënda për të gjithë shqiptarët që kishin mbetur nën pushtimin jugosllav, e veçmas për banorët e rajonit të Drenicës, e cila ishte identifikuar si vatra shekullore e zjarrit kryengritës, si burim frymëzimi për realizimin e aspiratave për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Gjatë kësaj periudhe historike, nacionalistët shqiptarë ishin rreshtuar në Lëvizjen Nacional-demokratike Shqiptare, e cila synim parësor kishte qëndresën dhe luftën në të gjitha format e metodat për çlirim nga robëria jugosllave.

Duke arsyetuar formimin e kësaj Lëvizjeje njëri ndër ideologët e saj, Gjon Serreçi Më 10 prill të vitit 1947, në zyrën e hetuesisë së OZN-ës në Prishtinë, Gjon Serreçi i pyetur për qëllimin e organizmit të Lëvizjes së rezistencës ka deklaruar: Kam thënë se duhet të formohet Organizata dhe se kjo nuk është organizatë balliste, por është Organizatë Nacional Demokratike Shqiptare, e cila ka për qëllim luftën kundër rendit ekzistues shoqëror në Jugosllavinë e sotme dhe në Shqipërinë e sotme, për krijimin e Shqipërisë etnike duke e bashkuar Kosovën në kufijtë e saj etnikë, që do t’i bashkoheshin Shqipërisë së tillë, me rendin që do ta krijonim ne. Ndërrimin e rendit shtetëror e kemi planifikuar ta zbatojmë me intervenimin e fuqive të mëdha, të jashtme siç janë: Anglia dhe Amerika dhe me ndihmën e fuqive të armatosura, që ishin në male, të cilat do të ngriheshin për ta marrë pushtetin në duart e veta….( A. Q. Luftëtarë të NDSH-së II, Prishtinë 2016)

 

Kjo platformë e mbështetur në programin historik kombëtar u mbështet nga të gjitha grupet e Lëvizjes, të cilat kishin pranuar jo vetëm programin por edhe autoritetin historik të kësaj Lëvizjeje.

Periudha prej fillimit të vitit 1944 e deri në rënien në pritë të Hasan Remnikut me bashkëluftëtarët e tij në maj të vitit 1951 shënon qëndresën heroike dhe luftën e pandërprerë të grupeve të NDSH-së kundër ripushtimit jugosllav të Kosovës.

Prej vitit 1951 e deri te formimi i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, në vitin 1963, në krye me Adem Demaçin janë dënuar me burg dhjetëra organizata nacionaliste, të cilat kanë vepruar në platformën e LNDSH-së, pavarësisht se si i kishin emërtuar grupet e tyre. Se cili ka qenë represioni i regjimit të RSFJ-së gjatë tërë viteve 50 flasin dëshmitë dhe dokumentet e kohës.

Pas likuidimit të grupit të atdhetarëve të Hasan Ali Remnikut me shokë, nga ana e policisë dhe ushtrisë jugosllave, udbashët nuk u kënaqen me aq. Pas kësaj ngjarjeje të dhembshme e tragjike për popullin shqiptar, nga ana e pushtetarëve pasuan masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që e njohën ose patën kontakte bashkëpunimi me të. Popullata e Anamoravës pas ngjarjes që tronditi këtë anë, ditët pas kësaj i kalonte në ankth. Pa paralajmërim filluan arrestimet e njerëzve në çdo kohë dhe në çdo fshat të kësaj ane. Filluan bastisje e provokime, arrestime e rrahje nga më të ndryshmet, të cilët akuzoheshin se kishin strehua, ndihmua dhe mbrojtur Hasan Remnikun. Rrugëtimin për të kaluar kufirin, Hasan Remniku e nisë me 6 tetor 1951, për ta përfunduar në mes të natës së 9/10 tetorit në “Pritën në Bistricë”. Në grup merrnin pjesë: Hasan Remniku, Mustafë Koka me gruan Rabijen e cila ishte shtatzënë, dhe Agush Mehmeti me gruan Qibrie Misin Alidemen.  (Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Hasan Remniku me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare). (RKL, 2. 2. 2016).

 

Plani i UDB-së për likuidimin e Hasan Remnikut me bashkëluftëtarët e tij

 

Lidhur me vrasjen në pritë të Hasan Ali Remnikut është me interes një shkrimi i Nafi Çegranit, i cili kishte të dhëna nga brenda organet e UDB-së. Ai ka  sqaruar shumë elemente të kurdisjes së vrasjes por edhe pasojave që kishin pësuar të gjithë të afërmit dhe  ata që e kishin strehuar.

Edhe Hasan Remniku kishte planin e vet, ku parashikonte ecjen vetëm natën e rrugë pa rrugë deri sa të dilte në kufi me Shqipërinë. Parapara tij lëviznin Sylë Mehmeti dhe Ismail Zenuni, të cilët gjoja ishin lidhje të personit “N.N”, që do ti nxirrte matanë kufirit. Pas Hasanit ecnin me kujdes Agushi dhe Mustafa, e në fund do të ishin dy gratë e këtyre të fundit. Të gjithë ecnin në kolonë njeri pas tjetrit. Hasani e parandiente tradhtinë por mendonte se e kishte detyrim t’i nxirrte njerëzit matanë kufirit e pastaj do të shihte. Mendonte për anëtarët e grupit, por edhe për vete. Gjatë qëndrimit në shtëpinë e “Basriut” të Landavicës, Hasani ishte i kujdesshëm por edhe nuk kishte shkas për të dyshuar se mund të ndodhte diçka jo e mirë, ndaj dhe fliste lirë. Sidomos kishte nis të nevrikosur gjatë natës së dytë, sepse nuk dëshironte që UDB-a të kapte në kohë. Kishte vendosur që pasi të hanin mirë bukë, që i kishte përgatitur i zoti i shtëpisë e do të merrnin edhe me vete diçka prej tyre, pasi për rrugë u kishin përgatit me bollëk, do të ngjiteshin në bjeshkët e Dragashit.

 

Dhe kështu zhvillohej kjo ngjarje, e cila edhe sot mbeti aq misterioze, aq enigmatik dhe e përfolur, sepse spiunazhi udbashian e futi në popull intrigën dhe gënjeshtrën, kinse gjithandej ishin Hasani me shokë të ,,helmuar,,! Pasi hëngrën të gjithë mirë e mirë, kanë rënë në gjumë vetëm për dy-tri orë, sepse do të niseshin ngadalë njëri pas tjetrit në kolonë dhe në heshtje. Në dhomën e miqve flinin burrat ndërsa në një dhomë tjetër dy nuset e reja.

 

Pas pak u dëgjua zëri i Hasan Remnikut: O burra, nisemi! Pas pak u dëgjuan edhe disa zëra të tjerë dhe ra një heshtje e rëndë si nata e asaj vjeshte të vonë tetori të vitit 1951, kur kolona shkonin ahishteve me kujdes. Dy ditë ecën maleve dhe kreshtave të thyera…Për tërë natën e fundit, oficerët e UDB-së dhe shërbëtorët e ishin vendos në pusi sipas planit dhe skenarit të parapërgatitur të operacionit “Pritë në Bistricë”, aty buzë Bistricës, në një lëndinë prej nga ku ngjitesh në pyll, kolona e Hasanit ecnin në heshtje dhe me kujdes, kur papritmas, përballë tyre u hapën drita të forta nga kamionët e fshehur, kurse ushtarët dhe policia të fshehur pas kaçubash gjatë pellgut të lumit hapin zjarr, u dëgjuan disa të shtëna armësh dhe rafale ku Hasan Remniku me shokë mbetën të vrarë! Hasan Remniku me shokë, u likuidua në “Pritën në Bistricë”! Lëtu dilema nuk ka, por kjo mund të ndodhte gjithandej Kosovës, ngase e tërë kjo ishte si rrjedhojë e një grumbulli rrethanash që shkonin në dëm të lëvizjes dhe të luftës së Hasan Remniku me shokë, që zhvilloi ato vite…

 

Pas likuidimit të grupit të atdhetarëve të Hasan Alis Remnikut me shokë, nga ana e policisë dhe ushtrisë jugosllave, udbashët nuk u kënaqen me aq. Pas kësaj ngjarjeje të dhembshme e tragjike për popullin shqiptar, nga ana e pushtetarëve pasuan masat ndëshkuese ndaj të gjithë atyre që e njohën ose patën kontakte bashkëpunimi me të. Popullata e Anamoravës pas ngjarjes që tronditi këtë anë, ditët pas kësaj i kalonte në ankth. Pa paralajmërim filluan arrestimet e njerëzve në çdo kohë dhe në çdo fshat të kësaj ane. Filluan bastisje e provokime, arrestime e rrahje nga më të ndryshmet, të cilët akuzoheshin se kishin strehua, ndihmua dhe mbrojtur Hasan Remnikun.

Më pas UDB-ja jugosllave kishte arrestuar e dënuar me burg të rëndë dhe pushkatim të gjithë ata që e kishin njohur Hasan Remnikun, të cilët i kishin dhënë bukë apo kishin bashkëvepruar me të.

 

Ishin  dënuar:

 

Arif Sherif Selmani, bujk, , Bresalc, 4 vjet burg.

Arif Sylejman Çollaku, Remnik, u dënua me 101 vjet.

Ajdin Ali Shabani, u dënua me vdekje – pushkatim.

Azem Kadria, 101 vjet burg.

Baki Ali Aliu, bujk, Remnik, 7 vjet.

Baki Maloku, Remnik, 7 vjet burg.

Qazim Ismaili, u dënua  me vdekje- pushkatim.

Daut Jakupi, Livoqi i Epërm, 7 vjet.

Destan Muharremi, bujk, Lubishtë, 4 vjet.

Elez Kadri Elezi, 8 vjet burg.

Fetah Xhelë Haradinaj, 13 vjet.

Hajdar Hajdini, bujk,  Gumnishtë, 3 vjet burg.

Hajdin Ali Godeni, 101 vjet.

Hamdi Hajrush Hajdari, bujk, Remnik, 1,6 vjet burg.

Haqif Uka, u dënua 8 vjet burg.

Ibush Hetem Bresalci, 7 vjet

Isak Hazir Smaka, 1 vit burg

Ismail Deli Muja, Bresalc, bujk, Bresalcë, 7 vjet.

Ismail Qorrolli, bujk, Bresalcë, 3 vjet.

Jahja Selim Halimi, bujk, Remnik, 1 vit burg.

Kadri Uruqi, 20 vjet.

Latif Hetem Haziri, bujk, Bresalcë, 7,6 vjet burg.

Mehmet Imer Çallaku, 4 vjet.

Murat Limon Abazi, 8 vjet burg.

Mustafë Rahimi, Lybishtë, 4 vjet burg.

Namon Beqir Qorrolli, bujk, Bresalc, 3 vjet.

Ramadan Hoxha, Cërnicë, 20 vjet.

Ramiz Fazli Misini, bujk, Remnik, 9 vjet.

Sabedin Uka, 8 vjet burg.

Sadik Vranoci, bujk, Cërrnicë, 3 vjet.

Sahit Abaz Rexha, bujk, Bresalc, 3 vjet.

Sejdi Selim Halimi, bujk, Remnik, 1,6 vjet burg.

Selim Ali Godeni, dënohet 101 vjet burg.

Selman Ramë Selimi, Bresalcë, lirohet dhe shumë të tjerë pasi ishin marrë në pyetje.

Selman Sherif Selimi, 2,6 vjet.

Sylë Fazlia, 15 vjet burg.

Shaip Hajdin Dauti, Livoq i Poshtëm, 8 vjet burg.

Shefket Mustafë Bunjaku, rrobaqepës, Gjilan, 4 vjet burg

Shukri Hajriz Hajrizi, bujk, ), Goden, 5 vjet burg

Sylejman Ymer Çallaku,

Xhavit Qerim, bujk, Remnik, 4,6 vjet burg.

Xhymshit Bilinca, 4 vjet burg.

Veli Ibrahim Ymeri, ishte dënuar me vdekje -pushkatim.

(Nafi ÇEGRANI: Ballë për ballë me UDB-në, si u likuidua Hasan Remniku. Lidhja e Prizrenit).

 

Nga këta 43 të shpallur fajtor dhe të dënuar prej dy e deri në 20 vjet burg,  tre të therë ishin dënuar me vdekje-pushkatim disa me 101 vjet burg sipas kodit penal të Ish Jugosllavisë monarkike.  Në dënuarit ishin në shumicë nga fshati Remnik, të afër të Hasan Ali Remnikut, pastaj nga fshatrat Bresalc, Lubishtë, Livoq e fshatra të tjerë, Ishin dënuar me burg dhe ishin maltretuar fizikisht të gjitha ata që e kishin strehuar Hasan Remnikun dhe bashkëluftëtarët e tij.

Literatura:

Nafi ÇEGRANI: Ballë për ballë me UDB-në, si u likuidua Hasan Remniku. Lidhja e Prizrenit.

Dr. Jakup Krasniqi: Lufta e Drenicës e viteve 1944-1945 ishte luftë çlirimtare. ArkivPres, 2019.

Dr. Sabile Keçmezi-Basha: Hasan Remniku me shokë dhe veprimtaria e tyre atdhetare). (RKL, 2. 2. 2016).

Ahmet Qeriqi. Luftëtarë të NDSH-së II, Prishtinë 2016)

Vikipedia.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Një shkrim për Jetë Hasanin. (E hënë 16 nëntor, 1998)

Moti sikur po përmirësohet, por vazhdon të bëjë gjithnjë e më ftohtë. Retë po e …