A. Qeriqi: “Enciklopedia….” e njëanshme dhe pa kriter shkencor e Ndriçim Kullës

Ditë më parë, në Tiranë,  është përuruar libri, Enciklopedi Antologjike e Mendimit Shqiptar, 1807-1957, vepër e autorit, Ndriçim Kulla. Pavarësisht se prezantimi i mendimtarëve shqiptarë në këtë ta quajmë “Enciklopedi” është krejtësisht i njëanshëm, i mbështetur kryesisht në mendimtarët shqiptarë të krishterë, këtij libri  iu dha një publicitet i jashtëzakonshëm, madje edhe me pjesëmarrjen e zyrtarëve të larë të Shtetit, gjithsesi me qëllime të caktuara.


Autori, Ndriçim Kulla ka prezantuar në veprën e tij 75 mendimtarë, veprimtarë e shkrimtarë  shqiptarë, kryesisht nga Shqipëria e sotme administrative, edhe pse përkufizimi në kohë e hapësirë ka të bëjë kronologjikisht nga viti 1807 deri në vitin 1957 dhe metodologjikisht  do të duhej të ishte shtrirë në të gjitha trevat shqiptare, përderisa bëhet fjalë për “mendimin shqiptar”. Por këtu  kemi të bëjmë me  një kategori të caktuar emra të njohur intelektualësh, veprimtarësh, shkrimtarësh e poetësh që kanë jetuar dhe vepruar gjatë asaj periudhe të  150 viteve.


Është e kuptueshme  se  në një enciklopedi të llojit të tillë nuk mund të përfshihen të gjithë ata intelektualë, që kanë lënë gjurmë në kohë, por të paktën duhet bërë përpjekje për një prezantim dinjitoz të personaliteteve, pa anime ideologjike e fetare, nëse është fjala për “mendimin shqiptar” në përgjithësi dhe nëse autori udhëhiqet nga kriteret dhe metodologjia shkencore përkatëse.


Nga 75 shqiptarët e atdhetarët e mëdhenj të kombit të periudhës së caktuar, Kulla ka lënë jashtë pjesën më të madhe, dërrmuese, të intelektualëve  e veprimtarëve shqiptarë të besimit islam, ndërkohë që ka prezantuar dhjetëra priftërinj të veriut të Shqipërisë, gati fare të panjohur. Nga Kosova ka prezantuar vetëm At Shtjefën Gjeçovin. Nuk ka përfaqësuar asnjë personalitet nga Ilirida, nga radhët e arvanitasve  apo nga  Çamëria.


 


Të përzgjedhurit e mendimit shqiptar, sipas tre vëllimeve të “Enciklopedisë…” së  Ndriçim Kullës, janë këta: Gjon Gazulli,  Marin Barleti, Engjëll Mashi, Xhuzepe Krispi, Vincenso Dorsa, Dhimitër Kamarda, Jeronim De Rada, Elena Gjika, Hasan Tahsini, Zef Jubani, Jani Vreto, Vaso Pasha, Sami Frashëri, Shahin Kolonja, Ismail Qemali, Mithat Frashëri, At Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Dom Lazër Shantoja, At Ambroz Malaskaj, Visarion Xhuvani, Faik Konica, Kostë Çekrezi, Kristo Dako, Fan Stilian Noli, Eqrem bej Vlora, Branko Merxhani, At Anton Harapi, Mehdi Frashëri, Krist Maloki, At Xhiuseppe (Zef) Valentini, Profesor Ernest Koliqi, Gaetano Petrotta, Karl Gurakuqi, Jorgji Meksi, Vangjel Kola, Tajar Zavalani, Nebil Çika, Hafiz Ali Kraja, Ismet Toto, Safet Butka, Nonda Bulka, Sejfulla Malishova, Zef Mala, At Gjon Shllaku, At Benedikt Dema, At Donat Kurti, Stavro Skëndi, Arshi Pipa, Isuf Luzaj, At Marian Serdani, Filip Fishta, Eqrem Çabej, Athanas Gegaj, Ilo Mitkë Qafzezi, Dhimitër Shuteriqi, Kristo Floqi, Mustafa Kruja, Osman Myderizi, Zef Mark Harapi, At Shtjefën Gjeçovi, Dom Nikoll Gazulli, At Bernadin Palaj, Dom Gaspër Gurakuqi, Jakov Milaj, Dom Ndoc Suma, Gjon Kasmi, Mitrush Kuteli, At Justin Rrota, Mati Logoreci, Martin Camaj, Namik Resuli, Selman Riza, Aleksandër Xhuvani, ndër të tjerë.  


 


Prej 75 personaliteteve, vetëm 19 syresh janë  emra shqiptarësh myslimanë, ndërkohë që nuk është prezantuar asnjë prej personaliteteve më të shquara të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndoshta për faktin se në kreun e Lidhjes nuk pati ose pati fare pak shqiptarë të krishterë. Nga ky mes personalitetesh dhe intelektualësh, autori është përkujdesur të ketë sa më pakë emra mendimtarësh, atdhetarësh e veprimtarësh të njohur duke lënë anash madje edhe mendimtarin dhe poetin më të shquar shqiptar të kohës, Naim Frashëri, pastaj Ymer Prizrenin, SylejmanVokshin, Abdyl Fshashërin, Hasan Prishtinën, Kadri Prishtinën, Hafiz Ali Korcën, Hafiz Ibrahin Dalliun,  shkencëtarin shqiptar me famë botërore, Dr. Bilal Golemi, i cili ka vdekur ne 1955, ne Turqi, e shumë e shumë të tjerë.


Duke rezervuar faqet e Enciklopedisë…për shqiptarët e krishterë, sidomos ata katolikë të veriut, Kulla na sjellë edhe emra fare episodikë, të cilët nuk krahasohen dot me Barletin, Fishtën e Nolin, por as me shumë emra të tjerë të prezantuar në këtë enciklopedi. Çfarë ndikimi kanë ushtruar në mendimin filozofik apo letrat shqiptar të kohës ta zëmë: Kostë Çerkezi, Kristo Dako, At Ambroz Malaskaj, Xhuzepe Valentini, Vangjl Kola e të tjerë?


 


Ai  ka lënë anash edhe Andon Zako Çajupin, mendimtarin më të kthjellët dhe më realist të kohës, pastaj, Asdrenin,  Migjenin, jo vetëm poetin e prozatorin më të talentuar të letërsisë shqipe, por edhe kritikun më realist të kohës  dhe mendimtarin e shquar  të ideve demokratike e socialiste në Shqipëri. Ai po ashtu ka eliminuar nga “Enciklopedia” e tij edhe Ali Kelmendin, njërin ndër veprimtarët dhe mendimtarët më të mëdhenj të epokës së socializmit në Ballkan e në Evropë, pastaj udhëheqësin e KONARE-së, Halim Xhelo Tërbaçin, por u ka bërë vend krerëve të Ballit Kombëtar, si Mehdi e Mit-hat Frashëri, Safet Butka, etj. Ai ka eliminuar të gjithë emrat e komunistëve shqiptarë, por ka trajtuar si mendimtarë e atdhetarë ballistët, zogistët e të tjerë. Ja cili është kriteri ‘shkencor” i këtij botuesi!


Kjo njëanshmëri dhe ky anashkalim ideologjik, nuk është bërë madje as në kohën e regjimit komunist, të cilin Ndriçim Kulla e ka anashkaluar në tërësi, për arsye që nuk mund të shpjegohen me asnjë kriter shkencor, nëse ka pretenduar që Enciklopedia e tij të jetë shkencore, pa kufizime ideologjike e fetare.


Nga prezantimi del se shqiptarët me emra myslimanë qenkan  minoritet filozofik, kulturor e shkencor, në trojet shqiptare ndërkohë që e vërteta është krejtësisht ndryshe. Autori ka lënë anash edhe tërë botën femërore shqiptare, duke marrë nga ky mes vetëm Dora d’ Istrian, rumunen me origjinë shqiptare, ndërsa ka lënë anash, Parshqevi Qiriazin, Sevastie Qiriazin, Marigo Posion, Mersine Kokollarin dhe shumë femra të tjera shqiptare të periudhës prej vitit 1807 deri në vitin 1957, për të cilat si duket as ka dëgjuar as i ka hyrë punës për të zbuluar veprimtarinë e tyre patriotike. Ka lënë anash femrat e njohura të botës shqiptare si: Qerime Halili, (Shote Galica), Liri Gega, Liri Belishova Nexhmie Hoxha, Bije Vokshi, Vita Kapo, Fiqrete Shehu, Marie Shllaku, Katarina Josipi, Melihate Çuni, Vahide Hoxha, Drita Dobroshi, e shumë të tjera. Në mesin e botës femërore shqiptare ai ka anashkaluar madje edhe Gonxhe Bojaxhiun të njohur në botë si Nëna Terezë.


Në mesin e femrave shqiptare që kanë dhënë jo vetëm kontribut por edhe kanë derdhur gjak për çlirimin nga fashizmi nuk është përmendur asnjë emër nga heroinat e  Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, si: Persefoni Kokëdhima Bule Naipi, Zoja Çure, Liri Gera, Shejnaze Juka, Sado Koshena, Emine Peza, Inajete Dumi, Shejnaze Juka, Margarita Tutulani, Nimete Progonati, Penelopa Pirro, Qeriba Deri, Ganimete Tërbeshi Ibe Palikuqi, Qybra Sokoli, Fato Berberi, Ylbere Bylykbashi, Olga Pëllumbi, Hilmie Kosturi e shumë të tjera.


 


Autori, Ndriçim Kulla, në enciklopedinë e tij ka anashkaluar në tërësi edhe personalitetet e njohura arvanitase, ata të Çamërisë dhe të Iliridës. Përzgjedhja e tij duket krejt fragmentare, por me qëllime të caktuara ideologjike e politike, që nuk i bëjnë nder, as personaliteteve të prezantuara në Enciklopedi…,as publikut lexues. Nga 75 mendimtarët e përzgjedhur dominojnë emrat e mendimtarëve shqiptarë të krishterë, meritat e të cilëve nuk i konteston askush, dhe pse ato merita  nuk kanë as përafërsisht të njëjtën peshë, nëse i krahasojmë me ato personalitete  që nuk janë përmendur fare.


“Kriteri” ideologjik e fetar i përzgjedhjes është tejet i dëmshëm për unitetin kombëtar e fetar, për të cilin janë angazhuar shumica e personaliteteve të prezantuara në këtë enciklopedi. 


Këto anashkalime, kjo mungesë kriteri shkencor, bën që libra të tillë, edhe pse pretendojnë të quhen enciklopedi, edhe pse fryhen e përurohen me përurime spektakolare, nuk janë asgjë tjetër pos pamflete, të botuara për qëllime propagandistike, krejtësisht  jashtë kornizave të punës studimore shkencore.


Anashkalimi i mendimtarëve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, të personaliteteve me ndikim në rrafshin kombëtar të Kosovës, Iliridës dhe Çamërisë, është papërgjegjësi e rëndë, të cilën duhet ta ndëshkojë lexuesi dhe kritika e pastër shkencore, sepse nuk mund të arsyetohet anashkalimi, sidomos  kur kuptohet fare qartë se bëhet me qëllim hakmarrjeje për ish regjimin komunist, të cilit Kulla me siguri se i ka dhënë  jo vetëm një  kontribut ashtu sikur edhe shumë të tjerë…


 


 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …