Marrëveshjen e fundit, të nënshkruar në Bruksel, më 25 gusht 2015 nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, kryesuar nga krerët më të lartë të dy qeverive, pavarësisht se Prishtina zyrtare e interpreton si fitore të saj, është një marrëveshje tërësisht në interes të Serbisë dhe në dëm të Shtetit të Kosovës, të pavarësisë e të ardhmes së vendit. Kjo marrëveshja nuk ka si të mos na kujtojë Konferencën e Prizrenit të 8 e 9 gushtit të vitit 1945, kur delegatët nga Kosova, shumica e atyre që kishin nënshkruar Rezolutën e Bujanit (31.12.1943- 1.2. 1944) e cila legjitimonte të Drejtën e Kombeve për Vetëvendosje, pas fitores mbi forcat fashiste, 70 vjet më parë, shfuqizuan Rezolutën dhe morën vendim që Kosova të rimbetet në kuadër të Republikës së Serbisë e të RSFJ-së.
Asnjë marrëveshje e derisotme e nënshkruar mes shqiptarëve e serbëve nuk është arritur në principe të barazisë, apo në interes të shqiptarëve. Të gjitha marrëveshjet shqiptare-serbe, duke filluar nga ato të Esad Pashë Toptanit, të Ahmet Zogut, 100 vjet më parë me Serbinë e Pashiqit, Konferenca e Prizrenit e gushtit të vitit 1945, 70 vjet më parë, përpjekjet për marrëveshje në kohën e luftës së UÇK-së mes krerëve pacifistë dhe kryexhelatit të Serbisë, Milosheviq 1998-1999, Konferenca e Rambujesë e vitit 1999, Bisedimet e Vjenës në vitet e para pas luftës së UÇK-së dhe dëbimit të Serbisë gjakatare nga Kosova, Marrëveshjet e fundit të Brukselit: 2013-2015 nuk janë arritur mbi principe të barazisë, por vetëm duke u mbështetur në gjuhën e forcës, jo në forcën e argumentit.
Të gjitha marrëveshjet e derisotme të Kosovës me Serbinë kanë dëmtuar dhe po vazhdojnë ta dëmtojnë vendin tonë dhe interesin kombëtar shqiptar në Ballkan. Politikanët e vendit, pa asnjë përjashtim që nga Esad Pasha, Ahmet Zogu, Fadil Hoxha, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e të tjerë nuk kanë arritur të nënshkruajnë asnjë marrëveshje të qëndrueshme paqësore mbi principe të barazisë e mirëbesimit. Të gjitha marrëveshjet e derisotme me serbët janë nënshkruar mbi principe të forcës dhe fuqisë diplomatike që kanë pasur dhe të cilën e disponojnë diplomatët serbë, jo vetëm në Evropë.
Duke studiuar më thellë këtë problematikë, arrijmë në përfundim se asnjë argument historik apo etnik i shqiptarëve nuk është marrë parasysh me rastin e nënshkrimit të marrëveshjeve të derisotme shqiptare serbe. Nuk i japim të drejtë vetës t’i quajmë tradhtarë të gjithë nënshkruesit e deri sotëm të këtyre marrëveshjeve, në radhë të parë sepse Serbia, shteti xhandar i Evropës dhe i Rusisë, i krijuar në shekullin 19-të, e ka pasur dhe e ka mbështetjen e fuqishme, të gjithanshme të të gjitha Shteteve të Evropës, tani vonë me përjashtim të Anglisë e deri diku edhe të Gjermanisë. Nuk ka mundur të nënshkruajë marrëveshje në dobi të Shqipërisë, Ahmet Zogu, në kohën kur “Kralevina” po përgatitej ta gllabëronte Shqipërinë dhe ta ndante me Greqinë. Zogu u shit te Italia për ta ruajtur Shqipërinë gjysmake, të cilën më vonë e pushtoi Italia fashiste.
Vetëm Enver Hoxha nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje politike me Jugosllavinë. Për më tepër ai ka insistuar që të përfillet e të jetësohet “Rezoluta e Bujanit” dhe vazhdimisht në bisedimet diplomatike në Moskë e në kryeqytete të Evropës e të botës, ka insistuar në respektimin e të Drejtës së Kombeve për Vetëvendosje, në rastin konkret, për të drejtat e shqiptarëve, duke u bazuar në Rezolutën e Bujanit 1943-1944 dhe duke mos e pranuar asnjëherë konferencën e Prizrenit të vitit 1945, ku nuk u lejuan të marrin pjesë delegatët nga Shqipëria. Enver Hoxha nuk e ka nënshkruar as Hartën e Helsinkit të vitit 1973 mbi mos ndryshimin e kufijve të shteteve të Evropës. Këtë akt e ka arsyetuar me faktin se dy të tretat e territoreve shqiptare iu kanë dhënë padrejtësisht shteteve fqinje, Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Gjatë vizitës së tij në Rijekë në vitin 1946, Enver Hoxha ia kishte bërë të ditur kryetarit të Jugosllavisë, Josip Broz Tito padrejtësitë historike kundër shqiptarëve dhe kishte kërkuar të respektohej parimi i Vetëvendosjes së popujve, të cilët kishin marrë pjesë në koalicionin botëror Antifashist.
Të gjitha bisedimet e marrëveshjet e mëvonshme shqiptare-serbe i ka diktuar kreu i RSFJ-së deri në vitin 1989, kur Jugosllavia e Milosheviqit i hoqi Kosovës edhe autonominë e garantuar me Kushtetutën e vitit 1974 të RSFJ-së, për të cilët Tito ka thënë se ishte një kushtetutë që do ta shkatërronte Jugosllavinë.
Bisedimet e kreut pacifist të Kosovës në vitet 90 si dhe ato të kohës së luftës, nuk ishin bisedime mbi baza të barabarta, por ishte përpjekja e Serbisë së Milosheviqit për ridefiminin e një autonomie kulturore për Kosovën në kuadër të Serbisë. Në atë kohë, pati bisedime por nuk u arrit asnjë marrëveshje, përveç Marrëveshjes së Arsimit, të vitit 1997, të cilën e aranzhoi një qerthull katolik fetar i “Shën Egjidios” së Italisë dhe e cila u pranua të realizohet nga Milosheviqi në kohën kur NATO-ja kishte filluar bombardimin e Jugosllavisë së mbetur: Serbi-Mali i Zi dhe kur në Kosovë nuk funksiononte asnjë shkollë, as një institucion në kohën kur regjimi ia kishte dhënë flakën Kosovës nga vendi dhe ishin dëbuar me dhunë nga trojet e tyre, më shumë se 700.000 shqiptarë.
As marrëveshja e Rambujesë e vitit 1999 nuk u pranua nga Serbia edhe pse ajo ishte shumë më e favorshme për Serbinë se sa për vendin tonë.
Regjimi i Beogradit nuk e ka pranuar as “Pakon e Ahtisarit”, të vitit 2006, e cila i pranon Serbisë kontinuitetin shtetëror, pushtues, hegjemonist, nacionalist mbi Kosovën, i njeh territorin, gjeografinë, toponiminë e sllavizuar, i njeh të drejta ekskluzive Kishës Ortodokse Serbe, i njeh edhe autonominë e plotë veriut të Kosovës dhe të gjitha enklavave serbe në vendin tonë.
Marrëveshja e nënshkruar më 25 gusht 2015 është derivat i bazuar tërësisht mbi Pakon e Ahtisarit, dhe këtë pako nuk mund ta shfuqizojnë ata që e kanë nënshkruar dhe e kanë pranuar pas asnjë vërejtje të vetme.
Në të gjitha marrëveshjet e sotme shqiptare-serbe, rolin vendimtar, autoritar, pretekcionist dhe në esencë antishqiptar e ka ruajtur dhe po e luan Brukseli zyrtar dhe të gjitha shtete e Evropës, pa dallim, madje edhe ato që e kanë pranuar deklarativisht pavarësinë e Kosovës.
Urrejtja evropiane kundër shqiptarëve ashtu si në të kaluarën edhe aktualisht është urrejtje konstante mbi baza etnike e fetare dhe e tillë do të mbetet krejt derisa nuk ndërrojnë raportet botërore, gjeopolitike e gjeostrategjike. Ata që mendojnë se UNIMK-u BE-ja, EULEX-i, Gjykata Speciale kundër UÇK-së janë në dobi të shqiptarëve, ata që mendojnë se kanë fituar në bisedime me Serbinë, mund të jenë vetëm shqipfolës të mirë, evropianë të moderuar, të cilët konsiderojnë se Kombit e bashkimit i ka ikur vakti, se e kaluara duhet të sakrifikohet për hir të idesë së evopianizimit, njëjtë sikur kishin bërë stërgjyshërit e tyre, të cilët ishin bërë synet në emër të idesë të turqizmit dhe e kishin mbështetur Stambollin den baba den, ashtu sikur stërnipërit e tyre e mbështesin sot Brukselin, i cili po ua rrjep lëkurët e atdheut si dikur moti ashtu edhe sot.
Mbetet vetëm të ngushëllohemi duke përkujtuar sakrificën dhe heroizmin familjar të Adem Legjendarit, të dëshmorëve e martirëve dhe poezinë e Ndre Mjedës:
“Bylbyl ku shekull
Orë e çast ndërrohet,
Bien poshtë të naltit,
I vogli qohet…”