A. Qeriqi: Marrëveshjet gjithnjë të dështuara shqiptaro-serbe

Kryeadministratori i parë i Kosovës, Bernard Kushner, duke folur për pamundësinë  e marrëveshjeve mes shqiptarëve dhe serbëve, qysh në verë të vitit 1999 kishte thënë se  në mes të marrëveshjeve të dëshirueshme, qëndrojnë 13 shekuj armiqësi, andaj edhe çdo marrëveshje e pretenduar do të duhej të shikohej nga ky pozicion. Bernard Kushner, duket se e njihte historinë e pamundësisë së këtyre marrëdhënieve, ndoshta më mirë se politikanët tanë mjekë, juristë, policë por edhe historinë e të tjerë.


Përkufizimi i kësaj armiqësie që ka zgjatë 13 shekuj, është një realitet që flet më së miri. Armiqësia lindi në ditën kur fiset dhe hordhitë sllave u larguan në vendlindjet e tyre përtej Karpateve, Dnjeprit e Uralit dhe u turren drejt viseve të begatshme të Evropës e të Ballkanit. Është krejt normale, që armiqësia të lind kur vjen tjetri në tokën tënde, të vret, ta merr  pasurinë dhe të përzë nga vendi yt. Kjo praktikë barbare sllave nuk ka pushuar asnjëherë, madje as pas 13 shekujve. Në mbarimin e shekullit 20,  në vitin 1999 ajo nxori kokën në kohën e Serbisë së Milosheviqit, kur regjimi gjakatar i Beogradit filloi fushatën për likuidimin fizik të tërë një populli. Për ta parandaluar atë zezonë barbaroide, Aleanca Veriatlantike, aleanca ushtarake  më e fuqishme e botës,  intervenoi ushtarakisht dhe e detyroi të dorëzohet regjimin e Milosheviqit, por nuk arriti t’i bind serbët, se shfarosja e një populli është akt i barbarisë, që nuk do të lejohej, edhe pse, mjerisht, ishte lejuar kundër  myslimanëve të Bosnjës e Hercegovinës.


 


Edhe sot e kësaj dite, 13 vjet e gjysmë pas mbarimit të luftës, serbët u kanë dhënë besimin socialistëve të kryekriminelit Milosheviq dhe çetnikëve të Vojisllav Sheshelit. Edhe sot, politikanët në Beograd, ashtu si në korin e shtrigave, përsërisin moton e tyre: “Kurrë nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës”. Të këtij mendimi janë shumica dërrmuese jo vetëm e politikanëve serbë, por edhe e pjesëtarëve të këtij populli, që duket sikur është krijuar  për të shkaktuar krime, shëmti e mizori, të këtij populli të mitizuar e të helmatisur  nga kisha, e cila më së paku ka përcaktim fetar dhe në kujtesën e vet të deformuar pretendon se serbët janë popull “hyjnor” që kanë të drejtë t’i zhdukin nga toka popujt “tokësorë”, ngjashëm  sikur kishte menduar dhe kishte vepruar monstrumi, Adolf Hitler me qëllim  për t’ia imponuar botës  idenë e sundimit të botës nga “raca e pastër” ariane.


 


Marrëveshjet shqiptaro-serbe kanë qenë dhe po mbesin të pamundshme me faktin se serbët Kosovën e konsiderojnë vendlindjen e tyre, edhe pse dihet mirëfilli, se sllavët i mbajtën nën pushtim këto troje në kohën e Mbretërisë së Nemanjidëve, gjatë shekujve XII-XIII. Dihet po ashtu se ata janë ardhacakë në Ballkan dhe jo vendës. Dihet po ashtu se gjatë kohës së sundimit turk në Ballkan serbët kanë jetuar në pjesën e Serbisë prej Nishit deri në Beograd, duke qenë të sunduar herë nga turqit herë nga hungarezët.


 


Marrëdhëniet shqiptaro-serbe, në asnjë periudhë historike nuk kanë qenë parimore, as janë mbështetur në principin e tolerancës dhe fqinjësisë së mirë, me faktin se serbët në projektet dhe programet e tyre raciste, fashiste, kanë pasur dhe kanë për qëllim zhdukjen e popullit shqiptar. Këtë qëllim ata e kanë shfaqur publikisht, para tërë botës në vitin 1999 dhe këtë e ka parë tërë bota, e kanë parë dhe e kanë përjetuar mbi kurriz të gjithë shqiptarët liridashës.


 


Në të kaluarën janë bërë përpjekje të caktuara për të arritur marrëveshje si ato të Esad Pashë Toptanit me Nikolla Pashiqin, apo të Ahmet Zogut, Ceno beg Kryeziut e të tjerëve, të cilat kanë pasur sukses me faktin se Serbia i ka imponuara kushtet e marrëveshjes, sipas interesave të veta strategjike.


 


Serbët e kanë injoruar Marrëveshjen e Bujanit të fund vitit 1943 dhe fillim vitit 1944, duke qenë se ajo nuk ishte në interesin e tyre dhe përmes vasalëve e shpirtshiturve shqiptarë,  në gusht të vitit 1945 kanë mbajtur një mbledhje në Prizren ku kanë marrë vendim që Kosova të mbetet në Serbi.


Serbët, po ashtu duke mos u pajtuar me Kushtetutën e vitit 1974, në vitin 1989 suprimuan autonominë e Krahinës së Kosovës dhe Metohisë, shpallen gjendjen e jashtëzakonshme, dëbuan nga puna të gjithë shqiptarët, mbyllen shkollat e fakultetet dhe po bënin plane  për spastrimin etnik të Kosovës.


Prej vitit 1989 e deri në mbarimin e luftës sonë çlirimtare në qershor të vitit 1999, autoritetet politike të Serbisë kanë ofruar një varg marrëveshjes në bisedime me shqiptarët në Kosovë, duke përjashtuar mundësinë që Kosova të shpallet Republikë, apo shtet i pavarur. Lideri i popullit serb, Slobodan Milosheviq kishte bërë disa përpjekje për të biseduar me përfaqësuesit e shqiptarëve të Kosovës, me qëllim të arritjes së një kompromisi, por nuk kishte arritur rezultat, për shkak se ai nuk pranonte t’iu jepte shqiptarëve asgjë më shumë se një autonomi kulturore, të ngjashme me autonominë e para vitit 1974.


 


Shumë politikanë shqiptarë kanë bërë përpjekje për të arritur marrëveshje me Serbinë por kanë dështuar. Përpjekje të tilla, nga pozitat të pabarabarta kanë bërë: Ali Shukrija, Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Sinan Hasani, Mahmut Bakalli, Azem Vllasi, Rrahman Morina, Kolë Shiroka, Husamedin Azemi, Ibrahim Rugova, Fehmi Agani, Behxhet Pacolli, e të tjerë, por asnjëri prej tyre nuk kishte arritur një marrëveshje të qëndrueshme, për shkakun se Serbia i kishte imponuar kushtet dhe asnjëherë nuk kishte pranuar t’ua njihte shqiptarëve të drejtën për liri, barazi e vetëvendosje.


 


Jemi dëshmitarë të faktit se të gjitha bisedimet e derisotme me Serbinë kanë dështuar, duke përfshirë edhe bisedimet e Vjenës: 2006- 2007 dhe këto të fundit të viteve 2011-2012, të ndërmjetësuara nga BE-ja, meqë Serbia nuk ka realizuar as edhe një pikë të marrëveshjeve të arritura, të cilësuara si marrëveshje teknike.


 


Biseda të suksesshme me Serbinë mund të bëhen vetëm nëse gjenden politikanë poltronë shqiptarë, të cilët lëshojnë pe, në emër të një “kompromisi historik”. Se cili do të jetë ky kompromis mbetet për t’ u parë, por nuk duhet harruar një fakt kokëfortë. Nëse deri tani nuk ka pasur sukses asnjë marrëveshje, me të cilën nuk është pajtuar Serbia, a mund të pritet që të ndodh çudia dhe Serbia ta pranojë një marrëveshje, e cila do të u shkonte për shtati shqiptarëve?


Kjo mundësi përjashtohet me fatin se qëndrimi i Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës është  qëndrim unik i të gjitha forcave politike në Serbi, është qëndrim i rezonimit dhe logjikimit serb, madje edhe i atyre forcave, që me prononcimet e tyre më të matura, duken liberale.


 


Çdo kush në Kosovë e di se bisedimet mes Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë, nuk po  bëhen me vullnetin e Kosovës, por me imponimin e BE-së, për hir të përmirësimit të raporteve të saj me Serbinë, të përkeqësuar skajshëm qysh nga intervenimi i NATO-s, në mars të vitit 1999, kur të gjitha shtetet e Evropës, anëtare të Aleancës Veriatlantike pa dëshirën dhe vullnetin e tyre, përveç Britanisë së Madhe, iu binden qëndrimit të fortë amerikan dhe intervenuan nga ajri kundër makinerisë serbe të krimit, e cila kishte përgjakur të gjithë popujt e ish Jugosllavisë me pretendime për t’ i serbizuar dhe për t’ i mbajtur nën sundim.


 


Sesa shpirtgjerë janë treguar vendet e BE-së ndaj kriminelëve serbë mjafton të përkujtojmë vetëm faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk e shpalli fajtore Serbinë për krimet dhe gjenocidin e kryer në Bosnje e Hercegovinë, përkundrazi, BE-ja ia ka hapur Serbisë të gjitha portat, duke i bërë lëshime të njëpasnjëshme, madje edhe duke i detyruar autoritetet e Kosovës, të zhvillojnë bisedime politike për të gjitha çështjet, për të cilat ka interesim Serbia, edhe pse Kosova ka shpallur pavarësinë dhe shumë vende të botës e kanë njohur atë.


Bisedimet me Serbinë,  për sikur thuhet,  normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve, nuk i ka iniciuar Kosova, por Serbia dhe i ka pranuar BE-ja. Pikërisht  për këtë, është Kosova ajo e cila do të dëmtohet, sepse Serbia kërkon marrëveshje kompromisi, që do të thotë jo bashkim me Shqipërinë, jo shtet i pavarur me ushtri dhe ulëse në OKB,  por autonomi nën Serbinë. Kjo është platforma serbe, sidomos prej vitit 1945, e cila në esencë ka mbetur e njëjtë edhe pse në periudha të caktuar ajo ka pësuar modifikime,  por duke qenë gjithnjë  brenda kësaj kornize.


 


Prej 17 shkurtit të vitit 2008 kur Kosova ka shpallur pavarësinë, Serbia e ndihmuar veçmas nga shumica e vendeve të BE-së,  jo vetëm nga pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, sikur propagandojnë politikanët e disa medie në Kosovë, ka zhvilluar një politikë të fuqishme dhe intensive kundër Kosovës dhe ka arritur që në masë të madhe t’i stopojë njohjet, nga shumë shtete të botës. Prej kohës ka kanë rifilluar bisedimet e ashtuquajtura teknike mes Kosovës dhe Serbisë,  vendin tonë e kanë njohur vetëm disa shtete afrikane,  që nuk kanë kurrfarë peshe ndikimi në arenën ndërkombëtare. Aktualisht procesi i njohjeve ka stagnuar.  Serbia ka arritur rezultate falë lëshimeve që kanë bërë të gjithë politikanët e pas luftës në Kosovë, si ata që identifikohen me krahun pacifist edhe ata me krahun e luftës së UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Islami: Me fitoren e Donld Trumpit në Amerikë, Opozitës në Shqipëri i duket se iu afrua Shtëpia e Bardhë

Ka një gëzim të ekzaltuar dhe të pritur në opozitën shqiptare lidhur me rikthimin e …