A. Qeriqi: Përshtypje e vlerësime për librin, “Për ju o breza që ngritet Atdheun mbi supe” të ushtarakut, shkrimtarit e publicistit, Halil Katana
Shkrimtari dhe intelektuali i njohur shqiptar, koloneli i Ushtrisë Shqiptare dhe redaktori i revistës, “Pavdekësia”, Halil Katana, në kohën kur po vuante nga një sëmundje e pashërueshme, ka nxjerrë në dritë librin: “Për ju breza që ngritet Atdheun mbi supe”. Një muaj pas daljes në dritë të këtij libri, më 19 qershor të vitit 2012, Halil katana ndërroi jetë. Autori, në këtë libër ka sjellë një pasqyrë realiste dhe besnike të zhvillimeve historike në Shqipëri, para, gjatë dhe pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke u ndalur sidomos në periudhën e ndërtimit socialist të vendit, periudhë kjo që solli ndryshime rrënjësore, ekonomike, arsimore, shoqërore, ushtarake e kulturore në Shqipëri, zhvillime këto që ndikuan fuqishëm edhe në zgjimin dhe kalitjen e vetëdijes kombëtare te shqiptarët nëpër trojet, që kishin mbetur nën robërinë Jugosllave.
Ky libër, krahas edhe disa librave të tjerë, që trajtojnë këtë përmbajtje, dhe që janë botuar kohë pas kohe në Shqipëri e më gjerë, është i veçantë, në radhë të parë për qasjen realiste, të faktuar dhe të argumentuar, që autori i ka bërë Epokës së socializmit, në Shqipëri. Që në fillim, ka shpalosur arsyet e nxjerrjes në dritë të librit si dhe shkakun e mosbotimit në një periudhë më të hershme. Sido qoftë kjo vepër e shkëlqyer realiste, tashmë iu ka bashkuar të vërtetës së madhe historike, të asaj së vërtete të ndritshme, të cilën nuk e zhvlerësojnë dot përpjekjet e pareshtura të regjimit aktual në Shqipëri, për ta errësuar për qëllime dhe përfitime politike. Nuk thuhet kot: “Dielli nuk mbulohet me shoshë”. “E vërteta mënon po nuk harron”. “Gënjeshtra ecën shpejtë por nuk e bën të gjatë”.
Duke qenë pjesëmarrësi i ngritjes, zhvillimit dhe përparimit të Atdheut që nga mosha e re, Halil Katana, tashmë me shqetësime shëndetësore, iu ka rikthyer edhe njëherë kohës së kaluar, asaj kohe në të cilën ai së bashku me idealistët bënë të pamundurën për ndërtuar vendin e shkatërruar nga robëria shekullore, për ta arsimuar popullin, për ta siguruar bukën në vend, për të jetuar me dinjitet dhe për të mos pranuar vasalitete e urdhra nga mujsharët e botës. Duke arsyetuar hulumtimet e studime për të kaluarën, profesori i Universitetit “Sapienza” të Romës, Pietro Scoppola ka thënë se “Historia është raporti i përhershëm midis së sotmes dhe të kaluarës sonë. Ne kërkojmë tek e kaluara, shpjegimin e problemeve që kemi, kërkojmë ndërgjegjen e asaj që jemi sot”. Pikërisht, duke pasur para sysh raportin në mes të kaluarës dhe të tanishmes, Halil katana në librin e tij: O ju breza… ka marrë në shqyrtim një epokë, e cila për fatin e keq të Shqipërisë dhe të dinjitetit kombëtar, sa e sa herë është denigruar, dhe po bëhen përpjekje të pareshtura për ta denigruar për qëllime të pandershme politike.
Halil Katana, i takon brezit të Shqipërisë, që mori mbi supe pjesën e vet të ndërtimit të vendit, zhvillimit, arsimimit dhe emancipimit. Dhe, në këtë rrugë ai kishte shumë shokë e miq. Në këtë rrugë të mundimshme, ku gjithçka duhej të nisej nga e para, sepse shekujt ia kishin gërryer të gjitha gjymtyrët Shqipërisë dhe nuk i kishin lënë asgjë përveç blozës, kanunit, shkatërrimit dhe prapambetjes. Duhej nisur nga zeroja dhe duhej derdhur djersë ditë e natë për të arritur atje ku bota kishte arritur qindra vjet më parë. Duheshin bërë hapa epokalë dhe hapa të tillët nuk bëheshin dot pa një mobilizim gjithëpopullor, pa një politikë largpamëse dhe pa një vullnet të çeliktë të idealistëve. Në këtë kohë të kalitjes së çelikut, të kalitjes së forcës dhe vullnetit, njerëzit i kishin vënë vetes për detyrë ta bënin Shqipërinë, me çdo kusht, ta arsimonin popullin, të thanin kënetat e moçalet, të luftonin epidemitë fatale, të ndërtonin rrugët për komunikim dhe lehtësim të jetës së qytetarëve, të hapnin fusha e male për t’ i kthyer në tokë buke, të siguronin bukën, me qëllim që të mos kërkonin lëmoshë nga mujsharët e botës, të elektrifikonin vendin, të hapnin transhe e tarraca, të punonin bashkë, për të ndarë të mirat të gjithë së bashku, pa dallim.
Ishte kjo një botë e veçantë e mobilizimit dhe vrullit revolucionar, të cilin brezat idealistë të Shqipërisë e kishin marrë me shumë seriozitet, edhe pse Shqipëria e vogël dhe e cunguar jetonte nën izolim dhe kërcënim të vazhdueshëm e të përhershëm të fqinjëve grabitqarë, të cilët bënin përpjekje të pandërprera për ta dëmtuar, për ta detyruar të dorëzohej dhe për ta zhbërë, në çdo rast që konsiderohej i volitshëm.
Autori i librit, Për ju o breza…, Halil Katana, duke u mbështetur në këto dhe shumë fakte të tjera, për mes një metodologjie të përparuar shkencore, ka arritur që në 200 faqet e librit të analizojë, të argumentojë faktet dhe të vërtetat e pamohueshme të një epoke, që e ngriti lart Shqipërinë, e bërë kala të pamposhtur, e cila nuk u pushtua dot nga brenda as nga jashtë, edhe pse përpjekjet për ta pushtuar dhe për ta zhbërë nuk reshtën asnjëherë nga Lindja e nga perëndimi, nga veriu e nga jugu.
Në faqet e këtij libri, i cili lexohet me një frymë, pa iu ndarë dot as edhe për një pushim të vogël, autori përmes një analize të faktuar ka nxjerrë në dritë të vërtetat e argumentuara, të cilat mund të mos pranohen nga injorantët dhe mohuesit, por nuk mund të zhbëhen, as mund të varrosen, pavarësisht përpjekjeve madje edhe institucionale të politikave vasale dhe nënshtruara, për të paraqitur me ngjyrë të zezë krejt të kaluarën 50-vjeçare. Me mohimin e asaj të kaluare, ata mohojnë vetveten, sepse edhe ata vetë ishin pjesë përbërëse e atij realiteti, ishin shkolluar dhe ishin ngritur pikërisht nga regjimi i Enver Hoxhës, të cilit i kishin shërbyer me hir e pa hir, dhe për të cilin që të gjithë kishin qenë në gjendje ta jepnin edhe jetën, ashtu sikur edhe e kishin dhënë shumë bashkëkohës të tyre.
Përmes këtij libri, autori troket në veshin dhe në ndërgjegjen e Sali Berishës e Fatos Nanos dhe tërë klasës së konvertuar politike të Shqipërisë, për ata të cilët kishin qenë në mesin e vullnetarëve të devotshëm të ndërtimit të Shqipërisë socialiste dhe të cilët, më vonë, do të pranojnë pa pikë turpi se paskëshin qenë hileçarë dhe lapërdharë, meqë ia paskan punuar nën rrogoz. Këta dhe të tillët, duhet të skuqen kur të kujtojnë të kaluarën e tyre, por dhe të tashmen e tyre. Të kaluarën nga e cila mundohen të lahen, duke u zhytur aktualisht në llumin e korrupsionit dhe duke trumbetuar liri, zhvillim e mirëqenie, në kohën kur në Shqipëri, me dijen madje edhe mbështetjen e tyre, kanë lulëzuar të gjitha trafiqet e pista, droga, prostitucioni, trafikimi i qenieve njerëzore, vrasjet e përditshme, nga tre katër e më shumë në ditë, vrasjet për hakmarrje, mbytjet e përditshme në komunikacion, plaçkitjet e panumërta gjatë natës dhe në pikë të ditës, dhunimet, gangsterizmi, homoseksualizmi, SIDA, pedofilia dhe të gjitha prapësitë sodomiste që i ka njohur pjesa e përçudnuar e historisë njerëzore, por që asnjëra prej tyre nuk u lejua të “lulëzonte” në kohën e Enver Hoxhës. Sot, Salua, Berisha, Rama, Topalli, Nano e kasta e këtyre farisenjve, pretendojnë të na bindin se Shqipëria po lulëzon, po përparon, po futet në Evropë dhe po begatohet, por jo me të mirat e botës, Ajo po begatohet, në mos është begatuar deri në fyt me të gjitha sodomitë e botës.
Duke ballafaquar këto fakte, duke vënë në dukje të arriturat e socializmit të epokës së Enver Hoxhës dhe “të arriturat” në demokracinë pa fre të mujsharëve aktualë, politikë të Tiranës, shkrimtari, ushtaraku dhe publicisti, Halil Katana, ka vënë përballë dy botë, të cilat dallojnë si nata me ditën. Ai nuk e ka idealizuar shoqërinë socialiste të kohës, gabimet e mundshme të së cilës edhe i ka pranuar, por me fakte e argumente na rrëfen gabimet e mëdha dhe të papërballueshme, që u bënë kur njerëzit e prapaskenave dhe kurtheve e kapën pushtetin dhe në emër të demokracisë vazhduan luftën e klasave, duke nxjerrë në shesh shpirtin e tyre kolaboracionist, duke bërë përpjekje që luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare ta paraqesin si luftë civile, duke amnistuar fashizmin dhe krimet italo-gjermane, duke qëndruar në pushtet me përkrahje e mbështetje të Athinës dhe të Beogradit.
Libri: “Për ju o breza…” ka një mesazh të qartë, një mesazh sa historik aq edhe politik e filozofik. Dhe, ai mesazh na qartëson se e kaluara është pjesë integrale e gjakut, mundit dhe djersës sonë. Se bota nuk ka nisur me ne as nuk mbaron me ne, se injorimi i së kaluarës, është injorim i vetvetes, se plagët e shkaktuara të kombit nuk shërohen lehtë dhe mjerë ai që ia ka shkaktuar dhe ia shkakton për qëllim përfitimi, për sundim dhe imponim të vullnetit mbi shumicën…
Burrin e madh të Malësisë dhe të mbarë Shqipërisë, ushtarakun, intelektualin dhe shkrimtarin, Halil Katana nuk e kemi më fizikisht në mesin tonë, por fryma e tij krijuese ka mbetur dhe kurdoherë do të mbetet e freskët, e çiltër, largpamëse, e pastër në mendjet dhe në zemrat tona. Përveç familjes së nderuar, miqve e shokëve të idealit, Halili u mungon edhe luftëtarëve të lirisë në Kosovë, të cilët e donin dhe e nderon, të cilët nuk e kanë harruar as e harrojnë dot. Ai na mungon fizikisht, por fryma e tij jeton së bashku me veprat që ka lënë, jeton dhe do të jetojë në mesin e idealistëve të dëshmuar të kombit, në mesin e atyre burrave që kurrë nuk i tha të zezës e bardhë, as të bardhës e zezë, kurrë nuk hoqi dorë nga kontributi për Shqipërinë, Kosovën e për Atdheun në përgjithësi.
Nderim dhe lavdi jetës dhe veprës së Halil Katanës!
Veprat e botuara të Halil Katanës
Radioteknika.
Qarqet me parametra të përqendruar dhe sinjalet radioteknikë.
Antenat dhe valët.
Elementë të elektronikës.
Kudusi Lama, Gjenerali i luftës.
Tri dimensionet e luftës çlirimtare të Kosovës.
Ringritja e ushtrisë shqiptare.
Flamuri ynë…
Tre shokë dhe një alibi.
Vepra e lavdishme e rinisë tropojane për gjysmë shekulli.
Gjaku i tyre në damarët tanë, album enciklopedik.
Shkurtë Ademja në kujtesën time.
Vlaga e kësaj toke.
Zoga Dega, partizania shqiptare që mori pjesë në çlirimin e Beogradit.
Për ju breza që ngritet Atdheun mbi supe.