A. Qeriqi: Rifillimi i bisedimeve me Serbinë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte një gabim i pafalshëm

Rifillimi i bisedimeve me Serbinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ishte një gabim  i pafalshëm i krejt klasës politike të vendit dhe në veçanti i kreut institucional të Kosovës. Vetëm Vetëvendosja nuk mund të fajësohet për këto veprime të papërgjegjshme, të cilat po i kushtojnë dhe do t’ i kushtojnë edhe më shumë ardhmërisë së Kosovës.


 


Pas  shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt 2008, Serbia me aleatët  e saj kishte kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë shpjegime lidhur me shpalljen, sikur thuhej,  të njëanshme të pavarësisë. Pak kohë më vonë, GJND-ja kishte nxjerrë përfundimin se shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Serbia dhe qarqet pro serbe, të zhgënjyera me vendimin e GJND-së, kërkuan që Kosova të pranojë bisedime me Serbinë për disa çështje teknike, duke heshtur kërkesën për bisedime politike.


Krerët politikë dhe institucionalë të Kosovës, gati unanimisht u pajtuan që  të marrin pjesë në bisedimet lidhur me zgjidhjen e disa problemeve, që mund të quheshin teknike dhe të cilat mund të zgjidheshin si probleme mes dy shteteve, edhe pse e dinin mirë se Serbia nuk kishte hequr dorë nga Kosova dhe kurrë nuk do ta pranonte pavarësinë e saj.


 


Kreatorët e kësaj nisme politike nga Bashkimi Evropian kishin për qëllim t’i bënin me dije Serbisë se në procesin e rifillimit të bisedimeve ajo mund të përfitonte, meqë ata e dinin mirëfilli se politikanët e Kosovës me vetë faktin se kishin pranuar të bisedonin, pas shpalljes së pavarësisë dhe pas vendimit të GJND-së, mund edhe të lëshonin pe në çështjet me interes për Serbinë, që ishte  dhe në përputhje me interesimin e Brukselit për ruajtjen e status-quosë, duke i dhënë përparësi pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës.


 


Politikanët serbë, faktin e rifillimit të bisedimeve e interpretuan si proces i cili do të stoponte njohjet e pavarësisë së Kosovës, duke qenë se bisedimet nënkuptonin marrëveshje të reja të të dyja palëve. Realisht, në këtë drejtim Serbia kishte arritur shumë më tepër sesa kishte menduar. Në vitet në vijim stagnoi gati tërësisht procesi i njohjeve, ndërsa Beogradi zyrtar nxiti serbët e Veriut të Kosovës të demonstronin dhunshëm kundër pavarësisë, me qëllim që çështja e Kosovës të rikthehej në agjendën e BE-së, të OKB-së dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë. 


 


Në procesin e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilat BE-ja, Serbia dhe klasa e papërgjegjshme politike e vendit  i ka përkufizuar si bisedime teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, ( bisedime në mes të dy qendrave, por jo në mes të dy shteteve), delegacioni i Serbisë arriti të realizojë në tërësi synimet, duke pasur një përkrahje të pa rezervë nga ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Kuper. Delegacioni i Kosovës jo vetëm që nuk tregoi asnjë aftësi, asnjë ngurrim, asnjë mospëlqim, asnjë hezitim,  por në tërësi pranoi të gjitha kërkesat e palës serbe, madje duke i trajtuar marrëveshjet edhe si të arritura të reja ndaj Serbisë.


Duke qenë se delegacioni qeveritar i Kosovës lëshoi pe në të gjitha kërkesat e palës serbe, më në fund pranoi, që këto vendime të akordoheshin me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila i njeh Serbisë sovranitetin mbi Kosovën, edhe pse një kohë të gjatë qeveritarët e vendit deklaronin tërë pompozitet se kjo kërkesë e Serbisë nuk do të pranohej në asnjë mënyrë. Pavarësisht nga kjo, Serbia arriti që Kosovën ta mbajë të frenuar me një fusnotë, që nënkupton pavarësinë e cunguar, të mbajtur peng përgjithmonë.


 


Gjatë tërë procesit të bisedimeve delegacioni i Kosovës është treguar i paaftë, i papërgjegjshëm dhe në vazhdimësi ka lëshuar pe, duke u arsyetuar se kështu po kërkon Brukseli, miqtë tanë kudo në botë, madje edhe vetë Amerika. Po kjo nuk mjaftoi, sepse politika zyrtare e Serbisë nuk e lëshoi rastin nga dora. Ajo i ka fituar marrëveshjet e arritura në bisedimet e quajtura teknike dhe më pas ka  kërkuar që bisedimet të ngrihen në nivelin politik. Edhe pse qeveritarët e Kosovës kishin deklaruar sa e sa herë se “kurrë” nuk do të bisedojnë me Serbinë për çështje politike, as për tërësinë, apo veriun e vendit, tashmë po e pranojnë hapur se me Serbinë ( me Beogradin) do të pranojnë të bisedojnë për të gjitha problemet, duke i shtuar përkufizimin si bisedime mes dy shteteve, edhe pse dihet mirëfilli se shteti me të cilin po bisedon Kosova, nuk e ka pranuar as do ta pranojë pavarësinë e shpallur në shkurt të vitit 2008.


 


Tani,  kur pritet të rifillojnë bisedimet politike në nivelin e lartë, ka filluar një dridhje në mesin e tërë klasës politike të Kosovës. Ky proces e ka dridhur edhe PDK-në, partinë më të madhe në vend  dhe ka nxjerrë në sipërfaqe mospajtime të thella mes krerëve më të lartë të vendit. Mospajtime lidhur me rifillimin e procesit të bisedimeve, kanë tronditur edhe AAK-në e LDK-në. Vetëm Vetëvendosja ka mbetur e prerë në qëndrimin injorues të bisedimeve me Serbinë, ndërsa partitë e tjera nuk kanë pozicion të prerë unik brenda partisë.


 


Beogradi zyrtar arriti ta përçajë edhe më tej klasën politike të Kosovës, e cila tashmë rrezikon dridhje të tjera të brendshme, mbase edhe zgjedhje të parakohshme, me qëllim të shtyrjes së procesit dhe rikomponimin e  një klase politike, e cila do ta ulëte edhe më tej pazarin e Kosovës në bisedime me Serbinë, apo në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës.


 


Institucionet e Kosovës: Presidenca, Qeveria dhe Kuvendi, të gjithë tok  kanë përgjegjësi politike dhe morale për  lejimin e degradimit të pavarësisë së Kosovës, me rastin e pranimit të bisedimeve me Serbinë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pranimit të kësaj pavarësie nga 90 shtete të botës, në mesin e tyre edhe të disa shteteve më të fuqishme të rruzullit.


 


Çuditërisht nuk ka ndodhur as edhe një dorëheqje në shenj të mospajtimit me këtë proces të dëmshëm dhe të dënueshëm për mbarë vendin. Asnjë deputet nuk ka dhënë dorëheqje, asnjë deputet nuk e ngrirë aktivitetin e vet në Kuvend, në shenj mospajtimi,  edhe pse shumë prej tyre kanë shprehur një retorikë të fuqishme, madje edhe bombastike kundër bisedimeve. Asnjë zyrtar i lartë i Qeverisë nuk e ka kundërshtuar rifillimin e procesit të bisedimeve me Serbinë. Nuk e ka pezulluar punën në Kuvend, as Lëvizja Vetëvendosje, si formë presioni kundër bisedimeve. Mospajtimin e tyre nuk e kanë demonstruar në rrugë as veteranët e invalidët e luftës së UÇK-së, as e ashtuquajtura shoqëri civile.


 


Në një gjendje të tillë rezignuese, duket se shumica dërrmuese e qytetarëve të Kosovës  po pajtohet me fatin, shumica po tregohet e pa interesuar për këto procese politike, andaj edhe politikanët tanë veprojnë sipas shijeve, bindjeve dhe përfitimeve politike, që mendojnë se do t iu sjellë edhe procesi i vazhdimit të bisedimeve, sepse pavarësisht se kush dhe çka do të negociojë me Serbinë, ajo nuk heq dorë nga aspiratat për pezullimin e pavarësisë, ashtu sikur kishte pezulluar autonominë e Kosovës në vitit 1989. Në mendësinë totalitare të politikanëve serbë, asgjë nuk ka ndryshuar sa i përket kthimit të hegjemonizmit në Kosovë. 


Ata, që besojnë se Serbia do ta këmbejë anëtarësimin në BE, duke hequr dorë nga Kosova nuk janë vetëm mendjelehtë e të padijshëm, por janë edhe hipokritë e djallëzorë, sepse nuk duhet shumë dije për të kuptuar synimet e Serbisë, e cila për 90 vjet rresht ka vepruar në drejtim të zhdukjes totale të shqiptarëve, ka hartuar dhe ka vënë në jetë sa e sa plane të tilla dhe vazhdon të veprojë intensivisht në këtë drejtim.


Rifillimin e bisedimeve politike me Serbinë nuk do të duhej ta lejonim në asnjë mënyrë, me asnjë çmim, sepse vjen një ditë dhe bëhet vonë për të gjitha.

Kontrolloni gjithashtu

David Kanin: Për të pasur një zgjidhje të qëndrueshme, ajo duhet të vijë nga vetë protagonistët e jo të imponohet nga jashtë

David Kanin: Albin Kurti është figurë jo popullore jashtë Kosovës, tani do të përballet me Amerikën

Ish-analisti i mirënjohur  në CIA, aktualisht profesor i Studimeve Evropiane, Dejvid Kanin, ka komentuar fitoren …