leoni

A. Qeriqi: Tallja me bustin e Skënderbeut, është tallje me historinë dhe përkatësinë kombëtare

Në 10 vitet e fundit, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, herë-herë ka marrë përmasa një fushatë antikombëtare,  e cila veç tjerash ka qenë e drejtuar edhe kundër heroit kombëtar të të gjithë shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Madje janë botuar edhe libra të autorëve të huaj, të shkruar me porosi nga qarqet antishqiptare të Beogradit dhe Athinës, sikur libri i sllavistit, Shmidt për Skënderbeun dhe disa komente e shkrime të zeza të disa autorëve shqipshkronjës, si, Fatos Lubonja, Pirro Misha, Maks Velo e soji i tillë, që i mbajnë ison çdo të huaji kur vjell vrerë kundër historisë sonë kombëtare.


 


Kjo fushatë aktualisht bëhet mbi baza fetare, të grupeve e sekteve të ndryshme të cilat identifikohen me islamin ekstrem, me atë “mësim”  të islamit i cili nuk mbështetet në Kur-an, por gjen mbështetje te ata që duan t ia vënë minat edhe Qabesë dhe tërë kulturës materiale islame. Nuk është e rastësishme tallja e dy apo tre ekstremistëve me bustin e Skënderbeut në Kaçanik dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën e Krijimit të “Kalifatit Islam” në Irak dhe kërcënimit se pasi të pushtohet Arabia Saudite, do të ngrihet në erë Mekkeja, sepse konsideret idhull pagan prej guri. Çoroditje të tilla, natyrisht se manifestohet edhe te të çoroditurit tanë, të cilët nuk dinë të bëjnë dallim mes kombit e fesë, mes historisë kombëtare dhe asaj fetare. Rasi i fundit në Kaçanik, përdhosja e fotove të Skënderbeut në disa shkolla, deklarimi hapur kundër tij i qarqeve të caktuara, duhet të dënohet jo vetëm verbalisht dhe jo vetëm individualisht.


Qeveria e Kosovës duhet të vë në veprim dhe ta zbatojë  ligjin kundër përdhosjes së figurave kombëtare, në mënyrë që një soj i njerëzve të pandershëm dhe të papërgjegjshëm për veprimet e tyre antikombëtare, devijantët, të çoroditurit, sharlatanët, kokëshkretët të  marrin dënimin e merituar, në rast të përdhosjes së vlerave kombëtare. Jemi dëshmitarë edhe të ekstremit tjetër kur një gazetar, shqipfolës  përdhos edhe figurën e Legjendarit Adem Jashari dhe luftën heroike të UÇK-së dhe jo vetëm që nuk ndiqet penalisht, por vazhdon të shkruajë, të shajë e të fyejë gjithçka që është shqiptare, nacionaliste, edhe pse shkruan në gjuhën shqipe dhe nuk njeh gjuhë tjetër, përveç ndoshta ndonjë serbishteje të çalë, me të cilën komunikon  me ndonjë gjakpërzier si vetë.


 


Sharlatanëve, trutharëve që u ka marrë koka erë, çanaklëpirësve të kuzhinave të huaja cilatdo qofshin ato, duhet të iu bëhet me dije se ngritja kokë kundër historisë, kundër traditës kombëtare, nuk ka asgjë të përbashkët me islamin as krishterimin, por ka të përbashkët përpjekjen për ta minuar tolerancën fetare ndër shqiptarë, e cial ka qenë dhe mbetet diga e vetme unifikuese e kombit, ashtu sikur 36 shkronjat e alfabetit, Gjuha e përbashkët letrare dhe fondamentet e përbashkëta të traditës sonë afirmative.


 


Të iu përkujtojmë fanatikëve të verbër shqiptarë se Sulltanët kishin vrarë madje edhe bijtë e bijat e tyre, për shkaqe rivaliteti dhe trashëgimie të pushtetit perandorak. Të iu përkujtojmë me këtë rast  atyre se ligji i devshirmesë, që urdhëronte kidnapimin e fëmijëve të  vegjël të krishterë, me të cilët formoheshin formacionet e armatës së klonuar të jeniçerëve, ishte një ligj antinjerëzor, anti islam,  që nuk mbështetej në asnjë fjalë të Kur-anit. Në asnjë ajet të Kur-anit nuk lejohet ndërrimi me dhunë i fesë, nuk lejohet rrëmbimi i fëmijëve të mitur dhe degdisja e tyre duke u ndërruar fenë, besimin, prejardhjen.  Këto monstruozitete nuk i lejon Kur-ani, pavarësisht sesi mund t’ i interpretojnë këto fakte fanatikët, që nuk shohin më tej hundës së tyre dhe që qëllimet e tyre mundohen t’ i realizojnë duke u mbështetur nën petkun e fesë dhe jo vetëm të fesë islame.


 


Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e krijoi shtetin e parë shqiptar në Mesjetë. Ishte i pari që i bashkoi prijësit  feudalë të kohës, për të mbrojtur interesat e përgjithshme dhe jo ato parciale. Shqipëria asokohe ishte një shtet, që u njoh botërisht dhe që iu dha zemër popujve të shtypur të Evropës për të luftuar kundër pushtimit turk. Faktet historike flasin se Evropa asnjëherë nuk e ndihmoi Skënderbeun, në nivelin që duhej dhe me mundësitë teknike e ushtarake, që i dispononte. Po të kishte qenë Skënderbeu më katolik se Papa, po të kishte qenë lufta e tij luftë fetare si ajo e kryqëzatave, me siguri se Evropa e krishterë jo vetëm do ta kishte ndihmuar, por do ta kishte mbështetur me të gjitha forcat. Por kjo nuk ndodhi, sepse Papa nuk e shihte Skënderbeun si mbrojtës të krishterimit, sikur është pretenduar në kohën e romantizmit, por si mbrojtës të vendit, gjuhës, kulturës dhe traditave të të parëve të tij.


 


Ne nuk kemi asnjë arsye  ta ndërrojmë as ta mohojmë historinë tonë të rezistencës, sepse nuk është histori pushtimesh e shkatërrimesh të popujve, por është histori e mbrojtjes së nderit dhe dinjitetit kombëtar, fetar e njerëzor. Po ashtu, nuk mund ta revidojmë historinë e rezistencës sonë të pastër kombëtare për shkak të miqësisë aktuale me Turqinë. Turqia dhe ata shqiptarë  islamë fanatikë, të cilët nuk e njohin as kanë respekt për kombin dhe rezistencën historike shqiptare, le të mjaftohen edhe me anën tjetër të historisë shqiptare, të historisë pacifiste e mercenare të 33 apo 38 serasqerëve, (kryekomandantëve të Perandorisë Osmane) që pjella shqiptare ia kishte falur Stambollit, por pa harruar se shumicës prej tyre, sulltanët  iu kishin shkurtuar kokat,  si Ibrahim pargaliut të Çamërisë, Ajaz Mehmed Pashës së Vlorës, Lutfi Pashë Çelebiut, Sinan Pashë Topojanit, Halil Patronës të Manastirit, Ali Pashë  Tepelenës dhe dhjetëra të tjerëve. Kokat e tyre nuk u shkurtuan si koka krishterësh, por si besimtarë islamë që nuk e duronin sundimin despotik, gjakësor të Sulltanëve.


 


Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është heroi kombëtar i të gjithë shqiptarëve që e duan, e nderojnë dhe e respektojnë kombin, gjuhën traditën dhe fenë e tyre, cila do qoftë ajo. Ai dha një shembull historik të qëndresës së pastër dhe të motivuar kombëtare, e cila u bë burim frymëzimi jo vetëm për shqiptarët liridashës, por edhe për të gjithë popujt e robëruar të Evropës e më gjerë.


Gjergj Kastrioti është personaliteti numër një i kombit shqiptar, të cilin nuk e ka mohuar asnjë pushtetar shqiptar deri sot, sepse ai përfaqëson ADN-në kombëtare e shtet-formuese shqiptare.


Skënderbeu është autoriteti i pakontestuar i kombit, që përfaqëson historinë e qëndresës shqiptare, historinë e tolerancës fetare e njerëzore, është burim frymëzimi për tëra mendjet e ndritura të kombit. Andaj përpjekjet për njollosjen e këtij kolosi e Anteut të Shqipërisë, janë përpjekje ogurzeza të mendje-skllevërve, të shpirtshiturve, të mercenarëve dhe mbetjeve nga e kaluara. 

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …