leoni

A. Qeriqi: Wilkinson denoncon arbitraritetin antishqiptar të misionit EULEX në Kosovë

Ish-oficeri amerikan i Policisë në Departamentin Ekzekutiv për krim të organizuar, krime lufte dhe terrorizëm në kuadër të misionit të BE-së,  EULEX në Kosovë,  zotëri, Troy Wilkinson, i cili gjatë aktivitetit të tij, në kuadër të misionit të BE-së ka qenë i angazhuar të merret  ekskluzivisht me rastin Limaj, ka deklaruar se prokurorja e EULEX-it, Isabelle Arner, kishte qenë kategorike për burgosjen pa kusht të deputetit dhe ish ministrit, Fatmir Limaj.  Ajo i kishte thënë z. Wilkinson  se nuk donte të dinte nëse ka apo nuk ka fakte kundër tij, por donte me çdo kusht që ministrin e atëhershëm të MTPT-së, z. Fatmir Limaj ta burgoste. Këtë fakt skandaloz, ku nga përbrenda EULEX-it zbulohet qëndrimi antishqiptar i krerëve të këtij misioni   e ka bërë të ditur në një intervistë për gazetën “Zëri”, Troy Wilkinson. Ai, mes tjerash ka sqaruar se nuk ka pasur asnjë fakt të vetëm në lidhje me Limajn, meqë ka hetuar kompjuterët, serverët, disqet dhe nuk ka gjetur asnjë provë relevante, duke ka shtuar se asnjë e dhënë e vetme nuk ishte fshirë në serverët e MTPT-së, ashtu siç është thënë atëbotë nëpër medie. Ai ka bërë të ditur edhe faktin se misioni i BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, përzgjedhjen e rasteve për hetime e ka bërë në mënyrë selektive. Sipas tij, rasti Limaj është një prej shumë rasteve hetuese, që EULEX ka bërë duke i përzgjedhur ato. Amerikani, Vilkinson, i cili për gati dy vjet ka punuar edhe në UNMIK dhe po aq vjet edhe në EULEX, ka thënë se ndërhyrja e politikës ndërkombëtare në përzgjedhjen e rasteve, në Kosovë,  është evidente.


 


Denoncimi, që ish-oficeri amerikan i Policisë në Departamentin Ekzekutiv për krim të organizuar, krime lufte dhe terrorizëm,  në kuadër të misionit të BE-së,  EULEX,  zotëri, Troy Wilkinson, i ka bërë EULEX-it, lë për të kuptuar se ky mision, ashtu sikur kemi thënë sa e sa herë deri tani, nuk është tjetër veçse një mision ekzekutiv, që zbaton politikë antishqiptare, duke u mbështetur ekskluzivisht në dosjet e hartuara kundër ish udhëheqësve të UÇK-së, të regjimit të Beogradit, të kohës së kryekriminelit të Ballkanit, Milosheviq, politikë e cila ende është shumë e fortë në Serbi edhe 12 vjet pas luftës. Wilkinson ka denoncuar vetëm një anë të së vërtetës, por nga një denoncim i tillë, duke pasur para sysh qëndrimin konstant, antishqiptar të këtij misioni, opinioni në Kosovë po bindet përfundimisht se stagnimi i proceseve politike, situata e nderë në veri, mosnjohja e pavarësisë së Kosovës, bashkëpunimi në të gjitha segmentet me Qeverinë e Beogradit, fushata e egër dhe  konstante kundër ish pjesëtarëve të UÇK-së, pretendimet e hapura për kriminalizimin e UÇK-së, janë prioritete të këtij misioni, i cili ka arritur shumë në këtë drejtim, falë edhe një segmenti përkulës e vetë-skllavërues të autoriteteve tona, të cilët i kanë bërë dhe i bëjnë aminin çdo autoriteti të huaj, kushdo qoftë ai, ashtu sikur i kanë bërë edhe regjimit të Beogradit në të kaluarën.


Misioni EULEX në Kosovë nuk do të mund ta zbatonte politikën antishqiptare të Beogradit, po të ishte unik në qëndrime krye ynë politik. Pikërisht për shkak të përçarjeve dhe bajraktarizmit të politikës në vendin tonë, EULEX-i arrin t’i realizojë në përpikëri qëllimet dhe synimet e veta. Ai madje ka arritur të përçajë edhe vetë kreun politik dhe institucional të Kosovës duke shantazhuar personalitete të caktuara,  që i binden këtij misioni me qëllim për të qëndruar sa më gjatë në poste udhëheqëse.


 


 


EULEX-i,  faqja e zezë e BE-së në Kosovë


 


Tri vjet pas zbarkimit dhe vendosjes në vendin tonë  të zyrtarëve, policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve të misionit të BE-së, i quajtur EULEX, shqiptarët liridashës janë bindur përfundimisht se ky mision nuk ka ardhur në vendin tonë me qëllim të vendosjes së “sundimit të ligjit”, por ka mbetur në funksion të rikthimit të regjimit të Beogradit në Kosovë dhe esencialisht mbetet i orientuar kundër vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, madje në këtë drejtim është treguar edhe më këmbëngulës sesa  UNMIK-u.  


Deklaratat e papërgjegjshme dhe kërcënuese të zëdhënës së EULEX-it, Kristina Herodes, se nuk do të ndalet arrestimi i ish pjesëtarëve të UÇK-së,  pastaj deklaratat e Piter Fejtit se disa personalitete, që Kosova i konsideron heronj paskan bërë krime lufte, tregojnë krejt hapur jo vetëm disponimin antishqiptar të këtyre dy misioneve, por edhe përpjekjet që po bëhen për të diskredituar luftën e UÇK-së dhe për  t’i paraqitur shqiptarët si vrasës, e serbët si viktima.


Kjo përpjekje antihumane dhe antishqiptare ka për qëllim t’ ia “pastrojë” Serbisë faqen e zezë fashiste, nëse këtë mund ta pastrojë BE-ja,  para se ajo të futet në Evropë. Vetëm duke “e liruar” Serbinë nga krimet ajo do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Për këtë arsye BE-ja lejoi liberalizmin e vizave për Serbinë, edhe pse ajo nuk i ka dorëzuar të gjithë kriminelët e luftës, edhe pse mban nën shantazh Bosnjën e Hercegovinën, edhe pse vazhdon ta konsiderojë NATO-n si agresore, edhe pse nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, as pas  deklarimit pro pavarësisë të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.


 


Qëllimi i EULEX-it nuk është “vendosja e sundimit të ligjit”, as sigurimi i kufijve dhe i doganave të Kosovës, as ndjekja e kriminelëve serbë, as lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,  as dënimi apo ndëshkimi i zyrtarëve e policëve të këtij misioni,  që janë kapur në flagrancë gjatë kontrabandimit në kufi me Maqedoninë. Në këto drejtime EULEX-i nuk ka bërë asnjë hap.


EULEX-i e di fare mirë si funksionin mafia dhe si po lulëzon krimi i organizuar në Veri të Kosovës, por nuk ndërmerr as edhe një veprim, madje EULEX-i u shpreh kundër vendosjes së policëve shqiptarë në pikat kufitare në Jarinë dhe në Bernjakë më 25 korrik të këtij viti, duke e fajësuar Qeverinë e Kosovës pse ajo bëri përpjekje ta shtrijë kontrollin në këtë pjesë të territorit të vendit tonë.


Ky mision, është pjesë nga përmbajtja (dhe struktura kombëtare, kryesisht me pjesëtarë të popujve sllavë)  e ish misionit të BE-së, në Bosnje e Hercegovinë, në verë të vitit 1995, kur serbët në prani të misionarëve paqeruajtës të Evropës, ndër sy të tyre, mbase edhe me bekimin e tyre, vranë rreth 8000 myslimanë në Srebrenicë, në mesin e tyre, gra,  fëmijë e pleq.


 


Janë të shumta faktet të cilat flasin se, misioni EULEX i BE-së në Kosovë bën politikën e Beogradit zyrtar dhe ka për qëllim final, krijimin e parakushteve për copëtimin faktik të vendit dhe diskreditimin e pavarësisë së Kosovës. Edhe paraardhësi i këtij misioni, UNMIK-u, ka bërë politikën e Beogradit, por ka qenë shumë heterogjen sa i përket përkatësisë dhe prejardhjes së pjesëtarëve dhe nuk ka qenë unik në qëndrimet kundër pavarësisë së Kosovës. Mbetjet e këtij misioni ende janë të pranishme sidomos në pjesën veriore të vendit, atje ku  qeverisin strukturat paralele serbe nën diktatin e Beogradit, të ndihmuara si nga UNMIK-u ashtu edhe nga EULEX-i, i cili ka hapur edhe zyrat e veta në atë pjesë ende të okupuar të Kosovës.


 


EULEX-i bën politikën e pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës


 


 


EULEX-i bën politikën e pesë vendeve anëtare të BE-së, të cilat nuk e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, sepse vendi kryesues i radhës i këtij Unioni është Spanja, e cila është në krye të bllokut të shteteve, që nuk e njohin pavarësinë e vendit tonë.


Si do të vepronte në të mirë të qytetarëve të Kosovës një mision policor, që nuk e njeh pavarësinë e vendit dhe kryesohet nga shtetet që e kundërshtojnë hapur këtë pavarësi?


Se, EULEX-i është mision që shpërfill interesin e Kosovës, u pa që në fillim të instalimit në vendin tonë, kur kreu i misionit, duke anashkaluar Qeverinë e Kosovës, lidhi një varg marrëveshjesh e protokollesh me Beogradin, edhe pse Serbia nuk ka pushtet legal në Kosovë, qysh prej qershorit të vitit 1999. Misioni si i tillë është i njëanshëm, meqë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës por e njeh “të drejtën” e Serbisë mbi vendin tonë.


Të shumta janë qëndrimet e EULEX-it kundër shqiptarëve dhe jo serbëve të Kosovës.


Ky mision bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë dhe i ndjek penalisht ish ushtarët e UÇK-së, për të cilët kishte hartuar dosje regjimi kriminal i Milosheviqit.


EULEX-i nuk është mirëpritur nga popullsia shumicë dhe nuk ka përkrahës në mesin e popullit shqiptar, duke përjashtuar dy tri OJQ mercenare dhe klanin medial të Kohës Ditore.


Edhe Qeveria e Kosovës nuk ka kurrfarë bashkëpunimi real me zyrtarët e këtij misioni, por vetëm “ bashkëpunim” formal dhe deklarativ.


Kërcënimet e zëvendës-kryeprokurorit Johan Van Vrisvijk, që i kishte drejtuar Qeverisë kanë qenë  kërcënime tipike të banditëve e gangsterëve, të prejardhur nga bota e krimit, të cilët i ka nxjerrë në sipërfaqe rasti dhe momenti historik, nëpër të cilin po kalon vendi ynë.


Ndërkohë ish mjeku i grave, zëvendës-kryeprokurorit Johan Van Vrisvijk, u largua nga Kosova me bisht nën këmbë, pa dhënë shpjegime zyrtare lidhur me largimin e papritur dhe pa realizuar premtimet që kishte bërë kundër shqiptarëve liridashës.


Në kuadër të policisë dhe gjyqtarëve e prokurorëve të EULEX-it ka zyrtarë të korruptuar, me dosje penale dhe me të kaluar të dyshimtë.  Të sjellim në kujtesë rastin kur në doganën e Maqedonisë janë ndaluar dhe janë arrestuar 15 zyrtarë të këtij misioni, për trafik me duhan dhe alkool.


Në raportin, që është hartuar nga një ekip i ekspertëve holandezë të Shërbimit të Prokurorisë Publike, që mbikëqyr  edhe punën e prokurorëve, bëhet e ditur se në mesin e prokurorëve, që kanë bërë shkelje ligjore ndodhet edhe emri i zëvendës-prokurorit të EULEX-it në Kosovë, Johan Van Vrisvijk. Inicimi i hetimeve është bërë pas shfaqjes së një TV dokumentari në Televizionin Publik holandez, më 31 janar 2011. Gjatë një pune disa mujore, në bazë të aktgjykimeve të mbledhura, gazetarët holandezë kanë konstatuar se së paku 90 prokurorë holandezë kanë bërë gabime gjatë hetimeve të veprave penale. Shumë nga gabimet janë bërë me qëllim për të siguruar që të akuzuarit të dënohen. Fakte në favor të mbrojtjes janë fshehur, e nganjëherë edhe  janë falsifikuar. Publikimi i këtyre abuzimeve me ligjin  në TV dokumentar si dhe publikimi në internet i listës me emrat e prokurorëve ka nxitur reagime dhe debate të shumta në Holandë.


Cila është vlera morale e njerëzore  e një prokurori të tillë, i cili duke qenë vetë abuzues dhe shkelës i ligjit në vendin e tij, dhe një soj i tillë lejohet të ndërtojë “sundimin e ligjit” në Kosovë? Çfarë kredibiliteti moral dhe profesional ka një zyrtar i tillë, për të ndjekur krimin kur është vetë pjesë e veprave të inkriminuara?


 


EULEX-i ka për qëllim t’ i kundërvihet interesit amerikan në Kosovë dhe në rajon


 


EULEX-i është mision, i cili ka për qëllim t’ i kundërvihet interesit amerikan në Kosovë dhe në rajon, duke bashkëpunuar ngushtë me Beogradin zyrtar. Pikërisht për shkak se Qeveria e Kosovës ka përfillur interesin e kompanive amerikane dhe turke me rastin e dhënies së tenderëve për Autostradën Vërmicë-Merdare dhe për Aeroportin e Prishtinës, zyrtarët e këtij misioni kanë filluar hetimet spektakulare  “për korrupsion” drejtuar Qeverisë së Kosovës. Aktin e tillë të ndërhyrjes kundër MTPT-së e kishte quajtur të papranueshëm edhe ambasadori amerikan, në Prishtinë, Kristofer Dell, i cili e përfill luftën kundër korrupsionit, por jo mënyrën brutale dhe represive  të ndërhyrjes nga Policia e EULEX-it.


Me veprime të tilla, të disponuara armiqësisht kundër shqiptarëve liridashës dhe kundër Qeverisë së Kosovë, me arrestime e bastisje të luftëtarëve të UÇK-së, burgosjen dhe dënimin e aktivistëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, me përpjekje për ta diskredituar pavarësinë dhe institucionet e vendit, EULEX-i tashmë ka zbuluar sheshit qëllimet e veta.


Shantazhet e EULEX-it kundër personaliteteve me ndikim në Kosovë, para së gjithash shkelin të drejtat elementare të njeriut, sepse me shantazhe, kërcënime për humbje të karrierës dhe burgosje, në rast të mos bashkëpunimit, EULEX-i po kthehet në një mision fantom, diktatorial, që ka për qëllim diskreditimin e luftës së UÇK-së, devalvimin e luftës sonë çlirimtare, barazimin e  viktimës me xhelatin dhe “larjen” e Serbisë nga mëkatet, në mënyrë që ajo, krejt e “pastër” të futet në Bashkimin Evropian. Fakti, që EULEX-i nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe bashkëpunon me Serbinë në të gjitha segmentet, lë për të kuptuar se angazhimi i këtij misioni ka qenë dhe po mbetet në funksion të rikthimit të Kosovës nën sovranitetin e Serbisë.


Arrestimi dhe caktimi i paraburgimit për ish-eprorin e lartë të luftës së UÇK-së dhe kryetarin  komunës së Therandës, Blerim Kuçi, ka qenë  shembulli konkret i sjelljes antinjerëzore të këtij misioni, i cili kërcënon dëshmitarët, i shantazhon ata dhe kur nuk pranojnë të bashkëpunojnë edhe i arreston. Kështu ka vepruar regjimi titist në Kosovë dhe njëjtë ka vepruar edhe regjimi kriminal i Milosheviqit. Dallimi qëndron në faktin se regjimi policor i Milosheviqit ka ushtruar dhunë brutale deri në likuidim fizik të liridashësve të Kosovës, ndërsa hetuesit e EULEX-it përdorin dhunë psikike, shantazhin, arrestin dhe burgun  si mjete për të arritur qëllimet.


 


Duke folur lidhur me këto shantazhe, Blerim Kuçi, në Qendrën e Paraburgimit, në Prizren,  kishte theksuar se arrestimet e EULEX-it i ngjajnë kohës së Rankoviqit. Ai ka deklaruar para zyrtarëve të KMDLNJ-së  “Nuk e di a jam i dënuar apo jam në paraburgim, kjo është një dilemë për mua. Ky është proces politik. Kanë filluar të merren me mua qysh kur Ramush Haradinaj është dërguar sërish në Hagë. Konsideroj se nuk kam çka të them dhe do ta mbroj veten në heshtje. Më kanë bërë  edhe shantazhe duke  më thënë po e humbkam   karrierën politike, por kjo  nuk kanë rëndësi për mua. Nuk dua të merrem me çështje, që në një të ardhme mund t’i shqetësojnë njerëzit pa asnjë lloj faji. Nuk mund, as nuk dua që ta bartë kohën e kaluar në ditët e sotme. Nuk dua ta shqetësoj askënd. Proceset që po i zhvillon EULEX-i i ngjajnë kohës së Rankoviqit kur ka pësuar edhe familja ime në atë kohë. Do ta kundërshtoj këtë kohë  që të mos përsëritet”, ka nënvizuar ish eprori i UÇK-së, Blerim Kuçi.


Përpjekjet e EULEX-it, që përmes Blerim Kuçit ta inkriminojë  luftën e UÇK-së dhe konkretisht deputetin e Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj tashmë po bëhen fare hapur, ashtu sikur po veprohet edhe në instanca më të ulëta me disa dëshmitarë të improvizuar e të mbrojtur,  të cilët për përfitime materiale po bashkëpunojnë me hetuesit e EULEX-it, duke inskenuar rrëfime dhe duke etiketuar personalitete me rëndësi të luftës sonë çlirimtare dhe fitimtare.


Fushata e EULEX-it ka të bëjë me një strategji në esencë antishqiptare, me qëllim për ta ndihmuar Serbinë në procesin e bisedimeve me Kosovën, në mënyrë që rezultati i bisedimeve të shkojë në favor të Serbisë dhe në dëm të pavarësisë së Kosovës.


Jo rastësisht, kjo fushatë, ka filluar të vihet në jetë pikërisht me rastin e  fillimit të  bisedimeve Kosovë-Serbi, në kohën kur delegacioni i Beogradit  zyrtar deklaron hapur se bisedimet po zhvillohen sipas kornizave të rezolutës 1244 të KS të OKB-së dhe kushtetutës së Serbisë, e cila Kosovën e trajton si pjesë të këtij shteti. Këto konstatime të kryesuesit të delegacionit serb, nuk iu bëjnë fare përshtypje krerëve tanë politikë, të cilët ndryshe flasin e krejt ndryshe veprojnë.


Me rastin e arrestimit të 9 pjesëtarëve të UÇK-së, më 16 mars nga EULEX-i, pastaj përpjekjeve për ta arrestuar deputetin,  Fatmir Limaj, arrestimi i  kryetarit të komunës, Blerim Kuçi dhe paralajmërimin për intensifikimin e arrestimeve, kreu politik dhe institucional i vendit nuk është treguar as po tregohet në nivel të detyrës. Deklaratat  verbale dhe gjithnjë të vonuara  kundër arrestimeve, bëhen sa për sy e faqe, ndërkohë që bashkëpunimi i Policisë së Kosovës dhe i Ministrisë së Brendshme me EULEX-in vazhdon.


Misioni EULEX po vazhdon shantazhet. I pari i këtij misioni, z. De Marnak ka rikonfirmuar se fushata e EULEX-it kundër çlirimtarëve të Kosovës  nuk do të ndalet derisa do të shqyrtohen të gjitha akuzat, që i ka ngritur Ministria serbe e Drejtësisë, e bazuar në dosjet e kohës së Milosheviqit.


Në një situatë të tillë, kur pazaret politike me vendin po bëhen në disa nivele, sikur janë bisedimet e dis-favorshme  me Serbinë, arrestimi i luftëtarëve të lirisë, shtrirja e fuqishme e administratës së Beogradit mbi pjesën veriore të Kosovës, kriza e vazhdueshme qeveritare, të cilën po e nxisin autoritetet e caktuara ndërkombëtare, liridashësit e vërtetë të Kosovës duhet të mobilizohen, për të mos lejuar kthimin prapa, për të mos lejuar të nëpërkëmbët gjaku i dëshmorëve dhe lufta jonë e drejtë për liri, të cilën e ka përkrahur Amerika, Anglia dhe një segment pro amerikan i disa shteteve të Evropës.


Kreu aktual politik dhe institucional i Kosovës, nuk i mbron luftëtarët e lirisë dhe as i ka mbrojtur ndonjëherë. Shumica e krerëve politikë dhe institucionalë e kanë pranuar shantazhin ndërkombëtar, me qëllim për të ruajtur postet e favoret, që sjellë veshja me pushtet. Në një gjendje të tillë, luftëtarët e lirisë, aktualisht nuk ka kush i mbron. Është momenti i fundit që ata të vetorganizohen për të mbrojtur vetveten dhe vlerat e luftës së UÇK-se. Në të kundërtën, do të bëhet vonë përgjithmonë.


 


EULEX-i ka instruktuar dy tre dëshmitarë, përmes “dëshmive” të të cilëve po mundohet ta godasë Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së dhe Komandën e Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova, duke shpallur se kreu i luftës dhe Brigada më e suksesshme e UÇK-së kanë qenë në inkriminuara dhe si rrjedhë e tillë paska qenë edhe krejt lufta e UÇK-së. Prokurorët e EULEX-it u besojnë trillimeve të dy tre dëshmitarëve të instruktuar nga Beogradi dhe nga ata vetë, kundër kreut të luftës, kundër mijëra luftëtarëve të lirisë dhe kundër tërë një populli të masakruar nga regjimi kriminal i Beogradit.


EULEX-i duhet të dëbohet nga Kosova, ashtu sikur është dëbuar policia dhe ushtria e regjimit të Milosheviqit. Për ta dëbuar këtë mision nuk nevojiten armë dhe  ndihmë nga jashtë, por vetëm mos dëgjesë qytetare, protesta paqësore dhe shpalljen “non grata” të të gjithë zyrtarëve të këtij misioni.

Kontrolloni gjithashtu

Miliarderi amerikan, Elon Musk ka njoftuar ‘Starlink’ është funksional edhe në Kosovë

Miliarderi amerikan, Elon Musk ka njoftuar se rrjeti i tij privat satelitor i internet, Starlink, …