Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka akuzuar Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit e cila ka keqpërdorur buxhetin e shtetit me shtëpinë e Operës dhe Baletit “Ibrahim Rugova’. “Me projektin e shtëpisë së operës dhe baletit po shpërdorohen mjete të buxhetit të Kosovës. Gjatë drejtimit të Ministrisë së Kulturës nga LDK-ja, vetëm për projektin e kësaj shtëpie, janë dhënë 880 mijë euro dhe projekti ka mbetur veç në letër. Zotimi i fundit i Ministrisë së Kulturës, që të rinisë këtë projekt nga e para, duke dhënë edhe 450 mijë euro të tjera, edhe këto vetëm për papirologji, janë shpërdorimi i radhës që bëhet me këtë projekt. Shtëpia e operës dhe baletit “Ibrahim Rugova” ka plot dhjetë vjet që është bërë ngjarja më jonormale në sferën e infrastrukturës kulturore të Prishtinës. “AAK-ja, shpenzimet rreth këtij projekti, i konsideron keqpërdorim te financave publike si dhe zvarritje të procesit me qellim të përftimit në kohë, sepse për këtë projekt deri me tani janë shpenzuar 880 mije euro, të cilat tani hedhen poshtë. Pavarësisht zotimeve të vazhdueshme të LDK-së, se prioriteti i saj do të jetë ndërtimi i objektit të operës dhe baletit. këto zotime mbeten vetëm premtime, sepse edhe pas një dekade të nisjes se këtij projekti, procesi është kthyer ne piken zero, thuhet mes tjerash në komunikatën e AAK-së.
21. 1. 2016 ora 6. 00 dhe 8.00
Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, është takuar me disa deputetë të Parlamentit të Austrisë, pjesë e Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë. Në takim me deputetët austriakë, të cilët për herë të parë kanë vizituar Kosovën, është diskutuar për zhvillimet e fundit në procesin e integrimit të Kosovës në BE, për liberalizimin e vizave, për dialogun me Serbinë, por edhe për dialogun e brendshëm politik. Thaçi i ka njoftuar deputetët austriakë me të arriturat e Kosovës, veçanërisht për MSA-në dhe ndaljen e emigrantëve nga Kosova. Deputetët austriakë i dhanë mbështetje të plotë aspiratës së Kosovës për anëtarësim në BE dhe për fuqizimin e institucioneve demokratike.
Deputetja nga radhës e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, është cituar të ketë deklaruar se vendimin për bojkot të komisioneve parlamentare, opozita e bashkuar e ka marrë qysh shtatorin e vitit të kaluar, dhe tash për tash nuk e kanë ndërmend të ndryshojë këtë vendim. “Natyrisht që situata do të vazhdojë njësoj për shkak se nuk kanë ndryshuar rrethanat në vend, pra ende kemi në fuqi marrëveshjet e dëmshme për Republikën dhe territorin dhe ende e kemi në krye të qeverisë një kryeministër i cili i ka shkelur 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë, deputetja Albulenë Haxhiu, duke shpjeguar edhe me këtë rast se shkaku i bojkotimit të komisioneve parlamentare nga partitë e opozitës ka të bëjnë me mosndryshimin e Qeverisë karshi kërkesave të opozitës. Kohëve të fundit partitë e koalicionit qeveritar PDK-LDK, duke parë se kanë stagnura punimet e Kuvendit, i kanë bërë sërish thirrje opozitës që marrin pjesë në mbledhje të Komisioneve parlamentare.
Kryeministri, Mustafa, priti në takim ambasadoren e Republikës së Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanoviq.
Ai e ka njoftuar ambasadoren për progresin në Kosovë, duke theksuar përkushtimin maksimal të Qeverisë së Kosovës për zhvillim ekonomik, për integrime evropiane si dhe për fuqizimin e gjithanshëm të institucioneve demokratike dhe sundimin e rendit e ligjit. Ambasadorja kroate, Marija Kapitanoviq vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kroacisë për bashkëpunim dhe mbështetjen e Kosovës në proceset e ardhshme. Gjatë takimit u bisedua edhe për përkrahjen e Kroacisë në proceset integruese evropiane të Kosovës, me ç ‘rast kryeministri Mustafa tha se Kosova pret përkrahjen kroate në bartjen e përvojave për procesin e integrimit.
Gjendja shëndetësore e kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku, vazhdon të jetë shumë e rëndë. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë avokati i tij, Arianit Koci, sipas të cilit, Lushtaku ende po vazhdon grevën e tij. “Përkundër kërkesave të vazhdueshme gjykata ende nuk është përgjigjur pozitivisht në kërkesën tona që janë të ligjshme”, është shprehur avokati, Koci. Së shpejti pritet që të mbahet seanca në shkallën e dytë sipas kërkesës së avokatit, i cili tashmë ka apeluar vendimin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës.
Në shenjë të pakënaqësisë kundër mostrajtimit adekuat mjekësor ndaj kryetarit të Komunës së Skënderajt, Sami Lushtakut, kanë reaguar edhe punëtorët e Komunës së Vushtrrisë. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të ekzekutivit , që u mbajt nën drejtimin e kryetarit, Bajram Mulaku, u shpreh një indinjatë dhe shqetësim për privimin e të drejtës për shërbime shëndetësore ndaj kryetarit Lushtaku. “Qeveria lokale e Vushtrrisë në këtë takim ka kërkuar nga institucionet relevante kompetente që të marrin masa urgjente për ofrimin e shërbimeve shëndetësore kryetarit Lushtaku. Në shenjë solidarizimi me kryetarin e Komunës së Skenderajt, gjeneralin e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Sami Lushtaku, Komuna e Vushtrrisë, nesër duke filluar nga ora 11 e 30 e deri në orën 12, nuk do të mund t’ju ofrojë shërbime administrative komunale qytetarëve”, thuhet në njoftimin e komunës së Vushtrrisë.
Pas njoftimeve në medie se është përkeqësuar gjendja shëndetësore e Sami Lushtakutm, i cili ka hyrë në grevë urie në burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, ka pasuar reagimi i kryekuvendarit, Kadri Veseli. Ai ka kërkuar që në këtë rast të përfshihet edhe organizata ‘Amnesty International’, për të sqaruar nëse ka shkelje të të drejtave të Lushtakut. “Jam i shqetësuar nga raportimet në media, të cilat flasin, se si pasojë e grevës së urisë, është përkeqësuar gjendja shëndetësore e z.Sami Lushtaku, Kryetar i Komunës së Skënderajt dhe ish komandant i njohur i UÇK-së. Të drejtat dhe liritë e individit janë të pacenueshme në Republikën e Kosovës. Kërkoj nga institucionet përkatese, si dhe raportuesit e pavarur të shoqërisë civile si KMDLNJ dhe Amnesty International që të qartësojnë nëse në rastin Lushtaku këto të drejta dhe liri nuk janë respektuar”, thuhet në reagimin e kryekuvendarit, Kadri Veseli.
Gjatë një diskutimi para deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë, ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoni, Aivo Orav, ka thënë se ai personalisht, ndërmjetësi belg në grupet punuese Piter Van Haute, komisionari Johanes Hahn, eurodeputetët dhe deri tek delegacioni i BE-së janë të kërcënuar në Maqedoni, njofton korrespodenti i “Koha Ditore” nga Shkupi. Kërcënimet, siç tha ambasadori Orav, janë aq serioze sa që janë detyruar të shtojnë edhe forcat e sigurisë. “Ne jemi këtu t’ju ndihmojmë sepse jeni shtet-kandidat, por tashmë ka filluar një fushatë negative kundër ndërmjetësve të BE-së, vetë komisionarit Hahn si dhe ekspertit të tij këtu në Shkup, Vonhojte, ambasadorit. Madje kërcënimet janë rritur deri aty sa jemi detyruar të rrisim edhe masat e sigurisë, tha ambasadori Orav.
Aktori jugosllavofil, Enver Petrovci duket se nuk është i vetmi që luan me qejf në kinemanë serbe. Pos tij, është edhe aktori tjetër, Çun Lajçi që ka pranuar të luajë role në filmat e propagandës serbe. Është fjala për filmin propagandistik ‘Enklava’, i regjisorit Goran Radovanoviq, por që është financuar drejtpërdrejtë nga Qeveria e Serbisë. Në përputhje me idenë serbe të viktimizimit, ky film përpiqet të japë një realitet fiktiv në Kosovë, ku gjoja serbët kërcënohen e vriten nga shqiptarët e dhunshëm. Çun Lajçi në këtë film ka pranuar rolin që i është ofruar nga regjisori serb, duke portretizuar një shqiptar të dhunshëm e të dhënë pas armëve. Një numër i madh komentuesish kanë kritikuar rëndë Lajçin se ka ndihmuar propagandën serbe. “Është film i turpshëm dhe turp duhet t’i vijë Çun Lajçit që i ka dhënë hapësirë një filmi të tillë propagande e pastër antishqiptare”, thuhet në një nga komentet për këtë film.