Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka reaguar lidhur me sulmin në zyrat e Presidencës së Kosovës, duke e quajtur këtë sulm si akt kriminal dhe të dënueshëm. “Sulmi i sotëm mbi ndërtesën e Presidencës, është një akt kriminal, i dënueshëm dhe kërkon ndërhyrjen urgjente të organeve të rendit për zbardhjen e tij. Është krejtësisht e papranueshme, se si sulmohet ndërtesa e një institucioni të lartë të vendit, që duhet të ketë qenë i vëzhguar me kamera dhe e i ruajtur nga policia. Institucionet e rendit dhe të ligjit duhet ta bëjnë punën e tyre dhe ta zbardhin këtë akt kriminal, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe t’i identifikojnë sulmuesit, dhe të njëjtit t’i nxjerrin para drejtësisë dhe t’i bëjnë të njohur për opinionin publik. Qeveria e vendit, është mirë që të mos paragjykojë kryesit e mundshëm të këtij akti qyqar, dhe të mos provojë që këto sulme kriminale, t’i përdorë për të justifikuar dështimet e veta. Kauza “fiktive” e Opozitës ka rezultuar të jetë shkelje flagrante e Kushtetutës, nga kryeministri i vendit dhe partnerët e tij. Prandaj sulmi i sotëm është një akt kriminal dhe duhet të trajtohet si i tillë. Përpjekjet për t’i dhënë këtij akti banditesk dimensione politike, pa u gjetur akterët dhe motivet e tij, i konsiderojmë një tjetër sulm mbi stabilitetin e vendit”, thuhet ne reagimin e AAK-së.
Kontrolloni gjithashtu
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’ me Beogradin zyrtar
Albin Kurti, në një intervistë për median zvicerane “NZZ”, thotë se Perëndimi po tregohet ‘shumë naiv’me …