Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, vlerëson se “Ballkani i Hapur” është në përputhshmëri me Procesin e Berlinit.
Abazoviq në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se nuk duhet dramatizuar në Ballkan Perëndimor çdo gjë që vjen nga përtej kufirit.
“Për mua kjo situatë është e thjeshtë dhe s’duhet dramatizuar. Çdo gjë që mund të përdoret si një mjet për integrimin e shpejtë në BE është diçka e mirë. Për çdo gjë tjetër që mund të shihet si zëvendësim i integrimit evropian, ne nuk jemi të interesuar. Pra, gjithçka që na ndihmon të hyjmë më shpejt në BE, si rajon apo si shtet, për ne është në rregull. ‘Ballkani i Hapur’ është në përputhmëni me Procesin e Berlinit. Problemi është se njerëzit në Ballkanin Perëndimor përpiqen të dramatizojnë çdo gjë”, ka thënë Abazoviq.
Abazoviq thotë se Procesi i Berlinit, CEFTA dhe Ballkani i Hapur kanë si mesazh të përbashkët bashkëpunimin rajonal.
“Emri është i parëndësishëm. Na duhet më shumë besim, komunikim i mirë, projekte të përbashkëta, më shumë bashkëpunim mes vendeve e qeverive. Këto na duhet. Dhe nga këndvështrimi im, gjithçka shkon në këtë drejtim, është gjëja e duhur. Na duhen më pak tensione, deporalizim i rajonit, dhe për këtë na duhet t’i besojmë njëri-tjetrit dhe jo ta shohim çdo propozim që vjen nga përtej kufirit si diçka armiqësore”, tha Abazoviq.
Për pushtimin rus të Ukrainës, Abazoviq, ka thënë se është katastrofë shumë e madhe botërore dhe se Mali i Zi ka mbajtur qëndrim të qartë.
“Ne mbështesim 100 % standardet demokratike dhe promovimin e vlerave universale, në veçanti promovimin e të drejtave të njeriut. Jemi thellësisht të zhgënjyer nga Rusia në këtë situatë dhe i japim të gjithë mbështetjen sovranitetit të Ukrainës dhe qytetarëve të saj”, tha Abazoviq.