Abdullah Ramadan Tahiri (2.9.1956 – 19.5.1999)

Abdullah Ramadan Tahiri (2.9.1956 – 19.5.1999)

Abdullah Tahiri lindi më 1956 në fshatin Malishevë të Gjilanit, në një familje atdhedashëse. Në vitin 1981 ishte student i vitit të katërt të Fakultetit të Bujqësisë. Më 11 mars të atij viti ai ishte njëri ndër prijësit e revoltës studentore. Mori pjesë në demonstratat e 1 dhe 2 prillit të vitit 1981 në Prishtinë. Milicët jugosllavë e kishin arrestuar dhe për disa muaj ishte mbajtur në burgun e Gjilanit.
Shfaqja e UÇK-së, për Abdullahun, ishte gëzimi më i madh. Duke parë nevojën e masivizimit të saj, mori iniciativën për t’u vënë në kontakt me kuadrot e kësaj ushtrie. Për këtë qëllim, shkoi disa herë në Drenicë dhe kontaktoi me disa përfaqësues të UÇK-së, ku u interesua për shtrirjen e organizimit të saj edh në zonën e Karadakut. Ai mbante lidhje me zëdhënësin e UÇK-së, Jakup Krasniqi, me Shaban Shalën, e me anëtarë të tjerë të SHP të UÇK-së.
Regjimi serb i kishte vënë në gjurmë aktivitetit të tij edhe në kuadrin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, prandaj e ndoqi në çdo hap. Ndërkohë Abdullahu, në fshatin e tij, kishte formuar njësitin, të cilin e kishte armatosur e me të cilin bënte stërvitje të vazhdueshme. Në këtë njësit bënin pjesë: Skënder Azemi, Bashkim Hamdiu, Fatmir Halili, Vehbi Halili, Shemsedin Halili, Nagip Sejdiu, Vllaznim Hamdiu, Muharrem Halili, Remzi Azemi dhe Sabedin Halili. Njëkohësisht, për momentin e fundit e kishte përgatitur edhe familjen. Djalit, Ilirit, 17-vjeçar dhe vajzës Albanës, 14-Vjeçare, po ashtu ua kishte siguruar armatimin e nevojshëm, të cilët i konsideronte pjesëtarë të ardhshëm të UÇK-së.
Në përkrahje të pa kursyer morale, Abdullahut i jepte edhe bashkëshortja, Sofa, nga Juniku, familja e së cilës tashmë ishte e përfshirë në luftën çlirimtare të UÇK-së. Edhe dy fëmijët më të vegjël, Republika dhe Liridoni, gjithnjë po jetonin në atmosferën e luftës.
Në gusht të vitit 1998, në hyrje të Gjilanit, arrestohet, kur po udhëtonte me një veturë taksie. Familja e kishte marrë lajmin dhe së shpejti i kishte fshehur të gjitha armët dhe uniformën e tij.
Abdullahu u ishte nënshtruar torturave çnjerëzore, por për asnjë moment akuzave që po i bënte Sigurimi serb. Fatkeqësisht, ndërkohë, UDB-ja arrestoi edhe një grup tjetër bashkëluftëtarësh, me ç’rast rëndohet edhe më tepër pozita e tij. Gjatë gjykimit ishin përfshirë në të njëjtën aktakuzë të gjithë të arrestuarit. Megjithatë, rasti i tij u trajtua si i veçantë. Në procesin gjyqësor, në verën e vitit 1998, Abdullahu u dënua me katër vjet burg, si pjesëtar i UÇK-së.
Sipas informatave që merrte familja e tij, Abdullahu, edhe pse i dërrmuar nga shëndeti, edhe nga burgu interesohej për rrjedhat e ngjarjeve, ato ditë lufte. Që nga vizita e fundit, para se të transferohej nga burgu i Gjilanit për në atë të Dubravës, në fillim të muajit prill 1999, e gjer në komunikimin e lajmit për masakrën serbe në burgun e Dubravës, për fatin e Abdullahut nuk kishte ditur gjë askush. Shpresat se Abdullahu ishte në mesin e të gjallëve, pothuajse ishin shua. Dhe vërtet ai ishte vrarë së bashku me shumë shokë të tij të idealit nga kriminelët serb, brenda mureve të burgut të Dubravës, më 19 maj të vitit 1999. Trupi i tij është gjetur pranë trupit të dëshmorit Enver Topalli, në varrezat masive në Rakosh, afër dhjetë kilometra larg vendit të krimit.

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …