Luftës heroike dhe fitimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Arllati i Drenicës i ka dhënë dëshmorët: Abedin Bujupi, Sylejman Bytyçi, Mehdi Bytyçi, dhe Sami Gashi. Gjatë luftës forcat ushtarake dhe policore serbe kanë martirizuar 14 banorë të këtij fshati dhe kanë shkatërruar po thuajse të gjitha shtëpitë.
Salih Bujupi me bashkëshorten e tij, Hanumshahen linden dhe rriten bijtë: Abedinin, Haradinin, Bekimin e Labinotin si dhe bijat: Miniren, Florijen, Valbonen, Antigonen dhe Blertën.
Abedini u lind më 25 dhjetor të vitit 1971. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Shkollën e mesme teknike, drejtimi Instalues i ujit, e ka kryer në Qendrën Shkollore në Drenas (ish Gllogoc). Ka marrë pjesë në ngjarjet e vitieve 1989-1990 në kohën kur regjimi serb i Milosheviqit kishte pezulluar autonominë e Kosovës. Ishte i kyçur në aktivitetet ilegale së bashku me Muharrem Xhemajlin nga fshati Abri, pastaj me Sami Gashin, Sylejman Bytyçin, Florim Krasniqin e të tjerë, me të cilët ka shpërdarë edhe trakte në Prizren dhe në vende të tjera.
Në vitin 1991 largohet nga Kosova dhe shkon në Austri, afër Vjenës, ku merr statusin e azilantit politik.
Kthehet pas tri viteve në vendlindje me ç rast edhe martohet me Sabrije Istogun. Duke qenë në shënjestër të regjimit për shkak të aktivitetit të tij kundër regjimit serb, Abedini detyrohet sërish të largohet. Kësaj radhe shkon në Gjermani, në rajonin e Mynhenit, ku kishte edhe xhaxhanë e tij Hysni Bujupi.
Asokohe, Abedin Bujupi kontakton me Fehmi Lladrovcin, njërin prej veprimtarëve të shquar të ilegales dhe Lëvizjes Popullore të Kosovës, pastaj me Selim Krasniqin, vëllanë e Xhevë Krasniqit, bashkëshortja e Fehmi Lladrovcit, Agim Bujupin, Fitim Hazirin e Krajkovës e të tjerë.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, Abedini angazhohej në LPK dhe në fondin “Vendlindja thërret”.
Në kohën e fillimit të luftës çlirimtare në Drenicë dhe në Kosovë, ai në maj të vitit 1998 kthehet në vendlindje dhe sistemohet në radhët e UÇK-së, në Grykën e Llapushnikut, të cilën luftëtarët e lirisë e kishin zënë, më 9 maj të po atij viti.
Një kohë ka qenëdruar edhe në Shtabin lokal të fshatit Berishë, së bashku me Driton Rashit Gashin, Islam Kastratin e të tjerë.
Ka marrë pjsë në luftimet për mbrojtjen e pozicioneve të Grykës së Llapushnikut më 25 dhe 26 korrik, me ç’ rast është shquar sidomos për ndihmën që u ka ofruar luftëtarëve të plagosur.
Abedin Bujupi ka qenë i angazhuar edhe në logjistikën e luftës.
Ai mbante lidhje të përhershme me Shtabin e Drenicës në Likoc ku ka dërguar edhe armë, municion dhe uniforma ushtarake. Ka mbajtur kontakte të vazhdueshme me Muharrem Xhemajlin, Musa Jasharin, Mehdi Byyqin dhe eprorë të tjetë të UÇK-së.
Në kohën e ofensivave serbe të verës në Drenicë, Abedini ishte kurdoherë në lëvizje për të ndihmuar gjithandej ku paraqitej nevoja.
Më 10 nëntor të vitit 1998, Abedin Bujupi, ndodhej ne detyrë ushtarake. Me veturën e tij të tipit “Ford Shkorpion”ishte nisur nga Likoci në drejtimin Abri, Terdec, Negroc. Forcat serbe, nga larg kishin identifikuar lëvizjet e veturës dhe në kohën kur Abedini ishte afruar në Likoc, afër shtëpisë së Januz Krasniqit, ata, të pocizionuar te udhëkryqi Arllat-Negroc, marrin në shënjestër dhe godasin veturën. Abedini edhe pse ishte vetëm, iu kishte kundërpërgjigjur zjarrit të forcave armike, duke bërë përpjekje të largohej.
Kishte marrë plagë për vdekje dhe forcat serbe kishin depërtuar te vetura. Me atë rast ata maltretojnë rëndë Januz Krasniqin nga fshati Negroc.
Bashkëluftëtarët, trupin e dëshmorit Abedin Bujupi e varrosin në varrezat e fshatit Berishë, me nderime ushtarake.
Gjashtë muaj pas rënës së Abedinit, në malet e fshatit Domanek të Malishevës, lindi djali, të cilin e pagëzuan me emrin e babait, tashmë dëshmor. Abedini ka lënë edhe bijen, Donikën.
Në shenj përkujtimi e nderimi shkolla fillore e fshatit Arllat mban emrin e dëshmorit, Abedin Bujupi.