Abedin Rexha, lindi me 8 korrik të vitit 1969 në në fshatin Vojnik, të komunës së Skënderajt. Shkollën fillore e kreu në Turiçec, të mesmen në Skënderaj, kurse studimet i vijoj në fakultetin Xehtaro-Metalorgjik, në Mitrovicë. Gjatë kohës së shkollimit të mesëm, ra në kontakt me veprimtarët e ilegales. Asokohe shoqërohej me Jakup Nurën dhe Nuhi Gecin, me të cilët tashmë ishte i organizuar dhe shpeshherë shpërndante edhe trakte e afishe, ku bëhej thirrje për rezistencë kundër pushtuesit serbosllav.
Jehona e pushkëve të Legjendarit të historisë tonë më të re të Luftës Çlirimtare, Adem Jashari, më 30 janar të vitit 1991, në Prekaz, sfidojë djalërinë e Kosovës, veçmas atë të Drenicës. Tërheqja e turpshme e forcave ushtarake e policore serbe, nga Prekazi forcoi besimin e djalërisë drenicare në forcën e vet kombtare. Fitorja jo vetëm morale, por edhe ushtarake, e cila u korr në këtë betejë, te Abedin Rexha e shtoi edhe me tepër besimin në fitoren mbi pushtuesin shekullor. Ai, së bashku me Adem Jasharin, Hamëz Jasharin, Ilaz Kodrën, Osman Gecin, Mujë Krasniqin, Zahir Pajazitin e me shumë luftëtarë të tjerë të bërthamave të para çlirimtare, kishte dhënë betimin për ta luftuar me të gjitha mjetet e metodat pushtuesin shekullor të viseve të robëruara të Shqipërisë, regjimin serb.
Duke qenë se pushtuesi i kishte rënë në gjurmë aktivitetit të Abedinit, me 1992, ai merr rrugën e mërgimit. Pas largimit nga Kosova, fizikisht ishte në Gjermani, por me zemër e me mendje ishte në Kosovë, në Drenicë dhe tok me shokët që vepronin ilegalisht dhe që kryenin aksione kundër forcave serbe.
Në vjeshtën e vitit 1996, Abedin Rexha vjen në Kosovë, i ngarkuar me detyrat e caktuara dhe mban takim me komandantin Adem Jashari. Ai hynë e del nga Kosova shumë herë. Me 6 maj të vitit 1997, derisa çlirimtarët në Drenicë, në Dukagjin dhe në Anadrini, ia kishin marr pushtuesit serb kontrollin gjatë natës, Abedini së bashku me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Luan Haradinajn, Ilaz Kodren, Ramiz Lladrovcin etj, i kalon Alpet Shqiptaret, duke thyer kufirin, që i ndante mes për mes trojet e Shqipërisë dhe hynë në Kosovë. Në rrugë e sipër, ky grup luftëtarësh bie në pritë të forcave serbe dhe pas një luftimi të ashpër dhe rënies heroike të Luan Haradinajt, detyrohet të tërhiqet nga kufiri.
Dy muaj me vonë, në korrik të vitit 1997, Abedin Rexha, së bashku me Adrian Krasniqin, Ilaz Kodrën, Ilir Konushevcin dhe me luftëtarë të tjerë të lirisë arrin të depërtoj në Kosovë dhe punojnë pa u lodhur në zgjerimin dhe konsolidimin e radhëve e UÇK’ës.
Më 25 nëntor të vitit 1997, policia serbe shkoj në Vajnik për ta arrestuar Abedin Rexhën. Abedini me dy vëllëzërit, Brahimin dhe Afrimin, e me luftëtarë të tjerë u kishte dalë përballë bandave serbe dhe i kishte sulmuar. Breshëria e armëve çlirimtare kishte rënë pandërprerë mbi çetnikët serbë. Në këtë sulm ishin likuiduar dy policë serb, ndërsa gjatë kësaj përleshjeje, forcat serbe kishin plagosur Baki Krasniqin, 11 vjeçar.
Më 26 nëntor 1997, komandanti legjendar i UÇK’ës Adem Jashari kishte urdhëruar tu zihet prita forcave serbe, te vendi i quajtur Klisyra në Rezallë të Re. Në ball të frontit ishte dhe Abedin Rexha-Sandokani, i cili një ditë me parë kishte dhënë prova se si duhet sulmuar pushtuesi. Krahas Adem Jasharit dhe Abedin Rexhës ishin rreshtuar në pozicione edhe Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra, Nuhi Geci e shumë trima të tjerë të UÇK’ës.
Plani i armikut kishte filluar të vihej në veprim. Mirëpo në orët e para të ditës, forcat serbe u gjendën të rrethuara nga të gjitha anët. Zjarri i furishëm i trimave të Adem Jasharit e të “Sandokanit” kishte qenë vendimtar. Forcat pushtuese serbe humbën kontrollin dhe përmes radiolidhjeve kërkuan përforcime të reja duke njoftuar se kishin rënë në pritë, nga e cila nuk arrinin dot të dilnin. Armët e çlirimtarëve nuk kishin pushuar për asnjë çast. ndërkohë, që luftetarëve u kishte ardhur në ndihmë edhe trimi Osman Geci, daja i Adem Jasharit.
Forcat ushtarake e policore serbe qysh nga ajo ditë e kuptuan se kishte filluar të perëndonte njëherë e përgjithmonë dominimi i tyre në Drenicë dhe në Kosovë. Gjatë tërheqjes çetnikët serbë kishin goditur për vdekje mësuesin Halit Geci, në oborrin e shkollës së Llaushës. Dhe, me 28 nëntor të vitit 1997, me rastin e varrimit të mësuesit, Halit Geci, në Llaushë, Mujë Krasniqi me shokë e tij Rexhep Selimin dhe Daut Haradinajn, duke qenë të armatosur shpallën publikisht fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, duke u paraqitur para masës së tubuar me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Atë ditë, ata kishin lëshuar kushtrimin për luftë të armatosur kundër pushtuesit serbë
Gjatë vitit 1998, Lufta Çlirimtare vijoi të zgjerohej rrufeshëm, dhe Abedin Rexha nuk e përmbante dot zemrimin kundër pushtuesit, që masakronte pamëshirshëm fëmijë, gra, burra dhe pleq dhe ua digjte shtëpitë shqiptarëve. “Sandokani” kishte ecur papengueshëm përpara. Hapërimi i tij çlirimtar përshkonte natë e ditë frontet dhe istikame të luftës të UÇK’ës. Në fillim të gushtit 1998, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK’ës, Abedin Rexhën e kishte caktuar Komandant të Brigadës 112 “Arben Haliti”, e cila vepronte në Zonën Operative të Drenicës.
Gjatë muajve gusht-shtator 1998 Komandant Sandokani luftoi pa ju trembur syri në shumë fushëbeteja. Dhe, pikërisht në kulmin e ofenzivave me përmasa të gjera shfarosëse nga forcat vrasëtare serbe të Millosheviçit, në të gjitha zonat Operative të UÇK’së, e veçanërisht në ZO të Drenicës, më 08 tetor 1998 Komandanti sypatrembur Abedin Rexha – Sandokani, vritet tradhëtisht në një pusi, të përgatitur nga Gani Geci së bashku më 27-30 veta, në pyjet e fshatit Kllodernicë, të komunës së Skenderajt.
Bashkëluftëtarët e Abedinit, edhe pse e kishin humbur komandantin e tyre trim nuk e ndalën luftën. Ata luftuan me vetëmohim e trimëri ashtu si të gjithë luftëtarët e Lirisë, deri në dëbimin e forcave kriminale serbe nga Kosova.
Abedin Rexha – Sandokani pas vetes ka lënë bashkëshorten, Sanie Geci me dy fëmijë: Sokolin dhe Letën. Heroizmi i tij është përjetësuar në shumë shkrime në shtypin tonë, në këngë e poezi, ndërsa Shkolla e Turiçecit mban me krenari emrin e Abedin Rexhës “Sandokanit”. ( Feniksët e lirisë-2)