Abit Pajazit Sinani (18.4.1980 - 26.5.1999)

Abit Pajazit Sinani (18.4.1980 – 26.5.1999)

Fshati Murgullë i Besianës, që shtrihet në brezin kufitar ndërmjet Kosovës e Serbisë, deri në vitin 1887 ishte i banuar nga shaljanët, të afërt me banorët e Shalës së Bajgorës. Më vonë, pas dëbimit të shqiptarëve nga trojet e tyre nga regjimi okupator serb, këtu u vendosën edhe disa familje të tjera, të cilat erdhën nga fshatrat e rrethit të Prokuples e Nishit, me shpresë se një ditë do të kthehen në vatrat e tyre në viset veriore. Kjo nuk ndodhi asnjëherë ngase me qindra fshatra u boshatisën nga popullsia vendase shqiptare dhe në to u vendosën kolonët serbë.
Banorët e fshatit Murgullë kanë dhënë kontribut të çmueshëm në vazhdën e luftërave për çlirimin kombëtar. Në këtë fshat, në shtëpinë e Ramë Sabedinit u mbajt tubimi i prijësve të lëvizjes kombëtare të kohës së Azem Bejtës, i quajtur si Kuvendi i Murgullës, në vitin 1920, i cili zgjati tri ditë. Në këtë kuvend përpos prijësve të qetave të Llapit mori pjesë edhe komandanti i çetave të luftëtarëve të lirisë, Azem Bejta. Në këtë kohë çetat çlirimtare në Llap shtuan luftën kundër pushtuesve serbë edhe në fshatrat kufitare siç ishte Murgulla.
Në këtë fshat u lind edhe dëshmori i kombit Abit Pajazit Sinani. Shkollën fillore, ai e kreu në fshatin e lindjes ndërsa për shkak të kushteve të rënda ekonomike nuk pati mundësi ta vazhdojë shkollimin më tutje.
Abiti mbante kontakte të vazhdueshme me të rinjtë dhe interesohej për çështjen kombëtare, duke pasur edhe inspirim familjar, pasi edhe vëllai i tij, Emini, dëshmor i kombit, ishte pjesë e organizimeve në kuadrin e lëvizjes kombëtare.
Dëshmori Abit Sinani rrjedh nga një familje me traditë atdhetare. Gjyshi i tij, Abaz Sinani ishte ushtar i Isa Boletinit dhe më 1912 kishte rënë në fshatin Rahovë të Shalës së Mitrovicës, në luftë kundër forcave okupuese serbe. I njohur si luftëtar i paepur, i cili ishte dalluar në luftën për mbrojtjen e kufirit të Kosovës më 1945, është edhe i vëllai i Abazit, Fazli Sinani. Në vitin 1981 familja e dëshmorit Abit Sinani u bë vend strehimi për të rinjtë të përndjekur nga organet shtetërore për shkak të organizimit të demonstratave të njohura të këtij viti, në mesin e të cilëve ishte edhe e reja Xhylë Krasniqi e cila atëbotë njihej me nofkën si “Shota e Llapit”. Edhe vëllai i Abitit, Muhameti, ishte pjesëmarrës i demonstratave, edhe në ato të viteve 1988/89.
Familja e dëshmorit Abit Sinani u bastis e keqtrajtua shumë herë gjatë viteve ’90 të shekullit 20, me pretekst të kërkimit të armëve. Në vitin 1994, vëllai të tij, Eminit, i ishte marrë një armë dhe ishte dënuar për kundërvajtje.
Me daljen e UÇK-së në skenën publike, Abitin u tregua i gatshëm për t’iu bërë krah embështetje në luftë kundër pushtuesit serb. Dhuna dhe keqtrajtimet e vazhdueshme të policisë së okupatorit, e ushtruar mbi familjen e tij kishte qenë një motiv shtesë për ta luftuar armikun pushtues. Abiti, si edhe i vëllai Emini, kontaktet e para me UÇK-në i vuri përmes Ali Halitit, Naser Hysenit, Naser Selmanit (dëshmor) etj., me ç‘rast tregoi vendosmëri për t’iu bashkuar radhëve të saj dhe ushtarëve të lirisë.
Pas ushtrimeve të nevojshme ushtarake, Abiti u rreshtua si pjesëtarë i togut të III në fshatin Murgull, që vepronte në kuadër të kompanisë “Ulpiana – 55”, Batalioni III i Brigadës 152 “Shaban Shala” të ZOLL.
Ndër bashkëluftëtarët më të afërt të tij ishin i vëllai, Emin Sinani, Ali Halili, Jakup Sinani, Sabit Jashari, Hamit Fazliu, Muhamet Halimi, Ahmet Shabani etj.
Ai ishte pjesëmarrës i shumë betejave që u zhvilluan në këto anë duke mbrojtur kufirin që të mos depërtonin forcat serbe në territorin e Kosovës. Ai përcolli të gjitha lëvizjet e armikut përgjatë kufirit me Serbinë, duke mos pushuar aktivitetin deri në ditën e rënies së tij kur armiku sulmoi fshatrat e grykës së Llapit nga të gjitha anët me forca të shumta dhe makineri të madhe luftarake.
Në Betejën e njohur të zhvilluar në këto anë në mbrojtje të popullatës civile më 26 maj 1999 në vendin e quajtur “Brinjat e Zhitisë”, përkatësisht te Konaku i Keq, në mes fshatit Ahishtë dhe Brecë, duke luftuar deri në fishekun e fundit ra dëshmor Abit Sinani. Bashkë me të në këto luftime ranë edhe dëshmorët, Ahmet Shabani e Hasan Jashari.
Në fshatin Pollatë është ngritur lapidari i përbashkët që ruan kujtimin për gjithë dëshmorët e rënë në këto fronte, në mesin e tyre është edhe Abit Sinani.
Pas përfundimit të luftës familja e dëshmorit është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, SHP i UÇK-së, SHP i UÇK-së të ZOLL-it, SHFD të Besianës etj. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …