Sot po bëhen 22 vjet nga rënia heroike në Betejën e Kosharës e dëshmorit nga Kotlina e Kaçanikut, Abush Loku

Abush Liman Loku (21.7.1978 – 9.4.1999)

Abush Loku u lind në fshatin Lumbardh më 21 Korrik 1978, në një familje bujare dhe liridashëse. Prindërit e tij, Limani e Nazlia, lindën dhe rritën gjashtë fëmijë: tre djem e tri vajza.
Abush Loku shkollën fillore e kreu në fshatin Lumbardh, ndërsa shkollën e mesme në Ferizaj. Në periudhën kohore nga viti 1990 e deri më 1996 punoi si automekanik. Më 1996, u keqtrajtua nga policia serbe në puntorinë e tij, së bashku me axhën dhe vëllezërit.
Me fillimin e luftës çlirimtare në zonën e Drenicës, Abushi iu përgjigj zërit të kushtrimit, prandaj më 28 janar të vitit 1999, kaloi në Maqedoni dhe së bashku me disa shokë, prej atje shkoi në Shqipëri me qëllim armatimi dhe inkuadrimi në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 31 janar të vitit 1999 u bë pjesë e UÇK-së, në qendrën stërvitore në Papaj, ku bëri edhe stërvitjet e nevojshme ushtarake. Pas këtij momenti ai priste me padurim urdhrat e eprorëve të UÇK-së për të hyrë në Kosovë.
Sfidë e parë në betëjën e drejtpërdrejtë çlirimtare për Abushin u bë Kosharja, ku ai do ta ketë rastin dhe radhën për ta dëshmuar guximin, aftësitë dhe gatishmërinë për sakrificë. Prandaj, si pjesëtari i Batalionit të Parë të këmbësorisë të Brigadës 138 “Agim Ramadani”, që komandohej nga eprori Hysen Berisha, Abush Loku tregoi zell, dashuri dhe përkushtim prej luftëtari të vendosur për ta çuar luftën deri në fitore. Ai mori pjesë në betejën për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, në të cilën betejë edhe mori përjetësinë, më 9 prill të vitit 1999, përkrah tre bashkëluftarëve të tij: Bashkim Jasiqit, Ramiz Krasniqit dhe Rifat Qelës. Ai ra te vendi i quajtur Te Vrojtoret, në Koshare.
Më 10 prill trupi i dësmorit Abush Loku u varros me nderime ushtarake në varrezat e dëshmorëve në Bajram Curr. Rivarrimi i tij u bë më 26 gusht 1999, në varrezat e dëshmoreve në Kaçanik.
Vepra heroike e Abush Lokut është pasqyruar në shkrime të shumta gazetash dhe në monografi të ndryshme kushtuar dëshmorëve të kombit të UÇK-së (H. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …