Më 23 mars bëhen 26 vjet nga nisja e fushatës ajrore të NATO-s kundër forcave serbe, me qëllim shpëtimin e popullatës civile shqiptare nga spastrimi etnik i orkestruar nga Slobodan Millosheviq. Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, mbetet një nga përkrahësit më të fuqishëm të kësaj ndërhyrjeje, ndërsa ish-oficeri britanik, Ade Clewlow, thekson se Britania e Madhe bëri zgjedhjen e duhur duke ndërhyrë në Kosovë. “Ne e kishim shumë të qartë se ndërhyrja në Kosovë ishte e nevojshme, edhe pse disa shtete aleate ishin skeptike dhe nuk e mbështesnin këtë ide. Ne i mbrojtëm civilët së bashku me aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1999. Historia tregon se ishte një vendim i duhur”, deklaroi Clewlow. “Kosova është një rast unik se si njerëzit janë kthyer dhe kanë ndërtuar vendin e tyre”, shtoi ai. Bombardimet e NATO-s zgjatën 78 ditë, derisa Sllobodan Millosheviq pranoi të tërhiqte forcat e tij nga Kosova. Më pas, rreth 40,000 trupa të NATO-s u vendosën në Kosovë për të mbikëqyrur largimin e forcave serbe dhe për të filluar një operacion paqeruajtës.
