Adem Breznica: Beteja e Loxhës - Defensiva e parë e ushtrisë serbe (lista e serbëve të vrarë)

Adem Breznica: Beteja e Loxhës – Defensiva e parë e ushtrisë serbe (lista e serbëve të vrarë)

22 vjet më parë, më 6 Korrik 1998, njësitë e rregullta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), nisën ofensivën e parë frontale për të marrë nën kontroll fshatin Loxhë të Pejës.

Ky sulm i drejtuar nga ushtarakë profesionistë të karrierës, që vepronin nën ombrellën e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës (MMRK), rezultoi të jetë suksesi i parë i UÇK-së, përballë makinerisë së rëndë të ushtrisë armike pushtuese serbe.

***

Në ditën paraprake (5 korrik), ushtria serbe kishte sulmuar dhe pushtuar Loxhën, duke e detyruar tërheqjen e njësisë territoriale të UÇK-së në këtë fshat, së bashku me komandantin e atëhershëm të saj, Shaban Shala, të cilët gjetën strehë në fshatin fqinj…

Në Prapaqan ishte ngritë një kazermë ushtarake ku po përgatiteshin njësitë e rregullta të UÇK-së të drejtuara nga Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, në krye të të cilave MMRK kishte emëruar ushtarakun e talentuar, Kolonel Tahir Zemaj.

Raportimit të Shalës se ishte e pamundur të qëndrohej përballë ushtrisë superiore serbe, Kolonel Zemaj iu përgjigj prerë: Loxha duhet të ri-kthehet…

Siç edhe u dëshmua më pas, lufta për çlirimin e Kosovës kishte marrë një dimension tjetër – Ofensivë deri në shkatërrimin ose tërheqjen e armikut. Dhe ashtu ndodhi.

Në mëngjesin e 6 Korrikut, Kolonel Tahir Zemaj urdhëron nisjen e Batalionit të parë të Brigadës 134 në drejtim të Loxhës, ndërkaq në krye të kësaj ofensive emëron Nazif Ramabajën. Ashtu siç nuk ishin të mësuar, dhe as që e kishin pritur një kundërmësymje të UÇK-së, ushtria serbe në alarm pozicionohej në pikat mbrojtëse duke kërkuar mbështetje ushtarake…

Përforcimet serbe në Loxhë mbërritën të çala nga shënjestrat e Batalionit I, por, nga vija e kundërt, e detyruan edhe komandantin Ramabaja të kërkonte përforcime. Kolonel Zemaj sigurisht u përgjigj pa hezitim. Në mesditë, Batalionit të Parë i erdhën në ndihmë edhe dy batalionet tjera të udhëhequra nga Fadil Hadërgjonaj dhe Bajram Stokaj, së bashku me njësinë e artilerisë që drejtohej nga Farush Thaçi. Komandën e luftimeve tashmë e kishte në dorë Tahir Zemaj. Luftimet thuajse ballë për ballë, zgjatën deri në mëngjesin e 7 korrikut. UÇK ISHTE PËR HERË TË PARË NË OFENSIVË, NDËRSA USHTRIA SERBE PËR HERË TË PARË NE DEFENSIVË…

Karshi mençurisë, strategjisë, forcës dhe trimërisë së njësive të rregullta ushtarake të UÇK-së, që respektonin vijën komanduese dhe institucionale të shtetit që tashmë po lindte, armata okupuese serbe u detyrua të largohej me një kosto tepër të lartë njerëzore, morale dhe materiale. Lënia pas e 14 ushtarëve serbë të vrarë në fushën e betejës, pa pasur guximin e tërheqjes së tyre, flet më së miri për përmasat e kësaj beteje dhe panikun e shkaktuar në radhët e forcave armike serbe…

Sigurisht, Beteja Ofensive e Loxhës nuk do të fitohej, dhe, ashtu sikundër prej shumë dekadash, nuk do të shënonte historinë e ngadhënjimit të parë ushtarak të shqiptarëve mbi serbët në kohën moderne, pa këmbëngulësinë dhe profesionalizmin e ushtarakëve dhe eprorëve profesionistë e institucionalistë të drejtuar nga strategu Tahir Zemaj, dhe sidomos pa gjakun e dëshmorëve Rrustem Bruçi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli.

Kujtimi për ta do të jetë i përjetshëm, ndërsa bëmat e tyre do ta kenë vendin e merituar në historinë më të re të Shtetit të Kosovës.

***

Në vazhdim po japim të dhënat më të reja rreth humbjeve konkrete të forcave serbe, të cilat i ka siguruar ish-ushtari i kolonel Tahir Zemajt, Valon Bela. Në gjetjet e tij rreth kësaj beteje, Bela iu referohet burimeve zyrtare të Milicisë serbe, respektivisht MUP-it serb, ndërkaq thekson se lista e të vrarëve nga radhët e armikut përfshinë vetëm emrat e njësive të rregullta policore serbe, dhe jo ato të njësive paramilitare dhe as të forcave lokale çetnike të Sheshelit. Përndryshe, nëse llogariten edhe humbjet nga këto dy njësi, numri i të vrarëve dhe të plagosurve serbë kalon shifrën 60.

Lista zyrtare e pjesëtarëve të Milicisë serbe të vrarë më 6 korrik 1998 në Betejën e Loxhës:

Srđan Perović (1962), Mirko Radunović (1962), Dejan Prelević (1974), Milorad Rajković (1957), Dejan Prelević (1974), Goran Novaković (1969), Željko Novičević (1973), Dragan Kešljević (1954), Nenad Živković (1973), Vladan Krstović (1973), Nenad Milaić (1970), Borivoje Kuč (1960).

/Përgatitur nga Adem Breznica, profesor i historisë & Valon Bela, politikolog/

Kontrolloni gjithashtu

Shpresa Bajraktari: Krenari – 80 vjetori i çlirimit të Tiranës !

Krenari – 80-vjetori i Çlirimit të Tiranës! 17 nëntori 1944 është Dita e Çlirimit të …