leoni

Adem Breznica

Adem Breznica: Fotografitë që e rikthyen debatin e kotë për shaminë

Tri fotografi karakteristike të nxjerra nga një takim i zyrtarëve më të lartë të shtetit tonë, me zyrtarë të lartë amerikanë në Washington, rikthyen debatin e nxehtë rreth shamisë. Takimi ka ndodhur më shumë se tri javë më parë (26.07.2022), porse polemikat në Kosovë akoma nuk janë ndalur që nga dita pasuese kur u publikuan fotografitë e atij eventi. Tri zyrat respektive të zyrtarëve në takim dolën me fotografi të bëra nga kënde të ndryshme. Të gjitha janë origjinale, pa diskutim. Porse njëra, e publikuar nga Zyra e Kurtit, siç do të shohim në vijim, ndezi debatin.

  1. Foto e publikuar nga Zyra e Sekretarit Blinken;
  2. Foto e publikuar nga Zyra e Presidentes Osmani;
  3. Foto e publikuar nga Zyra e Kryeministrit Kurti.

Siç shihet në fotot e publikuara nga Blinken e Osmani, figuron zyrtarja amerikane me shami. Ndërkaq, në foton e publikuar nga Kurti mungon zyrtarja në fjalë.

Në fakt bëhet fjalë për të njëjtën foto, parë nga tri kënde të ndryshme.

Fotografia e publikuar nga zyra e Kurtit është origjinale dhe nuk i është bërë photoshop, e as nuk është prerë. Por, fotografisti i Qeverisë ka marrë një pamje kur zyrtarja amerikane me shami nuk ka qenë aty prezent, apo të paktën duart nuk i ka pasur mbi tavolinë, ashtu siç shihet në fotot tjera.

Pra, fotoja nuk është prekur, porse është zgjedhur të bëhet e tillë.

Ne nuk mund të spekulojmë pse Zyra e Kurtit nuk e ka përfshirë edhe një foto ku figuron zonja në fjalë.

Por mediat dhe rrjetet sociale u morën me te. Disa grupe i fajësuan mediat se kinse ato e prenë apo e bënë photoshop fotografinë. E disa të tjera këtë “prerje” ia hodhën Zyrës së Kurtit. Madje edhe disa gazetarë e media e hoqën përgjegjësinë duke e fajësuar direkt Albin Kurtin.

Ama e vërteta është se fotografia është origjinale dhe e paprekur. Nëse ka pasur tendencë nga zyrtari për informim i Qeverisë për të krijuar përshtypjen se Kryeministri Kurti është anti-shami, atëherë kjo çështje duhet të adresohet brenda Zyrës së Kurtit dhe të sqarohet çështja nëse ishte e qëllimshme apo jo.

Porse disa hoxhallarë, për xhematë të tyre s’po flas, kanë ra nën këtë kurth. Dhe e rindezën çështjen e shamisë deri në pikën e organizimit të kampanjave për të bërë presion ndaj MASHT dhe Qeverisë për ndryshimin e nenit 3 (1.13) të Udhëzimit Administrativ (UA) 06/2014.

Sipas këtyre zotërinjve, ky Kod (UA) duhet të hiqet, ndryshohet apo të zëvendësohet, sepse po ua ndaluaka nxënëseve mbajtjen e shamisë në kokë.

Por kjo nuk qëndron. Në fakt kodi e NDALON “bartjen e uniformës fetare”, gjë e cila është absolutisht në rregull. Dhe është shumë bukur që nuk përmendet fare shamia, sepse po të përmendej, vërtetë do të ndalohej. Si i tillë është shumë i mirë ky kod. Dhe nuk bënë të jetë ndryshe sepse sjellë konsekuenca të paparashikueshme.

Nëse vërtetë ndryshohet ky nen, ashtu siç kanë kërkuar disa, duke e cekur LEJIMIN e “bartjes së uniformës fetare”, do të bëhet rrëmujë.

Paramendoni tash nëse një fe apo një sekt ka për uniformë fetare veshjet, apo zhveshjet, satanike, apo dhe të tjera që adhurojnë kultet e organeve gjenitale! Të tilla fe e sekte ka nëpër botë, edhe nga ajo pjesë e botës prej së cilës sot po ekspozohemi. Shoqëria jonë po frekuentohet prej tyre. Jo vetëm me ide por edhe me prurje fizike. Neni 8 i Kushtetutës sonë është neutral ndaj besimeve fetare. Dmth edhe ata do t’i manifestonin uniformat dhe simbolet e tyre të kultit hapur, edhe në shkolla, nëse janë apo bëhen pjesë e shoqërisë sonë.

Atëherë, çfarë do të ndodhte!?! A do t’ua ndalonte veshjet, zhveshjet, simbolet karakteristike të kulteve të tyre një kod i tillë i amandamentuar!?! Sigurisht se jo.

Prandaj, kodi aktual është brilant. Nuk e ndalon në asnjë moment shaminë. Shamia nuk është uniformë dhe nuk mund të ndalohet nga ky kod. Ndërkaq, ai që e ka shkruar, apo propozuar, ka qenë gjeni. Hallall i qoftë. E ata që kërkojnë ta ndryshojnë janë budallenj të mëdhenj.

  1. S.

Edhe dikur (1989) dikush thoshte se ndryshimi i disa pikave të Kushtetues nuk i humbë gjë Kosovës. Pastaj çfarë na gjeti… Këta që janë nën 30-vjeç nuk e dinë, sepse nuk e kanë përjetuar si të rritur, por si të mitur që nuk kuptonin gjë. Prandaj edhe sot manipulohen si delet pas një bariu të keq.

/Adem Breznica, gazetar i pavarur/

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …