Kur të ketë filluar fushata zgjedhore, e politikanët ju venë tek dera për t’ju ofruar para në shkëmbim të votës, merruani paratë – sepse ato nuk janë të tyret – e mos ua jepni votën!
Hallall e keni!
Nëse ua kërkojnë votën duke ju kushtëzuar me vende pune, pozita e gradime të ndryshme, privilegje, subvencione e benefite tjera, dhe për këtë u kërkojnë si dëshmi fotografimin e votës, e nëse vlerësoni se vërtetë mund t’ju dëmtojnë, atëherë:
qitjani votën ashtu si ju thonë ata kriminelë, fotografojeni votën si dëshmi, pastaj bëjeni të pavlefshme fletëvotimin dhe hidheni normalisht në kutinë e votimit;
Tutje, dërgojani foto-dëshminë kapove, vetëm pasi ta keni ruajtur një kopje, të cilën, pas formimit të Qeverisë së Re, mund ta procedoni në Prokurori.
Edhe këtë e keni hallall!
I falët radhazi disa herë – tash keni të drejtë për hakmarrje.
Pa merak, edhe këtë e keni hallall!
Në këtë mënyrë, bëjuani me dije se kurrë nuk keni qenë budallenj karshi gënjeshtrave të hapura të tyre, dhe se gjithmonë keni qenë vigjilentë ndaj mundësisë që ofron vota e fshehur.
Mos harroni, e keni hallall me e mbajt për vete atë që Kushtetuta e vendit tuaj ua garanton – votën e fshehur.