Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) duhen shpallur asete të patundshmërisë kombëtare, të një rëndësie të veçantë për historinë moderne të Kosovës. Është më se e domosdoshme që konservimi dhe ruajtja e tyre t’i ngarkohen sipër institucioneve shtetërore, ndërkaq mbrojtja për to të sanksionohet me ligj.
Kështu që, thirrja e kujtdo individi, subjekti a organizate mbi vlerat e patundshmërive kombëtare, me qëllim përfitimi material apo shtrirjes së ndikimit politik mbi masat, në kurriz të këtyre aseteve unike, do duhej konsideruar vepër me përgjegjësi penale.
Se këto dy organizata, që përfaqësojnë rezistencën dhe luftën paqësore e të armatosur për liri dhe pavarësi, mund t’i shpëtojnë njollosjes së mëtejme (qoftë nga individët, qoftë nga grupet e ndryshme), e dëshmojnë Lëvizja Studentore dhe Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve, të cilat janë konservuar e arkivuar shëndetshëm në historinë tonë, pa e lënduar uniformitetin kombëtar.
Prandaj, ashtu sikundër misioni i UÇK-së ka përfunduar suksesshëm me çlirimin e Kosovës, duke i hapur rrugë resorëve institucionalë të sigurisë (policisë dhe ushtrisë), në të njëjtën mënyrë do duhej edhe LDKja ta përfundonte misionin e vet duke i dhënë fund logjikës monopolizuese institucionaliste dhe hapur rrugë pluralizmit normal politik në vend.
Ndryshe, kushdo subjekt politik që thirret në vlerat e shekullit të kaluar, të këtyre dy aseteve kombëtare, do t’i vërë vetës hije qesharake me perspektivë regresive, ndërkaq retrospektiven e lavdishme të UÇKsë e LDKsë, si lëvizjet amë të lirisë e pavarësisë, do t’i dhunoj e deformojë në vizione iluzive, që nuk përkojnë me vlerat aktuale të ndërtimit të shtetit demokratik, ligjor e të integruar evropianisht.
UÇKja dhe LDKja e dikurshme janë pjesë e popullit përgjithësisht, dhe secilit prej nesh veç e veç në mënyrë të barabartë, pa e përjashtuar askë nga patundshmëria trashëgimore dhe pa e veçuar ndokë më shumë si hisedarë monopolist mbi to.
Dikur i gjithë populli ishim LDK, pastaj i gjithi UÇK. Bile ata që ishin kundër apo dhe vetëm hezitues kundrejt frymës së asokohshme konsideroheshin bashkëpunëtorë potencial të pushtuesit e tradhtarë të popullit.
Tash kur misioni i këtyre Lëvizjeve kombëtare ka përfunduar me sukses, nuk guxon të sabotohet vullneti demokratik i po këtij sovrani në ngritjen dhe forcimin e shtetit normal, të pa korruptuar e ligjor, që secilit prej nesh, individi, subjekti a organizmi, do t’i jap mundësinë dhe hakun që e meriton, pa i ekzagjeruar e as mohuar askujt asgjë nga kontributi individual.
(Adem Breznica, profesor i historisë dhe gazetar i pavarur)