Kur fjalët e huaja depërtojnë në gjuhën tonë, ato i quajmë barbarizma. Krejt kjo është OK;
Kur fjalët e njëjta kanë kuptime të ndryshme, ato i quajmë homonime. Edhe kjo është krejt në rregull;
Kur fjalët me bazë të ndryshme kanë kuptimin e njëjtë, ato i quajmë sinonime. Edhe kjo është e kuptueshme;
Por, kur fjalëve tona të njëtrajtshme u shtojmë përpara një “ç”, “s”, “sh”, “z” apo “zh”, ato më nuk mund të mbesin uniforme dhe kurrën e kurrës nuk mund të kenë të njëjtin kuptim, prandaj të tillat i quajmë antonime.
Megjithatë, me sa duket, rrjedhat e historisë fjalorit tonë ia kanë imponuar një bashkëdyzim fjale e cila etimologjikisht, terminologjikisht por edhe thjesht logjikisht, do duhej të kishte kuptimin e kundërt me rrënjën e saj, por që të paktën qysh prej Luftës së Dytë Botërore (në tekstet e më hershme haset rrallë ose fare) ka marrë kuptimin e njëjtë me rrënjën antonime të saj. Akcenta është te fjala LIRIM, respektivisht ÇLIRIM.
Natyrisht fjala “çlirim” do duhej të kishte kuptimin e kundërt me “lirim”, por ja që nuk e ka. E njëjta gjë është edhe tek fjalët sinonime nga e njëjta rrënjë “lirohu” – “shlirohu”, që është dashur të jenë antonime të njëra-tjetrës.
Për çudi (ç’ u[në]’ di – unë nuk di), emri “(ç)lirim”, ndoshta është e vetmja fjalë që bën përjashtim nga rregulli i natyrshëm i leksikut tonë. Pse, si, qysh e tek, kësaj çështje do duhej t’i jepnin përgjigje shkencore gjuhëtarët e specializuar të shqipes. Ama, nga aspekti historiografik, mendoj se, kjo ‘anomali’ leksikografike ka lënë vragë në fjalorin tonë për faktin se koncepti i lirisë tek ne, gjatë periudhave të ndryshme historike, sidomos asaj të shekullit të fundit, nuk e ka pasur kuptimin e pritur, për rrjedhojë as të njëjtë, dhe mbase hera herës ka patur edhe kuptimin e kundërt. Pra për një pjesë (jo të vogël) të shoqërisë liria ka qenë tamam liri, e për pjesën tjetër, mbase shumicën, liria ka qenë ose jo e plotë, ose robëri, respektivisht çliri. Duke qenë se liria në periudha të ndryshme historike mund të jetë keqpërdorur nga grupe të caktuara individësh (bandash, cubash, hajdutësh), të cilët i kanë shfrytëzuar anarkitë për të përfituar në kurriz të njerëzve të tjerë (dhe në raste të veçanta edhe mund të kenë trumbetuar se janë më meritorët e një kauze të përbashkët), populli i është përgjigjur me revanshe fjalësh dhe fjalish të tilla që kanë kuptimin thumbues. Nëse nuk mund të dimë sigurt se dikur moti fjala “shlirë” ka qenë thumb për fjalën “lirë”, për periudhën jo shumë të largët e kemi mbase të qartë se “lirimi” nga italianët e gjermanët ka qenë “vërtet” çlirim. Si rrjedhojë, duke qenë se “fituesit” e Luftës Nacional Çlirimtare, e që ishin pakicë e një kategorie shoqërore, ishin më meritorët për çlirimin nga nazi-fashizmi, atëherë, pas ardhjes në pushtet, edhe e imponuan këtë fjalë antonime duke e bërë sinonim zyrtar të fjalës dhe konceptit “lirim”…
Këtej e tutje, pas rënies së komunizmit, shkencë më nuk pat, e si pasojë edhe ajo liri që u fitua ishte shumë e ndikuar nga “çsshzzh”-të e sistemit paraprak. Kjo reflekton edhe sot e gjithë ditën në fjalorin tonë të përditshmërisë: “Na keni nimu”, “na keni shliru”, “na keni ç. …..”, janë vetëm disa thumba ironizues të dala nga goja e popullit të cilat reflektojnë më së miri forcën e revanshit qytetar ndaj ‘fituesve të luftës’, me penë a me pushkë, respektivisht atyre që shkruajnë historinë…
Për ironi edhe fjalët kyçe të pohimit dhe mohimit në gjuhën tonë, “PO” dhe “JO”, shprehen me mimika të kundërta në pjesë të ndryshme të kombit tonë. Përkulja e kokës (poshtë dhe lartë) në disa regjione tonat kuptohet si pohim, ndërsa në regjione të tjera si mohim. Dhe e kundërta, lëkundja e kokës në të djathë dhe të majtë në disa zona kuptohet si mohim e në të tjerat si pohim. E njëjta gjë mund të ketë ndodhur edhe me kuptimin e fjalës “(ç)lirim”. Vetëm se, tek kjo e fundit është bërë një unifikim, e që ndoshta mund të jetë konsensusi më i mbrapsht i arritur ndonjëherë zyrtarisht…
Ja disa shembuj se si “ç”, “s”, “sh”, “z” dhe “zh”, të përdorura si bashkëngjitje në fillimfjalë, nxjerrin kuptimin e kundërt:
Bëj – S’bëj;
Duhej – S’duhej;
Kujdes – Shkujdes;
Ngarkoj – Shkarkoj;
Mbathur – Zbathur;
Baticë – Zbaticë;
Dukej – Zhdukej;
Detyroj – Zhdetyroj;
Mall – Çmall;
Nderim – Çnderim;
Organizim – Çorganizim;
Njerëzor – Çnjerëzor;
Armatos – Çarmatos;
Kapje – Ç’kapje;
LIRIM – ÇLIRIM.
(Adem Breznica, është gazetar i pavarur dhe profesor i historisë)