Adem Demaçi, (1936-2018) një jetë e tërë sakrificë për kombin, të vërtetën, barazinë dhe të drejtën

Ahmet Qeriqi: Adem Demaçi, (1936-2018) një jetë e tërë sakrificë për kombin, të vërtetën, barazinë dhe të drejtën

Ditëlindjet dhe ditët kur janë ndarë nga jeta personalitetet  që kanë bërë emër në historitë e kombeve, shënohen si ditë të veçanta për t’u ndalur pak dhe për të përkujtuar kohën, të kaluarën, prej nga u nisem e deri ku erdhëm, ku jemi dhe ku po vemi, me cilat vështirësi u ballafaquam dhe cilat janë ato që na presin… Kjo nuk do të thotë se vetëm në ditëlindje dhe ditë-vdekje të përkujtohet jeta e një kolosi, cilido qoftë ai, ndërsa për ne shqiptarët, përkujtimi për Adem Demaçin, për rrugën e tij jetësore, humanizmin, virtytin, qëndresën, njerëzinë, sinqeritetin,besën, dinjitetin, moralin, sakrificën, solidaritetin e shumë veti të tjera, duhet të jetë reflektim i përditshëm i çdo atdhetari…

Më 26 shkurt të vitit 1936 në një familje të varfër por të ndershme e bujare, një fshatin Lupç të Llapit u lind, Adem Demaçi. U lind shqiptari, i cili do të lërë gjurmët më të pashlyeshmet në historinë tonë kombëtare, në Lëvizjen e Rezistencës aktive si dhe në letërsi e publicistikë.

Jeta dhe vepra e tij lidhet me shqiptarët  e shumëvuajtur  dhe me aspiratat për liri e bashkim, ashtu sikur lidhet mishi me thoin. Veprimtaria e tij i përket kombit e atdheut, i përket pjesës më të  ndritur të historisë së rezistencës, por edhe  krijimtarisë së arrirë  letrare artistike.

Të flasësh e të shkruash për Adem Demaçin nuk është punë e lehtë.

Baca nuk i duronte fjalët e mëdha, nuk i duronte lavdet. Por  si mund të shkruhet për Adem Demaçin pa përkushtim, pa fjalët më të mira dhe pa sipërorët, të cilat i ka shkruar vetë me jetën dhe veprimtarinë e tij atdhetare.

Andaj të shkruash për Bacë Adem Demaçin, sidomos kur e ke për detyrë, është punë mjaft e vështirë. Dhe, nuk ka si të jetë e vështirë tërë kjo, kur Baca tërë jetën është sprovuar me të rëndat e vështirësisë e saj, sepse është sakrifikuar për të vërtetën e të drejtën dhe është bërë zëdhënësi më i fuqishëm dhe më i përkushtuar i së drejtës, humanizmit dhe të vërtetës.

Duke qenë i çiltër, si natyra pranverore në agim, humanist dhe i njerëzishëm deri në pakufi, i sprovuar në jetë nga forcat e errësirës sikur Prometheu, i rrahur me vaj e uthull nga të papriturat dhe rravgimet e jetës, Adem Demaçi është mishërim i sakrificës shqiptare për liri e bashkim, është vetë simboli i  kësaj sakrifice, është alfa dhe omega e një drame kombëtare në shumë akte, një dramë në epilogun e së cilës ende nuk e kemi përmbyllur.

Në përpjekje për të përkufizuar më mirë dhe sa më realisht personalitetin e Adem Demaçit jam mbështetur në disa vlerësime të filozofëve të njohur, të cilët kanë shkruar për fenomenologjinë, tipologjinë dhe personazhet e veçanta të historisë së  qytetërimit njerëzor.

Filozofi më i madh idealist, gjerman, Georg Vilhelm Fridrih Hegel, në veprën madhore “Fenomenologjia e shpirtit” në kapitullin, “Perënditë dhe njerëzit”, ndër të tjera ka shënuar: “Forcat e përgjithshme disponojnë në vetvete shenjën e individualitetit, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Nga kjo del se vepra e tyre manifestohet si veprim i lirë, i cili përgjithësisht rrjedhë prej tyre. Kështu kanë vepruar perënditë, kështu veprojnë edhe njerëzit”.

Adem Demaçi është emri i njohur i rezistencës shqiptare, një individualitet i llojit të vet, origjinal në jetë dhe në vepra, origjinal në tërë jetën e tij, në të gjitha periudhat e jetës së tij. Si i tillë ai është një fenomen,  nga ai lloj, të cilin duket se  Krijuesi e kishte  përzgjedhur për të kryer një mision human, në dobi të njeriut dhe të njerëzimit. Njerëz të ë tillë, të përzgjedhur, ka pasur dhe ka edhe në mesin e kombeve të botës. Dhe të gjithë këta kanë shenjën e individualitet, e cila është e lidhur me principin e veprimit. Të tillë kanë qenë: Sokrati, Xhordano Bruno, Galileo, Martin Luteri, Partis Llumumba, Nelson Mandela, Adem Jashari e shumë të tjerë. Demaçi qëndron në mesin e këtyre personaliteteve,  për nga principi i individualitetit, përkushtimi e sakrifica. Të gjithë këta, që nga Sokrati kanë sakrifikuar jetën, për lirinë e të drejtën dhe  për të vërtetën, “për atë të vërtetë që qëndron në ballë të Universit, si princip primar i jetës dhe i lëvizjes”, ashtu sikur ka thënë sundimtari i Prusisë, Frederiku i Madh.

Duke medituar për shpëtimtarin dhe cilësitë e tij në kohën e apatisë jetësore, nën sundimin e autarkisë monarkiste, zogiste,  filozofi i madh shqiptar, Kristë Maloku ka shkruar: “Shpëtimtari i kombit duhet të ketë fantazi krijuesi si Platoni, … entuziazëm djalërie si Alkibiadi, vullnet vetëflijues si Sokrati. Por kësi shpëtimtarësh të kombit nuk mbijnë aq lehtë në Shqipëri e as tjetërkund, sepse Zoti i dërgon ata vetëm njëherë brenda qindra e mijëra vjetësh. Dhe, i dërgon vetëm si një kurorëzim të një pune të gjatë kombëtare, plot orvatje e mundime, si një lulëzim të shkëlqyeshëm mbi gjethe, gjemba e ferra të një kopshti të kulturuar kombëtar.”

Krahasimet e tilla, në këtë mes, në raport edhe me Demaçin, janë të shumta me faktin se edhe paraqitjet e fenomeneve në botën njerëzore nuk janë të pakta.

Pavarësisht se besojmë apo jo në përcaktimin hyjnor, Adem Demaçi me jetën dhe veprën e tij misionare është një paraqitje e realizuar vegimtare, një personalitet i përmasave të historisë së përgjithshme njerëzore, ku bën pjesë edhe historia jonë kombëtare.

Për karakterin humanist të Demaçit, qoftë në jetën e tij, apo në krijimtari mund të flitet me shembuj të shumtë relevantë, edhe pse një pjese të njerëzve tanë nuk iu ka pëlqyer, as iu pëlqen ky qëndrim i tij, të cilin janë munduar ta interpretojnë si një idealizëm internacionalist, madje edhe marksist. Pavarësisht nga kjo, Demaçi,  si në jetë e në vepër, ashtu edhe në krijimtari është një humanist i thellë, njeri i sakrificës, i krijuar apo i materializuar jo nga rastësia, por nga vetëdija e tij e thellë shpirtërore, mbase e trashëguar edhe nga ADN-ja, e pastër njerëzore. Ai, rrjedh nga një familje tradicionale shqiptare, e cila në katrahurën e gjatë të luftës për mbijetesë kishte ruajtur të paprekura idealet e njerëzisë, si digat e vetme të qëndrueshme të gjenit njerëzor, të atij gjeni pa të cilin nuk përparon dot  raca njerëzore.

Dhe, shumë çka tjetër mund të thuhet dhe të dëshmohet me fakte për Demaçin, edhe pse baca nuk i duronte fjalët e mëdha, dhe ky është një shenj tjetër,  jo vetëm i modestisë, por edhe i filozofisë së tij jetësore. Po e vërteta gjithnjë mbetet ajo që është, dhe në këtë rast, atë, as e zvogëlon, as e asgjëson, as e fsheh dot. Sepse ajo është vetë principi, që qëndron në ballë të Universit, ashtu sikur është edhe arsyeja, e cila i udhëheq shpëtimtarët, idealistët e vërtetë, ata që kanë mbijetuar dhe janë prore të pranishëm në mendjen njerëzore, mbi të gjitha si misionarë e krijues.

 

Disa të dhëna jetëshkruese

Adem Demaçi u lind dhe u rrit në një familje të varfër të Prishtinës, e cila nga fshati Lupç ishte vendosur në qytet. Babai, Zeqiri, i vdiq shumë herët. Demaçi nuk i kishte mbushur as plot tetë vjet. Gjithë barra e familjes ra mbi të vëllanë e tij të madh, Maliqin, i cili, si gazetashitës, ia doli me shumë vështirësi të siguronte kafshatën e gojës për familjen (tregimi “Një Natë Bajrami”). Por, pas pesë-gjashtë vjetësh i vdiq edhe i vëllai Maliqi po nga tuberkulozi. Atëherë, për t’i mbajtur në jetë dy fëmijët e mbetur, Ajshen dhe Ademin, nënë Nazifja iu qep vekut dhe duke endur pëlhura të ndryshme, arriti t’i ushqente disi fëmijët, madje edhe ta shkollonte Demaçin (tregimet “Vegjëtarja”, “Vegjëtarja në treg”).

Demaçi ka mbaruar shkollën fillore në Prishtinë, në vitin 1946, ku më pas ka kryer  edhe Gjimnazin real. Studimet në Degën e Letërsisë Botërore do t’i ndjekë plot pesë semestra në Universitetin e Beogradit, të cilat do të shtrëngohet t’i ndërpres për shkak të sëmundjes së nënës. Ndaj, u kthye në Prishtinë dhe gjeti punë në veprimtarinë botuese të ndërmarrjes “Rilindja”.

Burgosjes së Tij të parë, më 19 nëntor 1958, do t’i paraprijë shpërngulja me dhunë e shqiptarëve në Turqi (“Kthimi”, “Mestani”), aksioni i armëve dhe Procesi i Prizrenit. Në procesin gjyqësor të marsit të vitit 1959 të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës, Demaçi do të dalë hapur me kërkesën që pa bashkimin e Kosovës me Shqipëri, nuk do të ketë paqe në Ballkan. Për këto qëndrime të tij u dënua me 5 (pesë) vjet burg të rëndë. Gjyqi Suprem i Serbisë ia vërtetoi dënimin në 3 (tre vjet), të cilat i vuajti në kazamatin e Sremska Mitrovicës.

Pas lirimit nga burgu, nuk e linin të zinte punë, me qëllim që t’u kallnin edhe më shumë datën të tjerëve për pasojat që mund të kishin. Për më tepër, me ardhjen e Hrushçovit në Shkup, pas tërmetit, më 1963, e izoluan dhe e mbajtën në burg, izolim.

Megjithatë, në fillim të viteve ‘60 ishin krijuar në disa qytete të Kosovës, si në Pejë, Gjakovë e gjetiu, organizata të ndryshme, që luftonin në mbrojtje të kauzës kombëtare. Duke parë disponimin e masës për t’iu kundërvënë terrorit dhe dhunës së shtetit totalitar, veçmas politikës së egër antishqiptare, Demaçi bëri çmos të formohej Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, si dhe hartoi bashkë me Ramadan Shalën, Statutin dhe Programin e Lëvizjes. Lëvizja formoi komitetet e saj në Prishtinë, Gjakovë, Pejë, Mitrovicë, Gjilan; ndërmori një varg aksionesh për ngritjen e flamujve kombëtarë, u përpoq të vite kontakte me lëvizjet e ndryshme revolucionare dhe ta propagandonte sa më shumë çështjen e pazgjidhur kombëtare të shqiptarëve në Ballkan. Megjithatë, kjo LRBSH u zbulua mjaft herët dhe Demaçi si kryetari i saj u dënua me 15 (pesëmbëdhjetë) vjet burg të rëndë, të cilat në fillim i vuajti në Nish, e pastaj, për ta larguar sa më shumë nga familja, e dërguan në Pozharevc, ku në kohën e ish-Jugosllavisë kishin vuajtuar dënimet shumë atdhetarë shqiptarë, midis të cilëve edhe Azem Bejta. Po e theksojmë këtë fakt, sepse kjo mbase do të jetë arsyeja që Demaçi të shkruajë në shtator të vitit 1969 dramën e parë me titull “Popu” (shkurtim i fjalëve po-litika dhe pu-shka), dorëshkrimin e së cilës e nxori nga burgu, Xhafer Mahmutxhiku, kryetar i Komitetit të Prishtinës, në një arkë me dy kapakë.

Pas ndryshimeve dekorative politike në ish-Jugosllavi më 1966, dënimin ia zvogëluan në 10  vjet, të cilat i vuajti ditë më ditë deri më 8 qershor 1974.

Për herë të tretë ra në burg më 6 tetor 1975 dhe u dënua përsëri me 15 vjet burg të rëndë, vite këto të cilat do t’i vuajë në burgun famëkeq të Stara Gradishkës. Më 21 prill 1990, me urdhrin e Kryesisë së ish-Jugosllavisë, lirohet pesë muaj e gjysmë para se ta kryente dënimin e plotë.

Janë proverbiale fjalët e tij pas daljes nga burgu: Që nga 21 prilli i këtij viti ndodhem në burgun më të madh në botë, që e njeh historia e njerëzimit – në burgun e Kosovës, ku më se dy milionë Shqiptarë nga regjimi hegjemonist-shovinist-terrorist janë zhveshur nga të gjitha liritë dhe të drejtat më elementare njerëzore e kombëtare.

Si luftëtarit më të paepur për lirinë e mendimit, si mbrojtësit më këmbëngulës të lirive dhe të drejtave të njeriut, Paralamenti Evropian, më 4 dhjetor 1991, i dha Çmimin Saharov. Të theksojmë se këtë çmim deri më tash e kishin marrë: Saharovi, emrin e të cilit e mban, Dubçeku, Nelson Mandela, Marçenko, Aung Sun, disa nga të cilët (Mandela, Aung Su) u bënë më vonë edhe fitues të çmimit Nobel. Me këtë rast, në Parlamentin Evropian, Demaçi tha se duke më nderuar mua, keni nderuar popullin tim të shumëvuajtur, por gjithmonë liridashës, paqedashës e krenar.

Më 1993, Klubi i Rektorëve Universitarë në Madrid i dha Çmimin Special për Paqe, kundër racizmit, ksenofobisë, për qëndrim paqësor e tolerant dhe për përpjekje për të ndërtuar një të ardhme të mbështetur në të drejtat e njeriut dhe në shumësi kulturore, që do t’u bënin të mundshme grupeve etnike të ish-Jugosllavisë të jetonin së bashku në paqe e harmoni… Dhe kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur qarqet shoviniste serbe e akuzonin për nxitje të luftës?!

Në shkurt të vitit 1994, pesë anëtarë të Parlamentit të Norvegjisë e kandiduan shkrimtarin Adem Demaçi për çmimin Nobel për letërsi. Në shtator 1994 u kandidua sërish-tani për çmimin Nobel për Paqe, me ç’rast theksoi se ky është një nder për mua dhe një mirënjohje për popullin shqiptar. Ndërkaq, më 14 dhjetor 1995 Adem Demaçit iu dorëzua Çmimi për të Drejtat e Njeriut i Universitetit të Oslos. Demaçi, duke shprehur falënderimin për këtë çmim, tha: Këtë mirënjohje nuk e kuptoj vetëm si mirënjohje të punës dhe të luftës sime për të drejtat e popullit tim, por edhe si dëshirë të qeverisë  paqedashëse norvegjeze që t’i tërheqë vëmendjen opinionit të gjerë ndërkombëtar për problemin e Kosovës. (Vikipedia)

 

Prej vitit 1991 e deri në vitin 1995 ishte kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Prej vitit 1996 e deri në fillimin e luftës në vitin 1998, ka qenë kryetar i Partisë Parlamentare të Kosovës.

Ka mbajtur kontakte aktive me shumë nga drejtuesit e SHP të UÇK-së gjatë luftës, madje ka vizituar edhe zonat e luftës.

Prej gushtit të vitit 1998 ishte caktuar Zëdhënës i Përgjithshëm në drejtim të krijimit të institucioneve deri në shkurt të vitit 1999. Pastaj  ka qenë drejtues  i Zyrës së UÇK-së, në Prishtinë. Asokohe kishte tubuar rreth vetës një numër intelektualësh, me të cilët kishte trajtuat tema dhe analiza mbi gjendjen aktuale politike në kushtet e luftës.

 

Pas luftës dhe çlirimit të Kosovës nga robëria serbe, Adem Demaçi nuk u përfill nga pozita as opozita politike për shkak se kishte qenë kundërshtar i politikës pacifiste dhe nuk e kishte pranuar nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambujesë të marsit të viti 1999.

Pas luftës ka bashkëpunuar me shoqata e organizata të shumta atdhetare dhe ka marrë pjesë intensivisht në aktivitetet kulturore dhe në manifestime të ndryshme kudo në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe në Diasporë.

Një kohë ka qenë edhe anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje.

Ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet që i ka organizuar Radio-Kosova e Lirë, bashkëpunëtor i së cilës ka qenë që nga themelimi e deri në fund të jetës.

Ka qenë edhe drejtor dhe anëtar i Bordit të RTK-së, nga i cili është larguar në janar të vitit 2004, për shkak se RTK-ja nuk kishte pranuar ta transmetonte drejtpërdrejt Akademinë e Radios-Kosova e Lirë në pesë-vjetorin e themelimit, e cila ishte mbajtur në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve, në Prishtinë.

Për dy vjet me radhë ka mbajtur një emision kontakti në Radion Kosova e Lirë.

Gjatë vitit 2016 ka qenë drejtor i TV-Diellit. Me rastin e sëmundjes, familja e tij është tërhequr nga projekti dhe me këtë rast iu kanë kthyer edhe të gjitha mjetet  financiare që i kishte ndarë nga kontoja e tij,  në blerjen e mjeteve e pajisjeve të televizionit. TV-Dielli vazhdon transmetimin, me disa nga përmbajtjet programore që i kishte propozuar Adem Demaçi së bashku me stafin.

Nderim respekt dhe lavdi jetës dhe veprës  së Adem Demaçit!

Ahmet Qeriqi

 Prishtinë 26. 7. 2020

 

 

Veprat e Adem Demaçit:

 

 “Gjarpinjtë e gjakut” (roman), Jeta e Re, 1958.

“Gjarpinjtë e gjakut dhe novela të tjera” (zgjedhje), Nju-Jork, 1983.

“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Zëri i Kosovës”, Zvicër, 1984.

“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim), “Lumi”, Lubjanë, 1984.

“Gjarpinjtë e gjakut” (ribotim i kthyer në gjuhën letrare), “Buzuku”, Prishtinë, 1990.

“Kur Zoti harron” (vëllim me tregime), Zëri i Rinisë, Prishtinë, 1990.

“Libër për Vet Mohimin” (roman), botoi autori, Prishtinë, 1994.

“Libër për Vet Mohimin” (ribotim), Rotanor Boksproduksjon AS, Skien Norëay, 1994.

“La metamorfosi di Vet Mohim” (përkthyer nga Nermin Vlora Falaski), Romë, 1995.

“Tung, vargu im”, “Rilindja”, Prishtinë, 2002.

“Heli dhe Mimoza”, Prishtinë, 2006.

“Dashuria kuantike e Filanit”, “Infopress” & “Buzuku”, Prishtinë, 2007.

“Alb Prometeu”, QNK “Arbnori”, Tiranë, 2008.

Demaçi ka lënë edhe vepra e shkrime të ndryshme në dorëshkrim.

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …